Ekoturizmi në zonat e mbrojtura në qarkun e Vlorës vitet e fundit ka njohur një rritje të numrit të vizitorëve, të cilët gjithnjë e më shumë po zbulojnë vlerat turistike të këtyre zonave.
Në qarkun e Vlorës ndodhen këto zona të mbrojtura Parku Kombëtar Detar “Karaburun Sazan”, Parku Kombëtar i Butrintit, Parku Kombëtar “Llogora”, Parku Kombëtar “Butrint”, Peizazhi i Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, Parku Natyror Porto Palermo, Syri i Kaltër dhe Parku Natyror Karaburun.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-tetor këto zona të mbrojtura u vizituan nga 761 080 vizitorë”.
“Ajo që bie në sy gjatë këtij viti është numri i madh i vizitorëve të huaj, ku në 10 muaj këto zona u vizituan nga 467 813 të huaj dhe 293 267 vendas”, tha AdZM Vlorë.
Ndër më të vizituarat në këto 10 muaj është Parku Natyror “Syri i kaltër”, i cilësuar si perla e turizmit veror.
“Në periudhën janar-tetor ky park u vizitua nga 258 774 vizitorë, nga të cilët 177 777 të huaj dhe 80 997 vendas”, bën të ditur AdZM Vlorë.
Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror, duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.
Një tjetër zonë e mbrojtur që ka shënuar numër të lartë vizitorësh është Parku Kombëtar i Butrintit.
“Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëravjeçare ngjall kuriozitetin e turistëve nga vende të ndryshme të botës. Në janar-tetor Parku Kombëtar Butrint u vizitua nga 195 216 vizitorë, nga të cilët 51 823 vendas dhe 143 393 të huaj”, tha AdZM Vlorë.
Vitet e fundit zonat e mbrojtura të qarkut Vlorë po promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit gjatë periudhës janar-tetor 4.9 milionë vizitorë janë shënuar në zonat e mbrojtura, që nga parqet kombëtare, parqet natyrore e deri te monumentet e natyrës në të gjithë vendin./atsh/ KultPlus.com