Fondacioni Lumbardhi vazhdon programin e 70-vjetorit të filmit LXX me “Taksisti” (Martin Scorsese) dhe “Ndjekje” (Živojin Pavlović) që e ngrisin qështjen e pashpresësisë së luftës, përcjell KultPlus.
Blloku programor i “Taksisti” të Scorsese dhe “Ndjekje” i Pavloviçit ngrisin çështjen e pashpresësisë së luftës: i pari në nivel shumë individual, duke hulumtuar traumat e pasluftës në mesin e veteranëve të luftës, ndërsa i dyti, në vend që ta lavdërojë luftën dhe heroizmin, shikon zhgënjimin dhe mungesën e shpresës së atyre që luftojnë për atdheun.
Një nga filmat më të rëndësishëm në filmografinë e Martin Scorcese, “Taxi Driver” është i njohur për interpretimet mahnitëse të Robert De Niro (Travis) dhe të 12-vjeçares Jodie Foster (Iris). Ndërsa përgatitej për rolin e saj, Foster jetoi e përcjellur nga një i varur nga kokaina për ca kohë dhe Robert De Niro merrej me thekse të perëndimit të mesëm dhe çështje psikologjike, ndërsa punoi si taksist për 2 muaj.
Duke parë Travisin, i cili nuk mund t’i kapërcejë pasojat e Luftës së Vietnamit dhe mundohet ta udhëheqe jetën e tij si taksist, kur ai rebelohet kundër botës së padrejtë, ne e identifikojmë veten me personazhin; dikush që e do vetminë, është në prag të çmendurisë dhe nuk mund të jetë pjesë e botës “normale”, por as nuk dëshiron të jetë. Teksa vizualizon tjetërsimin e individit nga vetja dhe shoqëria, si dhe djegien politike, kulturore dhe ekonomike të viteve të 70-ta në qytetin e Nju Jorkut dhe braktisjen e tij në kalbje, filmi përpiqet të shfaqë një sfidë alternative.
Me regji të një prej regjisorëve më të mirë të Valës së Zezë, Živojin Pavlović, “Ndjekje” jep një kontribut të veçantë në filmografinë e filmave partizanë të ish-Jugosllavisë, të xhiruar deri në vitin 1977. Megjithatë, në vend që ta glorifikojë luftën partizane, Pavloviç fokusohet në pakuptimësinë e luftës dhe zhgënjimin, duke filmuar vdekjen pa pushim.
Filmat e programit LXX janë përzgjedhur me kujdes nga grupi kuratorial i përbërë nga zëvendësdrejtori për kërkime dhe programe në Fondacionin Lumbardhi, Bengi Muzbeg, regjisorja, kuratorja dhe studiuesja Kumjana Novakova dhe drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari.
Programi i filmit LXX u mundësua me mbështetjen e Raiffeisen Bank Kosova, Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bashkimit Evropian.
Programi u realizua në bashkëpunim me Dokufest, Filmski Centar Sarajevo, Vardar Film dhe World Cinema Project të Fondazione Cineteca di Bologna.
Më poshtë gjeni datat e shfaqjes së dy filmave:
E premte, 15 korrik – 20:30
TAKSISTI
Martin Scorsese (1973)
E shtunë, 16 korrik – 20:30
NDJEKJE
Živojin Pavlović (1977) / KultPlus.com