Kryevepra botërore e baletit klasik, “Zhizel” së shpejti në TKOB

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit do të sjellë në fillim të muajit shkurt, baletin “Zhizel”, një nga veprat më të njohura të baletit klasik në nivel ndërkombëtar.

Rrëfimi i një dashurie të pamundur, ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane, do të vijë nga Trupa e Baletit e TKOB-së, solistët dhe Orkestra Simfonike bashkë me shumë balerinë italianë. ”Zhizel” do të ketë koreografinë e të madhit, Agron Aliaj, nën drejtimin e dirigjentes së baletit, Sabrina Bosco dhe dirigjentes Renata Russo.

Ky balet është vënë për herë të parë në Operan e Parisit më 28 qershor të vitit 1841, ndërsa në Tiranë, premierën e pati në 14 dhjetor të vitit 1988.

“Zhizel” është një balet romantik me dy akte, që përmbledh të gjitha elementet stilistike, teknike dhe shprehëse të baletit klasiko-romantik. Në qendër të historisë qëndron dashuria e tradhëtuar dhe një princ mes dy vajzave. Baleti përbëhet nga dy akte: në të parin ndodh vdekja e Zhizelit, ndërsa në të dytin historia zhvillohet rreth legjendës gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen.

“Zhizel” do të vijë në datat 5-6-7 shkurt./ atsh / KultPlus.com

Baleti “Zhizel” në ArTurbina në nderim të Agron Aliajt

Baleti “Zhizel” është vendosur për herë të parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në vitin 1988 nga “Mjeshtri i madh”, Agron Aliaj. Pesë vite pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit, nxënësit e tij e nderojnë në 85-vjetorin e lindjes pikërisht me këtë vepër, që pa dritën e skenës sonë për herë të parë nga Aliaj. Artistja Enada Hoxha kujton rrugëtimin e saj, me koreografin.

“Unë në këtë rrugëtim me maestron kam parë një pasion të madh nga ana e tij. Kjo ishte ajo që na bënte bashkë të dyve, sepse gjenim gjuhën e përbashkët për këtë profesion. Më kujtohen orët e pafundme edhe dedikimi i tij shpirtëror. Ajo që më thoshte: Mos e lërë skenën kurrë. Vazhdo që të punosh. Këtë mundohem që ta përçoj tek brezi i ri”, tha Baletmaestër Enada Hoxha
Baleti “Zhizel” vjen nën koreografinë e Enadës. Një produksion i ri, me skenografi, kostume dhe ndriçim, duke ruajtur të njëjtin koncept koreografik, skenash dhe kostumesh, që Aliaj realizoi para 30 viteve.

“Unë nuk e imagjinoj Zhizelin të vënë ndryshe. Në botë është vënë edhe në formën më moderne, deri në lakuriqësi. Por kjo është një vepër kaq e bukur, që mendoj se është e paimagjinueshme ndryshe. Një skenografi që i përshtatet kaq bukur veprës. Por, edhe koreografia klasike”, u shpreh baletmaestër Enada Hoxha
Libreti i baletit “Zhizel” është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur që të martohen. “Zhizel” ngjitet në skenën e “ArTurbinës” në datë 9, 10 dhe 11 nëntor, ora 19.00.

Kostumografia është realizuar nga Ardi Asllani, skenografia nga Renold Sula, koncertmaestër Enina Llozi dhe korpetitore Alisa Gjoni./javanews.al/ /KultPlus.com