Rreth 60 lloje të zogjve të Gërmisë prezantohen në ekspozitë

Hapet ekspozita e cila prezanton rreth 60 lloje të zogjve në Parkun e Gërmisë

“Shpendët e Parkut Gërmia” mban emrin ekspozita e cila do të hapet më 30 gusht.

Pas plotë shtatë muajsh rrugëtimi, fotografi i botës së egër, Albert Krasniqi dhe “Gërmia Park Wildlife”, do të prezantojnë fotografitë e rreth 60 lloje të zogjve të cilët jetojnë në Parkun e Gërmisë.

Data e organizimit të ekspozitës do të jetë vikendi i këtij muaji, konkretisht mes datave 30 gusht dhe 1 shtator.

Sipas njoftimit të tyre përmes kësaj ekspozite do të informohen qytetarët për numrin dhe llojet e shpezëve gjithashtu do të shërbej për vetëdijesimin e tyre për rëndësinë e botës së egër.

“Pas 7 muaj punë kemi arritur t’i identifikojmë rreth 60 lloje të zogjve në Parkun e Gërmisë (të dokumentuara me fotografi). Ky numër është mbresëlënës dhe mjaft me rëndësi për biodiversitetin e Parkut të Gërmisë, për të cilin nuk kemi pasur njohuri më herët. Ne besojmë që numri i madh i zogjve dhe puna e bërë nga ne dhe më pas e finalizuar me një ekspozitë do të ketë një efekt shumë me rëndësi për komunitetin dhe shoqërinë tonë”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook./koha.net/ KultPlus.com

Dy pulla postare me pamje të zogjve më karakteristik të Kosovës

Turitulli, Mëllenja e Gurit, Bishtlëkundësi i verdhë, Huta në pullat postare Me rastin e Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2019 – Zogjtë nacional”.

Në kuadër të këtij emisioni të pullave postare, Posta ka prezantuar Turitullin (Turtle dove), Mëllenja e Gurit, Bishtlëkundësi i verdhë, Huta (Buteo Buteo), Larashi Kurrizkuq. “Ndonëse Kosova është një vend i vogël, shquhet për një biodiversitet të pasur.

Pozita gjeografike, faktorët gjeologjik, pedologjik, hidrologjik, relievi dhe klima, janë disa prej faktorëve që kanë mundësuar krijimin e habitateve natyrore si të “Bjeshkëve të Nemuna” dhe ”Malet e Sharrit” që ofrojnë vendstrehim për shumë lloje të shpendëve. Deri më sot janë vrojtuar 148 lloje, por mendohet të ketë mbi 200 lloje. Mbrojtja e tyre ka karakter internacional, për këtë arsye “Bjeshkët e Nemuna” janë të evidencuara në listat ndërkombëtare si IBA rajon (Important Bird Area). Posta e Kosovës përmes këtyre dy pullave postare me pamje të zogjve më karakteristik të Kosovës, prezanton para botës bukuritë natyrore të faunës, si dhe promovon shtetësinë së saj”, thuhet në njoftimin e postës.