Një zjarr i madh përfshin Korfuzin, evakuohen 17 fshatra

Një zjarr i madh shpërtheu pasditen e djeshme në zonën Perithia në veri të Korfuzit, një ishull grek në detin Jon.

Autoritetet kanë evakuuar 17 fshatra, ndërsa rojet bregdetare kanë shpëtuar 59 persona që ndodheshin në plazhin e Nisakut.

Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të parandaluar që flakët të arrinin në shtëpi.

”Rreth 2 500 njerëz u evakuuan nga ishulli grek i Korfuzit gjatë natës për shkak të zjarreve, theksuan zjarrfikësit.

Për arsye sigurie, banorët dhe turistët janë larguar nga zonat pranë frontit të zjarrit dhe janë transferuar në stadiumin “Agios Markos” dhe Teatrin e Korfuzit. /atsh / KultPlus.com

Zjarrfikësit në Francë po luftojnë një zjarr “përbindësh”

Më shumë se 1,000 zjarrfikës po luftojnë me një zjarr “përbindësh” në Francën jugperëndimore që ka shkatërruar tashmë rreth 7,000 hektarë (17,300 hektarë) pyll, thonë zyrtarët, shkruan BBC.

Zjarri i furishëm pranë qytetit të Bordeaux ka shkatërruar një numër shtëpish dhe ka detyruar 10,000 banorë të largohen.

“Është si një përbindësh,” tha përfaqësuesi i zjarrfikësve Gregory Allione për Radion Franceze RTL, transmeton KultPlus.

Erërat e forta dhe temperaturat e larta po vështirësojnë operacionin e shuarjes së zjarrit.

Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Austria, Gjermania, Greqia, Polonia dhe Rumania “po vijnë për të ndihmuar” Francën në luftimin e flakëve. “Solidariteti evropian në punë!” postoi ai në Twitter.

Këtë verë Franca dhe një numër vendesh të tjera evropiane kanë parë një valë zjarresh vdekjeprurëse, të shkaktuara nga temperaturat rekord dhe thatësirat në të gjithë kontinentin. /KultPlus.com

Ministria e Bujqësisë: Mos i digjni hamulloret, mos ndizni zjarre në pyje

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë thirrje sot që të mos digjen hamulloret dhe të mos ndizen zjarre në pyje.

Nga ministria bëjnë me dije se këto zjarre mund të shkaktojnë dëme në shtëpi, objekte të ndryshme e kultura të ndryshme, pyje dhe toka pyjore.

“Për shkak të temperaturave të larta është nevojshme shtimi i vigjilencës dhe marrja e masave paraprake për ndalimin e ndezjes së hamulloreve në mënyrë që të pengoni shkaktimin e dëmeve për jetën e njeriut, objekte banimi, pyje dhe toka pyjore, etj”, thuhet në njoftim.

KultPlus ju sjell postimin e plotë:

MOS I DIGJNI HAMULLORET, MOS NDEZNI ZJARRE NE PYJE

Të nderuar fermerë,

Jemi në fillimin e korrje-shirjes së grurit, ku pas korrjes së grurit disa fermerë praktikojnë t’i djegin hamulloret (stërnishtat). Përmes djegies së hamulloreve mund të shkaktoni dëme në shtëpi, objekte të ndryshme e kultura të ndryshme, pyje dhe toka pyjore duke shkaktuar dëme të mëdha dhe shpesh të pakthyeshme, siç kanë të bëjnë ato me dëme materiale dhe ndotjen e mjedisit përmes rritjes së dioksidit të karbonit në atmosferë.

Për shkak të temperaturave të larta është nevojshme shtimi i vigjilencës dhe marrja e masave paraprake për ndalimin e ndezjes së hamulloreve në mënyrë që të pengoni shkaktimin e dëmeve për jetën e njeriut, objekte banimi, pyje dhe toka pyjore, etj.

Në parcelat në të cilat nuk ekzistojnë mundësitë për ujitje, duhet të merren masa në përkufizimin e parcelës, sidomos të tokave bujqësore që kufizohen me pyje dhe pranë tyre duke bërë lërim me brazda në 2-4 rende në mënyrë që të pengohet përhapja e zjarrit në vendbanime dhe tokat përreth.

Të njëjtat parcela pas të korrave të grurit, kërkohet të merren masat agroteknike për lërimin e cektë të tyre duke krijuar kushte për dekompozimin e mbetjeve nga të korrat, e cila preferohet sidomos të zbatohet pranë vendbanimeve, pyjeve dhe tokave pyjore. Lërimi i cektë ndihmon në përmirësimin e strukturës të tokës dhe rritjen e plleshmërisë të saj.

Djegia e hamulloreve dhe mbetjeve pas korrjeve (kashta) paraqet një potencial dhe kërcënim të madh të objekteve të banimit, bizneseve, pemishteve, pyjeve dhe tokave pyjore.

Po ashtu, si pasojë e djegies së hamulloreve vjen deri tek shkatërrimi i florës dhe faunës që për habitat të tyre kanë tokat bujqësore dhe pyjore.

Këshilla për fermerë lavërtarë

Në parcela me mundësi ujitje të fillohet me lërimin e tyre dhe fitoni dy të korrura brenda vitit nga e njëjta sipërfaqe.

Kjo mundësohet sidomos pas korrjes së grurit ku mund të mbjellim kultura tjera, si: misër foragjer me vegjetacion të hershëm për silazh, perime, lakra, preshë, etj,

Mbjellja e kulturës së dytë shërben edhe për qarkullim bimor që ndikon në marrjen e rendimenteve më të larta të kulturave pasardhëse, zvogëlimin e barojave, uljen e ndikimit të sëmundjeve dhe dëmtuesve dhe pasurimin me materie ushqyese.

Këshilla për pronarët e pyjeve dhe tokave pyjore

✔️Të ndërmarrni masa preventive përmes shtimit të vigjilencës në vrojtimin, patrullimin në pronat e tyre, sidomos në rastet e shtrirjes së pyjeve në afërsi të tokave bujqësore. Gjithashtu, kërkohet që në rast zjarri në tokat bujqësore të ndërmirren hapa për shuarjen e tyre, njoftimin e institucioneve përkatëse emergjente dhe ofrimin e bashkëpunimit: Njësive të zjarrëfikëse, Policinë, Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe institucioneve tjera, si: Komuna, Autoritet Pyjore Komunale, Drejtoritë Koordinuese të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Drejtoritë e Parkut Kombëtar, Ministrinë përkatëse.

✔️Në parcelat pyjore si masë preventive këshillohet të ndërmerren masat e kultivimit të pyjeve përmes krasitjes dhe pastrimit nga degët e thata të drunjve, rrallimeve në kohën e duhur të grumbujve pyjor, hapja dhe mirëmbajtja e shtigjeve, rrugëve pyjore, hapja e brezave kundër zjarrit, pastrimin buzë rrugëve publike, hekurudhave, shtrirjes së korridoreve të largpërçuesve, mirëmbajtjen dhe rregullimin e burimeve ujore, rrjedhave ujore, krijimin e rezervuave ujor në zonat e thata, etj.

✔️Në zonat ku është i zhvilluar turizmi të ndërmerren masa në përcaktimin e vendeve për ndezje të zjarreve, vendosjen e shenjave paralajmëruese për rrezikun e zjarreve, ofrimin e kushteve dhe ujit për shuarje të zjarreve në vendet e përcaktuarat, etj.

Kujdes⚠️

Ligji për Tokën Bujqësore Nr. 02/L-26, Nenin 39, Paragrafi 1, Pika D – Inspektori është i autorizuar dhe ka për detyrë të inspektoj përveç pikave tjera edhe “zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri në rastet e djegieve të Hamulloreve nga shfrytëzuesi apo pronari i tokës bujqësore”.

Ligji mbi Pyjet Nr. 03/2003 sanksionon çfarëdo forme të ndezjes së zjarreve në pyje dhe toka pyjore, përveç nëse realizohet me leje paraprake nga Agjencia e Pyjeve. Ndërsa, në rastet e moszbatimit të dispoziatave të këtij Ligji me Nenin 36 Paragrafi 36.2 Pika C thuhet: “Çdo person mund të dënohet deri në 15,000.00 euro”. / KultPlus.com

Spanja përballet me zjarre pas temperaturave të larta

Zjarret e mëdha e kanë goditur Spanjën, shteti evropian po përballet me fillimin e verës me të ngrohtë në dekada.

Pjesë të Evropës Perëndimore kanë përjetuar nxehtësi ekstreme nën një valë ajri të nxehtë që është zhvendosur në veri nga Afrika.

Temperaturat si në Spanjë ashtu edhe në Francë kanë thyer rekorde, duke ushtruar presion mbi spitalet dhe rrjetet e energjisë. /Express / KultPlus.com

Ndërtesat historike në Cape Town shkatërrohen nga zjarri në Afrikën e Jugut

Zjarri i egër është përhapur fuqishëm në kampusin pranë Universitetit të Cape Town, pikërisht në ‘Table Mountain’, me ç‘rast është prekur edhe biblioteka historike ‘Jagger’ e universitetit, duke detyruar kështu evakuimin e qindra studentëve, transmeton BBC News, përcjellë KultPlus.

Mëngjesin e së dielës zjarri ka shpërthyer pranë një memorial për politikanin Cecil Rhodes duke shkatërruar një restorant dhe mjaft ndërtesa të tjera.

Për momentin, katër helikopterë dhe më shumë se 120 zjarrfikës janë në zonë dhe po bombardojnë me ujë flakët të cilat po përhapen shpejt për shkak të erës së zjarrit, lagështisë së ulët dhe shkurret e thata.

Parqet Kombëtare të Afrikës së Jugut kanë thënë se zjarrfikësit u njoftuan në ora 09:00 me kohën lokale dhe sipas tyre do t’u duhen të paktën tre ditë për të kontrolluar flakën.

“Të gjithë studentët e UCT janë evakuuar nga kampusi nga stafi mbështetës i shërbimeve të urgjencës”, ka thënë universiteti në Twitter. Kurse banorët e zonës janë paralajmëruar që të mbyllin dritaret dhe dyert për shkak se ajri do të ndotet me tym dhe blozë.

Ndërkohë alpinistëve në Parkun Kombëtar ‘Mountain Table’, u është kërkuar që të largohen dhe shoferëve që kanë parkuar në zonë u është thënë të mbledhin automjetet e tyre.

Sipas rrethanave, ana hetuese fillestare ka supozuar se origjina e zjarrit është shkaktuar nga një zjarr endacak i liruar. / KultPlus.com