Mbi 2 milionë turistë vizituan zonat e mbrojtura të Shqipërisë nga janari

Jo vetëm për turizmin bregdetar, vizitorët shfaqin interes edhe për turizmin e natyrës, i cili po njeh rritje çdo vit e më shumë, dhe këtë e tregojnë shifrat.

Nga janari i 2024-ës, e deri në korrik, pati 2.5 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura, ose 28 për qind më shumë se shtatë mujori i 2023, i cili regjistroi 1.9 milion, shkruan tvklan.al.

Qarku i Shkodrës mban vendin e parë sa i takon numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura me 609 mijë, ndjekur nga Korça me 573 mijë dhe Qarku i Fierit me 359 mijë.

Ndërsa sa i takon zonave të mbrojtura më të frekuentuara, ato që kryesojnë janë Alpet e Shqipërisë, me 91 mijë vizitorë, ndjekur nga Liqeni i Ohrit në Pogradec me 74 mijë dhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me 67 mijë. Nuk mbeten pas as Syri i Kaltër, Lugina e Shalës dhe Liqeni i Shkodrës. Më pak të frekuentuara janë Mali i Dajtit, Parku i Qafshtamës, Prespa dhe Parku Kombëtar i Vjosës.

Zonat e mbrojtura, 2,5 milionë vizitorë në 7 muaj

Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se 2,5 milionë vizitorë shijuan nga afër zonat e mbrojtura gjatë muajve janar-korrik 2024, ose 28 % më shumë se një vit më parë, ku numëroheshin 1,9 milionë vizitorë.

Sipas Kumbaros, kjo shifër është tregues i rritjes së turizmit të qëndrueshëm, interesit për ekoturizmin, sportet e natyrës dhe kuriozitetin për të të njohur biodiversitetin tonë.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ka një interes të rritur për të eksploruar parqet kombëtare e natyrore, monumentet e natyrës e peizazhet e mbrojtura nga veriu në jug, ku vendin e parë e mban qarku i Shkodrës me 609 mijë vizitorë”.

Ndër qarqet e tjera më të vizituara janë Korça me 573 mijë vizitorë, Fieri me 359 mijë vizitorë, Vlora me 313 mijë vizitorë, Durrësi me 212 mijë vizitorë, Tirana me 92 mijë vizitorë.

Ndërsa ndër parqet më të vizituara gjatë korrikut janë Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë me 91 mijë vizitorë, Peizazhi i Mbrojtur Liqeni i Mbrojtur Liqeni i Pogradecit me 74 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me 67 mijë vizitorë, Parku Natyor Syri i Kaltër me 65 mijë vizitorë, Parku Natyror Lugina e Shalës me 37 mijë vizitorë, Rezervati Natyror i Menaxhuar Liqeni i Shkodrës me 40 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Mali i Dajtit me 15 mijë vizitorë, Parku Natyror i Qafë Shtamës me 13 mijë vizitorë, Parku Kombëtar i Prespës me 11 mijë vizitorë, Parku Kombëtar lumi i Vjosës dhe 10 mijë vizitorë.

Parqet kombëtare në Shqipëri janë kthyer në të preferuarat e turistëve vendas dhe të huaj duke nxitur turizmin gjithëvjetor. Përveç bukurive bregdetare, Shqipëria ofron edhe një peizazh dhe klimë mjaft të mirë që i krijon vizitorëve mundësinë e eksplorimit të vendeve të ndryshme./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Zonat e mbrojtura, oazet më të larmirshme të biodiversitetit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka uruar sot Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit me një shumëllojshmëri bimësh që rriten në vendin tonë, nga veriu në jug.

“Një buqetë lulesh të mbledhura nga zonat e mbrojtura prej veriut në jug, që janë oazet më të qeta e të larmirshme të biodiversitetit në Shqipëri, në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit”, shkruan Kumbaro në postimin e saj në rrjetet sociale.

Kombet e Bashkuar shpallën 22 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, të shumëllojshmërisë biologjike.

Zonat e mbrojtura, tashmë janë habitate të qeta dhe të sigurta, ku fauna shtohet e pasurohet në vazhdimësi.

Ligatinat bregdetare dhe liqenet brenda vendit janë zona veçanërisht të rëndësishme për dimërimin e llojeve migratore.

Vendosja e moratoriumit të gjuetisë ishte një iniciativë që me gjithë qëndrimin kundër të gjuetarëve e rriti ndjeshëm numrin e kafshëve të egra apo zogjve shtegtarë, madje edhe të atyre në rrezik zhdukjeje në Zonat e Mbrojtura, duke sjellë në vendin tonë disa nga llojet e shpendëve më të rrallë në botë.

Si pasojë e moratoriumit të gjuetisë, në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë është rritur numri i shpendëve të ujit, ku flamingot i gjejmë në këtë park si asnjëherë më parë.

Shtim të llojeve të faunës së egër kemi edhe në Kune-Vain; në Liqenin e Shkodrës, në Nartë, Butrint, Orikum, Patok, në Karpen, Seman dhe në liqenin e Tiranës.

Pasuritë natyrore, bukuria e krahinave dhe pyjeve shqiptare janë kthyer edhe në një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj ku kanë mundësi të vëzhgojnë kafshë dhe shpendë të rrallë qëllon t’i hasësh në përditshmëri./ atsh / KultPlus.com