KultPlus, realizoi sot një intervistë të shkurtër me regjisorin Idrizi, i cili vjen për herë të parë si regjisor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ai tha se ndihet i kënaqur të bashkëpunoj me një ekip të tillë veçmas me këtë brez të ri të aktorëve të cilët ai i quan bartës të frymës së re në teatër.
Gili Hoxhaj
“Zoti i Masakrës” me tekst të Yasmina Reza dhe me regji të Besfort Idrizi, është premiera e radhës në Teatrin Kombëtar të Kosovës e cila vjen në fund të këtij viti, në skenën e vogël.
Tashmë ka dhjetë ditë kanë filluar përgatitjet për këtë shfaqje e cila do të jetësohet përmes lojës së aktorëve May-linda Kosumoviq, Donikë Ahmeti, Shpëtim Selmani dhe Labinot Raci ndërsa në përbërjen e këtij ekipi janë edhe skenografi Enes Deari dhe kostumografi Ines Golia nga Shkupi.
KultPlus, realizoi sot një intervistë të shkurtër me regjisorin Idrizi, i cili vjen për herë të parë si regjisor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ai tha se ndihet i kënaqur të bashkëpunoj me një ekip të tillë veçmas me këtë brez të ri të aktorëve të cilët ai i quan bartës të frymës së re në teatër.
Kjo shfaqje trajton një problem universal që lidhet me përballjen dhe zgjidhjen e problemeve ndërsa ngjarja ngërthen në vete takimin e dy prindërve për ta zgjidhur një problem lidhur me një zënkë të fëmijëve të tyre kurse ky takim përfundon me një zmadhim edhe më të madh të këtij problem nga vet prindërit.
Regjisori Idrizi tregoi për KultPlus, se ideja e punimit të këtij teksti i kishte lindur shumë më herët. Ai tregon se fillimisht këtë projekt ka dashur ta prezantoi në Maqedoni, pasi që, ka qenë i nxitur nga konfliktet në baza etnike që ndodhnin atje.
“Këtë tekst kam dashur ta punoj para disa viteve në Maqedoni, shkaku i gjendjes që ishte atje pasi që kishte rrahje në baza etnike. Pra, para disa viteve ndodhnin rrahje mes nxënësve shqiptar dhe maqedonas ndërsa ky problem mbeti përherë i pazgjidhur. Problemi nganjëherë shuhej apo merrte përmasa edhe më të mëdha por në të vërtetë nuk kishte gatishmëri nga asnjëra anë për t’i dhënë fund atij problemi, pra as nga ana e prindërve e as nga institucionet shtetërore”, shpjegoi regjisori.
Duke qenë se kjo shfaqje e sjellë për herë të parë Besfort Idrizin, në rolin e regjisorit brenda Teatrit Kombëtar të Kosovës, ai e përshkruan realizimin e kësaj shfaqje një sfidë të re për të.
“Çdo shfaqje është një sfidë e re, një shqetësim i ri por ardhja ime për herë të parë si regjisor në një mjedis tjetër është një barrë më e madhe, pasi që, edhe pritjet janë më të mëdha”, ka thënë ai.
Besfort Idrizi poashtu tregoi se kjo do të jetë një shfaqje e varfër sa i përket elementeve brenda skenës, duke i lënë kështu më shumë hapësirë lojës së aktorëve.
“Ky ishte një koncept i imi apo një sfidë e re për mua që shfaqja të mos jetë e ngarkuar me shumë elemente teatrore por të bazohet më shumë në lojën e aktorëve, shfaqja do të ketë skenografi dhe kostumografi por nuk do të ketë muzikë, koreografi apo ndonjë element tjetër shtesë”, është shprehur regjisori duke përfunduar të thotë se shfaqja premierën do ta ketë në pjesën e dytë të muajit dhjetor. / KultPlus.com