Në edicionin e 25-të të Panairit të Librit janë ndarë sot çmimet për autorët dhe përkthyesit e këtij viti nga juria e cila përbëhej nga Virgjil Muçi, Aleksandër Cipa, Vjola Isufaj, Alina Karaulli dhe Agim Baçi.
Çmimi i Letërsisë për fëmijë i akordua Natasha Shyteriqit me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës” që sipas jurisë “përmes një proze poetike autorja ka ditur të ndërtojë një botë magjike për të miturit. Falë një stili të thjeshtë e elegant, por edhe një gjuhe të pasur e të rrjedhshme, që i shkon për shtat fëmijëve, ajo ia ka dalë mbanë të krijojë një vepër letrare që i jep krah fantazisë dhe edukon me dashurinë për natyrën e, padyshim, dijen të lidhura tok me librin dhe leximin”.
Çmimi për përkthimin nga letërsia franceze shkoi për Klarita Lagji, si përkthyese e veprës “Vendi i babait” nga nobelistja Annie Arnaux.
Juria vlerësoi për veprën më të mirë studimore Arben Imamit për “Tri format e mendimit: Mitologjia, Racionaliteti, Religjoni”.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Leximit Alda Bardhyli dorëzoi çmimin “Përkthimi më i mirë për 2022” për Romeo Çollakun, për përkthimin e romanit “Varfanjaku i Zotit” nga Niko Kazantzakis, një botim nga Kosova.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar çmimin si autori më i mirë shqiptar shkrimtarit Zija Çela për veprën e tij “Banka e Ankesave” me motivacionin “Për rrezatimin e një urtie dhe përvoje të pasur letrare në identifikimin e bjerrjes së shpirtit njerëzor, si dhe tjetërsimit të fytyrës së vdekjes e të dashurisë në labirintet e një bote që shkon e përfton trajta distopike”.
Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës do të vijojë të jetë mbështetëse e Panairit të Librit.
“Si drejtues i bashkisë mendoj se në këtë vit të rinisë ndoshta ky ka qenë sponsorizimi më i mirë që kemi bërë. Do doja që ta vazhdonim çdo vit duke e rritur. Ndoshta duke rritur dhe kohëzgjatjen duke i dhënë mundësinë sa më shumë zhanreve që të prezantohen dhe sa më shumë shkrimtarëve dhe ndoshta marrin dhe më shumë hapësirë se Pallati i Kongreseve. Ndihem mirë që bashkia ishte sponsor kryesor i këtij aktiviteti. Mezi pres që vitin tjetër ta çojmë akoma më tej”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë theksoi se Tirana do të jetë sinonim me panairin e librit. “Më vjen mirë që steka ka ardhur duke u rritur. Dua shumë që qyteti të jetë sinonim me panairin e librit. Si kryetari i Bashkisë në vitin e Rinisë, jam vërtetë i lumtur që Petriti dhe gjithë kolegët promovuan të rinj. Kishim shumë nevojë të merrnim këtë mesazh që këtu rinia ende prodhon ende ka dëshirë”, deklaroi Veliaj.
Veliaj nënvizoi se në një botë ku kufijtë e debatet diplomatike janë akoma tema të nxehta, libri i kalon këto barriera. “U inkurajova që ka shumë letërsi të mirë për fëmijët. Si një frankofon i vonuar me vjen shumë mire për përkthime serioze dhe voluminoze. Zonjës Duda gjithmonë i qëllon që nuhat fituesit dhe nobelistët e radhës dhe i paraprin shumë prej këtyre personazheve. Shumë urime Benit. Vërtetë e vlerësova mesazhin e përkthyesit tonë Romeos. Në një botë ku kufijtë, debatet diplomatike ku njohjet mosnjohjet janë akoma tema të nxehta, libri i kalon këto barriera dhe ju falenderoj shumë për këtë kontribut”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës./atsh/ KultPlus.com
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Rahovecit dhe Komuna e Deçanit, më 29 dhe 30 tetor 2022, në Rahovec dhe në Podgoricë organizon edicionin e 10-të të Manifestimit Letrar Trekufitar: “Muzat e Alpeve 2022”.
Aktivitetet fillojnë me datë 29 tetor, në orën 13-të, në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, me rezymenë e aktiviteteve 9-të vjeçare të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta” me karvanin e shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” në 21 qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Aktiviteti vazhdon me promovimin e përmbledhjes dygjuhëshe me poezi të zgjedhura të poeteve shqiptare dhe malazeze ”Perla Poetike/Poetski biseri”. Teatri Shqiptar në Amerikë-Xhevat Limani do të prezantojë një monolog për heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ndërsa, aktivitetet e ditës së parë mbyllen me vizitë trashëgimisë kulturore dhe natyrore të komunës së Rahovecit.
Me datë 30 tetor 2022, karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” vazhdon aktivitetet në Bibliotekën Qendrore në Podgoricë, me promovimin e përmbledhjes me poezi të poeteve shqiptare dhe malazeze “Perla poetike/Poetski biseri”, si dhe me promovimin e romanit të përkthyer të Zija Çelës “Ora e Zooparkut (Sat Zooparka). Ndërsa, aktiviteti përmbyllet me ndarjen Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” që i ndahet shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela, me motivacion:
“Zija Çela, ndoshta shkrimtari më origjinal dhe më profilik i prozës në gjuhën shqipe, përbën një rast unik në letrat tona. Ai shfaqet si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. Në librat e Zija Çelës ngjarjet mund të ndodhin kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të autorit një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Me krijimtarinë e tij Zija Çela ka provuar se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore, në atë zonë ku qëndron me dinjitet dhe krijimtaria e tij”(arsyet. I “TEUTËS”, përgatitur nga Rudolf Marku).
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” me karvanin e shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” për 10 vite të themelimit ka ndaluar me aktivitetet e veta, në: Pejë, Kotorr, Rozhajë, Deçan, Guci, Junik, Bajram Curr, Istog, Shkodër, Tuz, Gjakovë, Ulqin, Krujë, Tivar, Lezhë, Prizren, Klinë, Petnjicë, Plavë dhe Prishtinë, përfshirë edhe dy qytetet e vitit 2022, Rahovecin dhe Podgoricën.
“Teuta” është edhe hartuese dhe implementuese e turit katërditor “Shkrimtarët lobojnë për Kosovën”, me 2014-të në Rumani – njëri ndër të 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës. Ndërsa, Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” deri më tani iu është ndarë përfaqësuesve të denjë të letërsisë shqipe dhe malazeze: Jevrem Bërkoviq (Rugovë-Pejë,2013); Dritëro Agolli (Rizon-Kotorr,2014); Ramiz Kelmendi (Bajram Curr, 2015); Mirash Martinoviq (Junik,2016); Moikom Zeqo (Tuz, 2017); Nazmi Rrahmani (Krujë,2018), Zuvdija Hoxhiq Berisha (Prizren, 2019), Xhevahir Spahiu (Petnjicë, 2020), Rexhep Qosja (Prishtinë,2021), ndërsa shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela Çmimi “TEUTA” do t’i ndahet në Podgoricë. / KultPlus.com
Vitin e kaluar, “Onufri” botoi tri romane të Zija Çelës në një vëllim të përbashkët. Kur një vepër letrare botohet për herë të katërt, siç ka ndodhur me romanin “Gjaku i dallëndyshes” të Çelës (botimi i parë – “Naim Frashëri”, Tiranë 1990; botimi i dytë – “Dukagjini”, Pejë 1992; botimi i tretë – “Koha ditore”, Prishtinë 2005 dhe botimi i katërt – “Onufri”, Tiranë 2021), s’ka dyshim që ai është ndër më të kërkuarit e më të preferuarit nga lexuesi.
Dhe kur kjo ndodh edhe me dy romanet e tjera, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”, pjesë e këtij triptiku (i pari i ribotuar nga “Onufri” në 2021, pas botimit të parë më 1992 nga “SHBL”, Tiranë, dhe botimit të dytë nga “Flaka e Vëllazërimit”, Shkup, më 1998, ndërsa i dyti ribotim nga “Onufri” më 2021, pas botimit të parë nga Dukagjini, Pejë, më 1997), kureshtja e lexuesit për ta është e shkallës më sipërore.
Kështu ndodhi edhe me mua gjatë shtatë ditëve të kësaj vere të nxehtë, duke lexuar tri romanet e triptikut “Gjaku i dallëndyshes”. Dhe sinqerisht u befasova me lëndën e larmishme, bukurinë e narrativës, karakteret e shumta, përshkrimet e portretizimet brilante, gjuhën e pasur e gjithë forcë shprehëse. Vetëm një gjeni si Zija Çela di të sjellë aq artistikisht në një roman virgjërinë si tabu (“Gjaku”); shpirtin rebel të banorëve të Bardhgolemit e figurat groteske të tre gjeneralëve të Barabise, njëri prej të cilëve “vret” kuçedrën, që të rridhte uji për bashkëfshatarët, por bëhet vetë kuçedër (“Gjysma”); si dhe historinë e një konflikti absurd, lindur që në gjenezë, se cila nga popullatat e krahinës, ku zhvillohen ngjarjet, ka tru në kokë e cila është vetëm brumë kungulli(“Banketi i hijeve”).
Tri romane në një, ku pasi i ke lexuar, të mbeten në mendje shumë shprehje plot domethënie, si këto: “Në Bardhgolem, burrat që janë burra, nuk pranojnë të mbajnë ndërresa të pista dhe gra të përdorura”; “Ata të Bardhgolemit kërkuan gjakun e çarçafit dhe gjetën gjakun e arkivoleve”; “Në shtëpinë ku mungon një dorë gruaje, besohet se ndryshimet vijnë vetëm nga zvetënimi”; “Kungulli po pushton botën dhe Mamaci nuk ka si të mbetet jashtë këtij ekspansioni”, etj.
Për këto tri vepra kanë shkruar me vlerësime të larta pena të shquara. Pjesë nga shkrimet e tyre botohen në libër si pasthënie. Janë aty Mehmet Kraja, Eqrem Basha, Lazër Stani, Ramadan Musliu, Ali Aliu, Remzi Lani, Linda Abazi, Arbër Ahmetaj, Tefik Çaushi, Halil Matoshi, Ismail Syla e Xhemail Mustafa. Ata i analizojnë romanet e Çelës jo vetëm në raport me krijimtarinë e autorit dhe të letërsisë shqipe, por edhe me vepra e autorë të mëdhenj të letërsisë së huaj. Dhe përfundimet e tyre janë sa orientuese, po aq të gëzueshme.
Pa pretenduar të bëj kritikën e mirëfilltë letrare, dëshiroj të theksoj disa nga mesazhet filozofike që përcjell Zija Çela në këto tri romane. Tek i pari, “Gjaku i dallëndyshes”, mesazhe të tilla përcillen gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjeve. Madje, të bëjnë përshtypje jo vetëm emërtimi i Bardhgolemit, vendbanimit ku janë skenat e ngjarjes, por edhe vetë emrat mbresëlënës të personazheve: Baltazari, doktor Zhavello, Çonda, Kondo, Ana, Shushulla, Lola, Vogël Heta, Kubat Kubati, Kovaç Kovaçi, Xhemë Kurti, etj.
Të gjithë ndërveprojnë në funksion të realizimit të një dasme, nga e cila të nesërmen synohet të provohet virgjëria (ose zhvirgjërimi) e nuses, duke e “publikuar” çarçafin e përgjakur. Mesazhi është i qartë: virgjëria vajzërore si tabu deri ditën e martesës! Për të provuar këtë, përzgjidhen edhe shoqëruesit e dhëndrit e të nuses si dëshmitarë. Siç organizohet edhe përgjimi i fshehtë okular për aktin e natës së parë.
Si njohës perfekt i së drejtës zakonore, pasi ka vëzhguar, perceptuar e përzgjedhur produktin në një zonë si Bardhgolemi, mjeshtri Zija Çela na mahnit me bukurinë e fjalës, teksa vë në gojën e personazheve shprehje të tilla:
“E shkuara është si një varrezë, ku njerëzit tërë jetën ecin në majë të gishtërinjve, nga frika se mos shkelin diçka që përbën mëkat”, (fq.75). Dhe më tej: “Ka gjasa që bash në shpirtin e burrit të gjendet varri i vërtetë i gruas!”. (fq.80) Fantazia e autorit të vë në mendime, kur sjell në vëmendjen e lexuesit zakonin, sipas të cilit: “Dhëndri gjithmonë ka pasur shoqërues burrë të martuar, nusja doemos grua të martuar. Dhe dihet përse: veç të tjerave, shoqëruesit i mësojnë ata të dy si të flenë me njëri-tjetrin natën e parë. Për të mësuar kaq gjë, vajzës i duhen njëzet ose njëzet e pesë vjet…” (fq.79-80). Teksa ngjarjet vërtiten rreth çarçafit të dëshmisë, autori na magjeps me personifikimin e burrave të Bardhgolemit, atyre që nuk pranojnë të mbajnë ndërresa të pista dhe gra të përdorura.
Kësisoj, z. Çela e vendos botën shqiptare në kthetrat e së djeshmes dhe së sotmes. Një dasmë, e cila fillon në oborr, vazhdon me vrasje, por edhe me ngritjen e të vdekurit nga karroca, ku e kishin vënë trupin e tij, për t’u rivrarë përsëri. Sepse asgjë nuk ndodh rastësisht. Edhe sikur njëmijë herë të përsëriteshin ngjarjet, thuhet në faqet e para të romanit, njëmijë herë do të ndodhte vrasja. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, autori rrëfen mjeshtërisht edhe një vetëvrasje misterioze, larg syve të dasmorëve dhe pa dëshmitar. Këtu intriga bëhet thellësisht befasuese, duke e vendosur vetëvrasjen e Çondës në dhomën e dhëndrit.
Ndaj dhe Eqerem Basha do ta konsideronte romanin “një kronikë shqiptare me një lojë të jashtëzakonshme të krimit dhe misterit, të krenarisë, sedrës, psikologjisë së shqiptarit, e thurur me mjeshtërinë e prozatorit të racës, i cili di të krijojë pamje dhe të ndërtojë personazhe, çfarë pak e ndeshim në prozën shqiptare në përgjithësi. Dasma dhe krimi, aq të afërta me njëra-tjetrën dhe aq të fisit me legjendat shqiptare, përsëri më gjerë se kaq, me përshkrime të jashtëzakonshme të personazheve, tipa të veçantë dhe krejtësisht joshabllonikë”.
Ndonëse përsëri me një kolorit të pasur e plot ngjyra, në një linjë tjetër i vendos ngjarjet e personazhet Zija Çela te romani “Gjysma e Xhokondës”. Mika (Mimika Gjoka), e fejuara e Albertit dhe mike e ngushtë e Aldos, do t’u deklarojë atyre që në fillim se është “nga ai vend, ku të vdekurit gjithmonë i shtrijnë me fytyrën nga perëndon dielli dhe të gjallët s’flenë kurrë me kokën nga varrezat”. Por gjithashtu edhe fare çiltazi: “Kaq të mirë jeni të dy, sa nganjëherë çuditem që jam fejuar vetëm me njërin”. Pas zhdukjes misterioze të kësaj zonjushe, që “në shpirtin e saj të aventurës kishte gjithnjë një ndjenjë drejtpeshimi”, do të vihen në kërkim të saj jo vetëm ata, por edhe autoritetet lokale. Me këtë intrigë tërheqëse nis romani. Dhe me peshën se kishte humbur personazhi, për të cilin “e shkuara mbetet shpesh po aq interesante dhe po aq e panjohur sa e ardhmja, megjithëse njëra është dimension i jetës dhe tjetra i vdekjes”.
Është pikërisht ndërveprimi i këtyre personazheve, së bashku me tre gjeneralët e me figura të tjera, që përbëjnë pothuajse tërë zhvillimin e ngjarjeve. Madje, nga dështimi i kërkimeve, fantazia e autorit shkon përtej ndjenjës së mëshirës kur, si t’i jetë dridhur dora, shkruan: “O Zot, mëshirë për banorët e Barabisë: këdo që kanë në krye, gjithmonë do t’ua dhjesë punët!”. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa situata zotërohej nga tre gjeneralë të vetëshpallur: gjeneral Çonda, gjeneral Bitoku dhe gjeneral Harito, me këtë titull prej graduatësh fals, të cilët natën “e bënin çiçin si kalamajtë në oturak”.
Duke përligjur botën psikologjike dhe linjën e vijimësisë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, autori i vendos herë pas here personazhet e Barabisë përballë atyre të Bardhgolemit, si në rastin e kundërvënies ndaj doktor Zhavellos. Jo pa qëllim, në Barabi gjejmë edhe Fabrikën e Letrës. Sa herë fryn era, në vendbanimin Barabi, që gabimisht i thoshin edhe Barbari, fluturojnë andej-këtej copa letrash, ku lexohen gjithfarë shënimesh. E këtë gjetje Çela e shfrytëzon gjithë elegancë jo vetëm për t’i ndezur ngjarjet, por edhe për t’i veshur me mister e mendim universal.
Si për shembull: “Tri gjëra janë të vështira për t’u njohur dhe një gjë e katërt është e pamundur të njihet. Ato janë: gjurma e gjarprit mbi gur, e zogut në ajër, e anijes në ujë dhe e burrit në gruan”. Risi në këtë roman janë edhe “Ditët e recitimit”, ku në njërën prej tyre spikat një variant tjetër i baladës së Gjegj Elez Alisë. Sipas këtij varianti, “Gjergji nuk vdes pas dyluftimit të kobshëm me Bajlozin e Zi, përkundrazi, ai vazhdon të jetojë për shumë kohë, madje një ditë arrin të ngrihet më këmbë. Veçse ajo që e ngre nuk është motra, siç thuhet në variantin e vjetër, e cila i rrinte mbi kokë dhe i ndërronte nëntë plagët, Gjergj Elez Alinë e ngre më këmbë gruaja”.
Një trill interesant ky, përkundër gjeneral Bitokut, që e kërkon lavdinë përmes lakmisë e pushtetit të dhunshëm, apo gjeneral Haritos që, me egoizmin e shfrenuar, as i verbër s’e lëshon pushtetin. E në këtë kuadër, në kuadrin e një metafore të madhe, banorët e Barabisë ndihen si përgjysmë. Ata pyesin nëse e kanë pasur dikur gjysmën tjetër të vetvetes, e kanë pasur dhe e kanë humbur, apo s’e kanë pasur asnjëherë. Prandaj nuk e njohin as Xhokondën, duke parë vetëm gjysmën e riprodhimit të saj në anë të pasqyrës te berberi Ruc Bërdaku. Sa therëse, por edhe sa e përjetshme kjo metaforë.
Pas Bardhgolemit dhe Barabisë, te “Banketi i hijeve” (fitues i çmimit “Velija”, 1999), Zija Çela na çon në Mamac, një vendbanim në skajin tjetër të së njëjtës fushë, ku ndodhen edhe dy të parët. Nga dritaret e shtëpive të mamacianëve dallohen “sokaku i deshve”, “sokaku i gjelave” dhe “sokaku i cjepve”. Autori nuk vonon që të blofojë me të famshmin kungull i madh, që mbin dhe pushton gjithë qendrën e Mamacit.
“Për Mamacin çështja e kungullit është moral mbi të gjitha moralet”. (Fq.489). Sepse, duke e ngrënë me shumë qejf, ata duan të thonë se nuk janë kryekungujt e gjenezës, njerëz pa tru janë kundërshtarët e tyre, bardhgolemasit dhe barabiasit. Madje, për armiqësinë mes tyre, autori përcjell edhe këtë kundërvënie të skajshme: “Sa herë të ndërrojë jetë ndonjëri prej jush, bashkë me atë që ka vdekur, ne do të varrosim edhe një të gjallë”. Me art përshkruhet ringjallja e Redonit dhe përpjekjet e tij për të rigjetur të ëmën, Dardanën…
Po mjeshtërisht, referuar incestit, z. Çela e mban pezull lexuesin me shprehjen proverbiale: “Mitra e vërtetë nuk është ajo që shpallet, mitra e njeriut është truri”. Kësisoj, siç e ka vlerësuar Arbër Ahmetaj: “Mamaci i Çelës është plot e përplot me jetë, me kurvëri e me hasmëri, me tregti e me festa, me idiotësi e me burg, me të marrë e me të mençur, me emigrantë të ikur e të rikthyer, me të vdekur e të gjallë, që enden herë me krye e herë pa krye, me armiq përballë, me armiqësi të vjetër sa jeta. Autori mban nën kontroll jo vetëm linjat, personazhet, por edhe detaje e gdhendje nga më të imtat, të cilat i sjell e risjell në mënyrë të befasishme për kënaqësinë më të madhe të lexuesit.
Ajo që e shndërron leximin e këtij libri në një kënaqësi të vërtetë është aftësia e shkrimtarit që të përziejë në të njëjtën materie letrare hiperbolizime fantastike me mite e rrëfenja të vjetra, që i japin shkrimit një natyrë eterike e mistike, njëherësh e këndshme për t’u lexuar dhe marramendëse si përfytyrim. Nëse vërtet nuk arrijmë ‘të dëgjojmë zhurmën që bën rruzulli i tokës, duke u sjellë në boshtin e vet’, siç i ndodh një personazhi të Çelës, e sigurt që ndiejmë gurgullimën e pastër gjuhësore dhe mjeshtërinë e një shkrimtari të madh bashkëkohor”./Panorama.al / KultPlus.com
Ata që e njohin thonë se Zija Çela e gjen gjithnjë forcën për të kërkuar gëzimin dhe për të shkruar mbi dashurinë.
Kështu e gjetëm edhe në qendrën kombëtare të librit, të festonte 75-vjetorin. Në këtë ditë të veçantë, Zija Çela na jep një mesazh të madh: të gjejmë dashurinë përtej gjithçkaje që na duhet të kalojmë duke ndarë kështu edhe ditën e trishtë të humbjes së të birit, përkthyesit Dritan Çela.
Botuesja e tij, Irena Toçi, përmes urimit ndau me miqtë e tij konsideratën e lartë që kanë për këtë autor me të cilin bashkëpunojnë prej vitesh dhe për letërsinë e çmuar që lë ai.
“Me qindra e mijëra mësues veprën tënde e kanë busull për të edukuar fëmijët e sotëm”, deklaroi ajo. Ndonëse në kushte të vështira pandemie miqtë e radhës që u bënë pjesë e kësaj feste nuk kishin ardhur duarbosh.
Zija Çela njihet si një mësues, i mirë, si një shkrimtar, por edhe kryeredaktor që në vite e vite punë nuk rresht së përcjelli pozitivitet për të rinjtë apo ata që duan të mësojnë prej tij./a2/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta me rastin e 75-vjetorit të lindjes, ka uruar shkrimtarin Zija Çela të cilin e konsideron është një personalitet i shkëlqyer i letërsisë shqiptare.
Në urimin e tij, Meta shprehet se me dinjitetin dhe fisnikërinë e lartë të krijuesit, që kurrë nuk u përkul para çdo sistemi politik, me fuqinë e talentit të rrallë, me madhështinë magjepsëse të përdorimit të gjuhës shqipe, me urtësinë dhe thellësinë e tij të mendimit, Zija Çela është një personalitet i shkëlqyer i letërsisë shqiptare.
“Një shkrimtar misionar, që ndërgjegjen e tij krijuese e mbajti gjithmonë të lidhur fort me ndërgjegjen qytetare dhe kombëtare, duke i qëndruar besnik normave të themelit të letërsisë, vlerave dhe moralit njerëzor, Zija Çela është një model frymëzimi për brezat e krijuesve të rinj dhe burim krenarie për shoqërinë tonë. Sot, në 75-vjetorin e tij, i shpreh shkrimtarit e mendimtarit tonë të madh Zija Çela, urimet më të përzemërta dhe falenderimet më mirënjohëse për veprat, që na ka lënë trashëgim. Edhe 100 pranvera të tjera, shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të reja në krijimtarinë e vyer”, shprehet Meta. /atsh / KultPlus.com
Ndonëse kanë kaluar tridhjetë vjet, si tashti më kujtohet. Ndodhi në oborrin e Lidhjes. Helena më kishte lënë një tregim për gazetën “Drita”, ku isha kryeredaktor. Pastaj foli me një zë, që sikur ia ngrohu dëshira: “Sa do të doja të më dërgoje një letër në Paris!” Me gjasë, duke dashur të shprehja ndonjë mendim, edhe unë kisha arsye për t’shkruar. Teksti më poshtë.
***
E dashur Helenë,
Nuk prita që të botohej tregimi dhe pastaj të të shkruaja. Natyrisht, gazetën me tregimin tënd do ta shohësh në ambasadën tonë, ose do ta gjesh këtu, kur të jesh kthyer në Tiranë. Kurse letrën, sipas fjalës së dhënë, po ta dërgoj në Paris.
Helenë, fjala e parë që desha të të thoja, është diçka fort e thjeshtë për matjen e distancave. Kuptohet, e kam ditur prej kohësh që largësia është gjithashtu afërsi. Këto ditë, ashtu turbullt, jam kujtuar nganjëherë për letrën që do të shkruaja dhe pata rast përsëri të bindem se, tani që je larg, e kuptoj se shpirtërisht të kam të afërt. Shumë gjëra lidhen me atë portën prej xhami që ke ti në tregimin tënd, por që duhet hapur për të shkuar te deti. Në miqësinë tonë ndoshta kanë vdekur kot shumë ditë, dhe kanë vdekur pikërisht se ajo portë nuk është hapur. Por kjo nuk do të thotë se detit nuk ia kemi dëgjuar gjëmimet dhe s’ia kemi ditur mrekullitë. Një natë vonë, duke qëndruar vetëm me veten dhe duke menduar për një njeri që e dua shumë, kam provuar diçka të çuditshme: m’u duk sikur fillova të dëgjoja atë murmurimën e padëgjueshme që shkaktonte gjaku duke qarkulluar në trupin tim. Po, nuk është se gjaku nuk na i qarkullon emrat që duam. Mirëpo, për fat të keq, zgjohemi fort rrallë dhe shpesh u ngjajmë të fjeturve.
Deshe një përshtypje për tregimin?
Ndoshta edhe ato që thashë më lart, kanë një burim prej tregimit tënd. Më pëlqeu, Helenë, është nga ato tregime që nuk kërkojnë ta vrasin njeriun, por të ngrenë të rrëzuarit. (Po të ishe këtu, do të kisha propozuar të hiqje ndonjë nënvizim të haptë nga fundi, sepse ideja të vjen si nëntekst i qartë nga i gjithë tregimi.) Natyrisht, ka kohë që Helena ka treguar se di të shkruajë, por ka kohë që gjithashtu ka treguar se di të krijojë. Ti ke krijuar artin tënd, optikën tënde, mënyrën se si u afrohesh njerëzve e sendeve, sidomos mënyrën si i prek ata. Edhe në këtë tregim unë ndjeja shijen e pendës tënde dhe zbuloja gjurmët e gishtërinjve të tu.
Proza jote është e tillë: Për ata që të njohin nga afër e që kjo njohje i ngatërron mjaft, kjo prozë i bën të përsërisin të njëjtin steriotip: “Sa mirësi rrezaton Helena kur shkruan!” Ata që nuk të njohin nga afër dhe që përbëjnë shumicën dërrmuese, mund t’i bëjë të mendojnë se në shpirtin e kësaj gruaje shkrimtare çdo gjë është vënë në rregull, pra ashtu si në shpirtin e një engjëlli, zotëron harmonia. Unë kurrë s’të kam menduar engjëll, Helenë, sepse engjëjt mund të arrijnë të të magjepsin, por kurrë nuk arrijnë të të trembin. Proza jote të tremb. Të tremb ndër të tjera ajo qetësia e fshehtë, që gjithnjë është e rreme dhe që i ngjan një xhami të madh që qëndron pezull. I bie apo nuk i bie dikujt mbi kokë ky xham, lexuesit të vëmendshëm njëlloj i duhet të presë i shqetësuar dhe të mendojë se, sado që konflikti është më tëpër i brendshëme dhe me njëfarë zbutjeje imagjinative, ekziston prapëseprapë rreziku i përgjakjes. Në përgjithësi, kur bën objekt një të kaluar, tek ti ndihet dëshira për ta restauruar atë dhe, meqë e shkuara e njeriut nuk mund të restaurohet dot, ti zgjon vetëdijen e rishikimit të asaj pjese të jetës, që njeriut i ka mbetur për të jetuar. Mirëpo edhe pse përballë “heronjve” të tu, që i zgjidhin me këtë disponim situatat e ndërlikuara, a mundet që gjithkush t’u japë përgjigje pozitive të gjitha pyetjeve dhe enigmave të së ardhmes? Ky “plani i dytë” është një arsye tjetër, arsye e brendshme arti, që proza jote i tremb disa. Me trishtimin njerëzor që ngjall e thërret për t’u bërë më i vetëdijshëm, ajo të shtyn që edhe psherëtimën të mos e konsiderojmë në çdo rast si një zë të vjetëruar. E ku di pse, nganjëherë edhe të thuash me vete: “Ah, ma chére Helena!”
Siç e sheh, nuk është pak, aq më tepër kur mjaft shkrimtarë vazhdojnë ta ngjyejnë pendën në ujë.
Tani po të le atje ku je, ndërsa buzëqeshjen tënde e kam thuajse para syve.