BE-ja në Kosovë zgjedh ‘Hyjneshën në Fron’ si suvenir dhuratë për mysafirët nga Evropa

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njofton se ka përgatitur dhuratë të veçantë për mysafirët.

Me anë të një postimi në Facebook bëhet e ditur se si shenjë mirënjohjeje për pjesëmarrësit që kanë udhëtuar nga e mbarë Evropa për të marrë pjesë në Konferencën për Edukimin Medial në Kosovë, janë prezantuar suvenirët e “Hyjneshës në Fron”.

“Ky simbol i bukur i Prishtinës e ngërthen frymën dhe kulturën e qytetit tonë . ‘Hyjnesha në Fron’ është frymëzuar nga artefaktet e lashta që janë zbuluar në rajon dhe që e simbolizojnë pjellorinë, prosperitetin dhe historinë e pasur të Kosovës. Ajo shërben si kujtim për të kaluarën e gjallërishme të Prishtinës dhe rrugëtimin e saj nëpër kohë. Këto suvenire janë punuar me dorë nga personat me nevoja të veçanta përmes OJQ-së ‘Dita’”, thuhet në postimin e zyrës së BE-së në Kosovë.

“Le të shërbejë kjo dhuratë si kujtim i çmuar për vizitën tuaj dhe për lidhjet që i keni krijuar këtu. Faleminderit që na u bashkuat! ”, thuhet më tej në postim.