Osmani për dënimin e serbit për dhunim gjatë luftës: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar mbi dënimin me 10 vjet burgim të policit serb Zoran Vukotiq për dhunim gjatë luftës.

Në reagimin e saj, presidentja Osmani dënimin e Vukotiq e ka quajtur një përparim të rëndësishëm, pasi për herë të parë një polic serb është dënuar për përdhunim gjatë luftës në Kosovë.

“Një përparim domethënës sot – për herë të parë, një polic serb është dënuar për përdhunim gjatë luftës. Por mos të harrojmë se drejtësia e vonuar është e drejtësi e mohuar. Ne kemi nevojë për përgjegjësi dhe drejtësi për mijëra gra të tjera kosovare që nuk e kanë marrë ende atë”, shkroi Osmani në Twitter, përcjell KultPlus.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj një gruaj shqiptare në Komunën e Vushtrrisë. Ndërkaq, ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë nga gjykatat vendore. / KultPlus.com

Themelorja sot shpall Aktgjykimin për Zoran Vukotiqin, akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë sot do të shpallë Aktgjykimin për Zoran Vukotiqin i cili akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka njoftuar se përmes shërbimeve rehabilituese që ofron, ka fuqizuar të mbijetuarën në kërkesën e saj për drejtësi, si dhe ka iniciuar rastin.

“Gjithashtu, QKRMT ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe me vetë viktimën. Përveç ofrimit të rregullt të shërbimeve psiko-sociale, QKRMT ka asistuar dhe mbështetur viktimën në të gjitha etapat e procesit hetues dhe gjyqësor. Si organizatë e cila për më shumë se dy dekada ofron mbështetje psiko-sociale për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, QKRMT mandat parësor vazhdon ta ketë drejtësinë për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale”, thuhet në njoftim.

Aktgjykimi do të shpallet nga ora 13:15.

Sipas aktakuzës së ngritur Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore./ KultPlus.com