Inspektorët në terren, MASHTI thotë se po zbatohet vendimi për zëvendësim të orëve

Kjo e shtunë është ditë mësimi për nxënësit e klasave 1-8, ashtu siç do të jenë edhe disa të shtuna të tjera në mënyrë që të bëhet zëvendësimi i orëve mësimore të humbura gjatë grevës pesëjavëshe në arsim.

Këtë vendim e mori Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e cila insiston në zbatimin e tij ani se u kundërshtua nga SBAShK-u dhe Këshilli i Prindërve.

Madje, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci bëri të ditur se do të nxjerrë në terren inspektorët për të parë se a po zbatohet vendimi për kompensim të orëve të humbura.

E se ky inspektim ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit për Klankosova.tv e ka konfirmuar Valdrin Dervishaj nga kabineti i ministres Arbërie Nagavci.

Derisa jo të gjitha shkollat e vendit u deklaruan se sot do të mbahet procesi mësimor, Dervishaj thotë se në të gjitha shkollat që janë inspektuar është duke u zhvilluar mësimi.

“Inspektorët janë në terren që rreth orës 07:00 dhe nga informacionet bazë që kemi, shumica e mësimdhënësve kanë dalë në vendin e punës dhe po i zhvillojnë orët mësimore”, tha ai.

Ai tha se i kënaqshëm ishte edhe numri i nxënësve që sot janë paraqitur në shkolla, derisa shton se ata që kanë munguar do të shkruhen në ditar.

“Në disa shkolla mungojnë disa nxënës, mungesa e të cilëve mund të jetë për arsye të ndryshme. Mirëpo, secila mungesë duhet të evidentohet në ditar. Ata mund të kenë munguar edhe si pasojë e mosinformimit me kohë”.

Ai gjithashtu iu bëri thirrje prindërve që të informohen nga organet kompetente në mënyrë që informacionet që i marrin në lidhje me procesin mësimor të jenë të sakta.

E në lidhje me këtë inspektim që po bëhet sot mbrëmë reagoi SBAShK-u që në vazhdimësi e ka kundërshtuar kompensimin e orëve të humbura.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha se ministrja Nagavci po i kërcënon me inspektorë ashtu siç kishte bërë pushtuesi serb në kohën e grevës së atëhershme.

“Zonja Nagavci, unë si njëri nga ata që kishim bërë angazhime sublime ta mbrojmë arsimin shqip nga furtunat e pushuesit dhe ishim po ata që u bëmë pjese grevës së 3 shtatorit të asaj kohe të okupimit, përjetuam pastaj vizita të inspektorëve të policisë serbe e të UDB-së me përndjekje e grushta e shkelma. Me inspektorë po na kërcënon edhe tani ti. SBASHK-u as në ato vite nuk u nënshtrua e as në këto ditë të Kanunit të Albin Kurtit nuk do të nënshtrohet. Mendo kush do të jesh ti nesër e në vitet e lavdishme të betejave për mbrojtjen e arsimit shqip ti nuk ishte askund e as edhe të pafytyrët që po më shajnë mua e mësimdhënësit e atyre viteve . Ndalu pak se kolltuku nuk zgjat me vite po jeta zgjat më shumë dhe vështirë të jetosh e turpëruar”.

Jasharaj pretendon se qeveria po do ta zhdukë sindikatën që ai drejton.

“Kurti i trimëruar nga vota e fituar dhe të pafytyrët e me emra të rrejshëm në facebook dhe disa analistë që u mungon edhe elementarja njerëzore e mbrojnë dhe e trimërojnë Kanunin e Albin Kurtit dhe qeverisë që ai përfaqëson. Zonja Nagavci nuk thotë gjë para opinionit se ka shkelur ligjet bashkë me Hekuran Muratin dhe mundohej të ndëshkonte vetëm punëtorët e arsimit për grevën se grevistëve të tjerë ua kishte ndarë pagat. Lufta me SBASHK-un dhe arsimin ka vazhduar e po vazhdon dhe dihet pse, për ta zhdukur këtë sindikatë që është e fortë dhe nuk dorëzohet”.

Kompensimi i orëve të humbura gjatë të shtunave është kundërshtuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës të cilët, përmes një postimi në Facebook, kanë treguar arsyen e qëndrimit të tyre.

“Jemi kundër mësimit të shtunave, sepse mësimi të shtunave është edhe në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.  LIGJI NR. 06/L-084, Neni 40, Koha e lirë dhe loja 1. Fëmija ka të drejtë të pushojë, të argëtohet, të praktikojë lojëra dhe veprimtari çlodhëse dhe të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore, artistike e sportive, në përshtatje me moshën zhvillimin fizik dhe mendor”, thuhet në postimin e tyre.

Ky këshill kishte thënë paraprakisht se as prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato./ KultPlus.com