Koncert i munguar në Kosovë, “Zonjat e kangës” një mbrëmje mrekulli nga Edona Reshitaj



Qendrim Badalli

“Jam shumë e privilegjuar që sonte para jush do të shpalosim një repertor me këngë që janë kënduar nga zërat më të spikatur femëror”, kjo fjali përshëndetëse e thënë nga aktorja dhe këngëtarja, Edona Reshitaj, përmblodhi dedikimin e koncertit recital të saj, nderimin e “Zonjave të Kangës” ndër breza, teksa dedikimi personal shkonte për nënë e saj, shkruan KultPlus.

Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës si rrallë herë ishte e stërmbushur. Pasi u zunë të gjitha karriget, pjesa e mbetur e publikut vendosi të qëndronte në këmbë, për ta parë e dëgjuar performancën e Edona Reshitaj në koncertin “Zonjat e Kangës”. Edona Reshitaj si zë i njohur për publikun si dhe natyra e koncertit, ishin me gjasë dy arsyet që garantonin suksesin e natës së mbrëmshme.

Dritat u fikën dhe Edona doli në skenë.

Para çdo interpretimi të këngës, Reshitaj u përkujdes ta prezantonte shkurt “Zonjën” e këngës, pra autoren e saj, apo të tregonte ndonjë lidhje emocionale që ajo kishte me të apo këngën e saj. Emocionet e saj kulmuan kur erdhi radha për prezantimin e bilbilit të Kosovës, tashmë të ndjerën, Nexhmije Pagarushën, dhe interpretimin e këngës së saj “Zani i tij më thërret”.

Se Edona Reshitaj nuk është vetëm këngëtare por edhe aktore ishte qartazi e vërejtshme nga performanca e saj. Ajo këndonte me shumë emocione por njëkohësisht interpretimit të saj dukej se po i jepte edhe më shumë peshë vallëzimi i saj pothuajse gjatë gjithë kohës. Lëvizjet ishin të lehta, spontane, por me shumë takt dhe me shije artistike. Gjithçka ishte live, gjithçka po përjetohej. Një pjesë e madhe e publikut ose incizonte ose duartrokiste, ose thjeshtë po lëviznin në vend, një frymë energjike përcolli gjithë koncertin.


E përcjellur nga muzikantët: Visar Kuqi, Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, Art Lokaj, Dukagjin Muhaxheri, Ermal Rodi, Roni Gjura si dhe Rajkard Bardhi, këta dy të fundit mysafir nga Shqipëria, Edona Reshitaj, këndoi këngët emblematike shqiptare si: ‘Fëmija i Parë’ e kënduar nga Vaçe Zela, ‘Zare Trëndafile’ e kënduar nga Tefto Tashko, ‘Fërfëlloi Fëllanxa n’Ujë’ e kënduar nga Fitnete Rexha, ‘Unë ty moj të kam dashtë’ e kënduar nga Marie Kraja, ‘Zani i tij më thërret’ e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, ‘Flokët e Gocës’ e kënduar nga Hanife Sejfulla Reçani, ‘O Zambak i Prizrenit’ e kënduar nga Lirina Cavolli, ‘Doli Goca në penxhere’ e kënduar nga Merita Haliu dhe ‘Moj Zogo/ Shega Guracake’ të kënduara nga Nazmije Hoxha.

Këto qenë nëntë këngët, teksa e dhjeta ishte një moment tjetër.

Kur u bë gati ta këndonte këngën e fundit të koncertit, Edona Reshitaj, u përkujdes që ta falënderonte, Pranvera Badivukun, e cila e kishte kompozuar këngën ” E kujtoj atë takim” si dhe një numër të madh këngësh tjera. Reshitaj, ftoi në skenën edhe koleget e saj, mysafiret speciale të koncertit: Ilire Vincën, Shengyl Ismailin, Rebeka Qenën, Semira Latifin, Qendresa Kajtazin, Edona Spoajn, Rabije Kryeziun, Kaltrine Zenelin si dhe Daniela Markajn. Këto së bashku kënduan dhe i dhanë fund koncertit recital, i cili u duartrokit me minuta të tërë në përfundim të tij.

Në një intervistë për KultPlus, protagonistja e mbrëmjes, Edona Reshitja, shprehu emocionet e saj të para pas koncertit.

“Po ndihem shumë e lumtur që e realizova këtë koncert. Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme, kam punuar shumë gjatë për këtë projekt. Jam shumë e lumtur që muzikën që e ndjeja se e kam lënë anash e riktheva me një projekt të madh dhe me një kastë të mrekullueshëm të muzicientëve dhe me një kauzë të rëndësishme siç ishte kjo për nderimin e “Zonjave të Kangës”.

Reshitaj, ka treguar shkurt edhe për vlerësimin e të tjerëve dhënë asaj për koncertin që veç sa e kishte përfunduar.

“Komenti i të gjithëve ishte ‘na ke kënaq’, thash me vete po ndihem shume mirë, sepse ndihem njëmend shumë mirë prej Zotit që ma ka dhënë këtë mundësi që t’i kënaqi të tjerët, t’i bëjë të lumtur dhe ky profesion është human pikërisht për këtë punë”

Shengyl Ismaili, në një intervistë për KultPlus, e ka quajtur fantastike Edona Reshitajn.

“Jam ndje shumë mirë që isha pjesë e këtij koncerti, me muzicientë kaq të përzgjedhur dhe me një soliste dhe këngëtare kaq fantastike siç është Edona.”

Ajo foli edhe për performancën e saj në këngën e fundit.

“Për mua ishte hera e parë që dola në grup për të kënduar dhe kisha frikën sa mos e dëmtoja Edonën, por gjithçka shkoi me suksese”.

Pas përfundimit të koncertit, mes shumë vlerësimesh, Edona Reshitaj po e përfundonte ‘natën e saj’ me shumë fotografi e përqafime me miq e të pranishëm aty. / KultPlus.com

Edona Reshitaj sjell ‘Zonjat e Kangës’

Të mërkurën e 26 shkurtit të këtij viti, Edona Reshitaj do të prezantojë Koncert/Recitalin “Zonjat e Kangës”.

Ky koncert i dedikohet figurave më të spikatura femërore të muzikës shqipe mbarshqiptare të cilat kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në muzikën shqipe.

Përmes këtij koncerti i cili do të shoqërohet me një repertuar të larmishëm te këngëve nga Zonjat e muzikës, me përpunime dhe aranzhmane të veçanta, do të gërshetohen me finesë tradicionalja në ritmet e muzikes jazz, duke  gërshetuar me finesë “të vjetrën” me “modernen” dhe duke shkrirë folklorin dhe tradicionalen në ritmet e Jazz-it.

Kitara, Kontrabasi, Pijanoja, Bateritë, Trumpeta, Klarineti dhe Saxafoni, do të lundrojnë nëpër ujrat e pastërta të melosit tone.

“Zonjat e Kanges”, është projekt, ku qëllimi kryesor është:

Të nderojë Zonjat e Kanges, për gjithë punën, mundin, sakrificën dhe rolin e rëndësishëm që kanë pasur në muzikën shqipe, duke na lënë një trashëgimi të çmuar kulturore.

Të jetë një dhuratë e bukur pikërisht për ditën e gruas, atë të 8 Marsit, duke potencuar rolin e femrës si grua, si nënë, si artiste apo thënë shkurt si një qenie të jashtëzakonshme njerëzore.

Të inkuadrojë të rinjët në njohjen e këtyre këngëve dhe nxitjen e dashurisë për to.

Të kontribuojë në përkrahjen e çasjeve të reja nga gjenerata e re e artistëve

Muzikantët nga Kosova dhe Shqiperia: Visar Kuci – Kitarë, Nesim Maxhuni – Bateri, Roni Gjura – Kontrabas, Ermal Rodi  Klarinetë/Saksofon Tenor, Fatjon Miftaraj – Piano, Art Lokaj- Kitare elektrike, Dukagjin Muhaxheri- Saksofon, Rajkard Bardhi- Trumpete

Mysafirë specialë, aktoret e mirënjohura: Ilire Vinca, Rebeka Qena, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Qendresa Kajtazi, Edona Sopaj, Rabije Kryeziu, Kaltrine Zeneli dhe Daniela Markaj.

Përpunimin e këngeve e bëri Edona Reshitaj. Aranzhmanin e këngëve e bëri Visar Kuçi. Përpunimin e zërave në kor i bëri Trimor Dhomi. Fotografitë Arton Humolli, Dizajnin Besart Sllamniku. Kostumet Yllka Brada.

Ky koncert do të mbahet ne Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, prej orës 20:00h. / KultPlus.com