Pianistja Zoya Shuhatovic në përmbylljen e edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest: Ishte sikur kur të hapet një dritare dhe të hyn drita brenda në jetë

Era Berisha

Edicionin e tij të 11-të, festivali Chopin Piano Fest e përmbylli mbrëmë me një interpretim nga pianistja amerikane Zoya Shuhatovic, e cila para publikut solli tingujt romantik të kompozitorëve botërorë si: W.A.Mozart, P.I Tchaikovsy dhe F.Chopin. Këto vepra të cilat përmes melodive shpalosën shprehjen thelbësore të artit emocional ku ritmi dhe dinamika e performanacës erdhën si një trokitje në derë të shpirtit të pranishëm që u ndërlidh butësisht me strofullën e zemrës si një gajtan i hollë, shkruan KultPlus.

Dy organizatoret e këtij festivali, drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lelja Pula si dhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ishin ata që hapën natën e mbrëmshme me disa fjalë rasti. Kurti përgëzoi festivalin, organizatorët, artisten mysafire dhe ofroi mbështetje më të qëndrueshme në të ardhmen për skenën e pavarur kulturore në Kosovë. Ndërsa, Luzha dhe Pula i uruan të pranishmëve një natë të këndshme.

Po ashtu, një falënderim të posaçëm për realizimin e këtij festivali dhe bashkëpunimin kulturor në mes të dy vendeve shprehu edhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Foleja e interpretimeve pianistike të këtij festivali përgjatë një muaji të suksesshëm, ishte hapësira e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Andaj, mbrëmë ishin dy reflektorët e bardhë që vunë në pah shpejtësinë e gishtërinjve të pianistes e cila me një pamje që vezullonte nga koka e deri tek këmbët, para publikut doli me një nivel të lartë të besimit në vetvete. E kjo u dëshmua kur qetësia absolute që pasonte në sekondat e para të performimit, tronditi atmosferën papritmas në një dridhje muzikore që depërtoi tek të pranishmit qysh në fillim me veprën e titulluar ”Fantasia C minor K475” nga kompozitori W.A.Mozart.

Hapi ritmik i harmonive, meloditë e lehta e të rënda, tingujt qetësues e të lëmuara si dhe teknika fleksibile e rafinuar dhe e ashpër, ishin këto veçantitë e pianistes e cila mbrëmë me një vendosmëri të dukshme, krijoi një urë lidhëse të tejdukshme mes të pranishmëve, ndjenjat e së cilëve drithëroheshin nën përleshjen e harmonive mahnitshëm të dhuruara nga performanca e Shuhatovic.

Trajtimi i instrumentit bardh e zi nga dy duart e pianistes, erdhi në një mënyrë që së bashku me uljen e saj në buzë të stolit, ngushtica e shpinës, krahët e saj të relaksuar që nganjëherë çlodheshin dhe ngriheshin lart kur përdorte tërë forcën e saj, pianistja solli ledhatinë e egër të tingujve romantik që po pushtonin hapësirën vazhdimisht e që njëkohësisht dhuroi iluzioni se në fakt ishin lëvizjet shpirtërore që vinin nga brendësia e saj, të cilat flakëruan mbi çelësat e pianos.

Shuhatovic përgjatë dy orë interpretimi, me një mirëdashje mbrëmë ka puthur çdo notë deri në një përsosmëri e performuar në një mënyrë që pulsonte gjatë tërë mbrëmjes. Me çdo tundje të lehtë të kokës së saj, shpirti i saj dilte në pah për të luajtur me emocionet e të pranishmëve duke i pushtuar ata me luhatje të melodive dhe copëza talenti që kur bashkoheshin së bashku tejkalonin dhuntinë që veçse ekzistonte brenda saj.

Pas gjithë kësaj performance spektakolare të pianistes, duartrokitjet e brohoritjet kishin zënë vendin e tyre në atmosferë. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë e duke e rikthyer pianisten në skenë për disa herë radhazi. Ky interpretim ishte më se i duhur e i domosdoshëm për talentin e rrallë që Shuhatovic kishte pritur shumë gjatë që ta sjell tek ne.

Po ashtu, mbrëmë u shpall edhe Çmimi Special i Chopin Piano Fest, çmimi tradicional që iu nda pianistes së re Lisa Sahatqiut ku juria profesionale e përbërë nga pianistja Ardita Statovci dhe Zoya Shuhatovic kishte marrë këtë vendim pas vlerësimit të performancës së tre pianisteve të reja që aplikuan në këtë garë si: Elsa Gashi, Lisa Sahatciu dhe Melisa Ibrahimi.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth performimit të saj, për KultPlus foli pianistja Zoya Shuhatovic.

“Jam e lumtur. Kjo është gjëra më e rëndësishme që mund të them pas më shumë se një viti në qetësi të plotë e ku nuk kam luajtur asgjë. Ishte sikur kur të hapet një dritare dhe të hyn drita brenda në jetë, sikur kam rimarrë fuqinë për jetën time”, ka thënë Shuhatovic.

Sipas saj, ajo ka dëshiruar shumë që të marrë pjesë në këtë koncert por nuk ka funksionuar që dy herë që ajo ka tentuar e tash për herë të tretë ajo po ndjehet shumë e lumtur dhe e entuziazmuar që kjo u bë e mundshme.

“Njerëzit janë shumë të mirë dhe të shoqërueshëm këtu dhe ata gjithmonë duan që të të mbështesin e të të ndihmojnë. Kjo është një ndjesi shumë e mirë”, ka thënë Shuhatovic për KultPlus.

Për Shuhatovic, ‘Dumka’ dhe ‘Sonata’ janë veprat me të dashura të saj por që nuk mund ta definoj arsyen pse.

“Zemra ime është e bashkangjitur me këto vepra dhe i ndjej shumë më shumë se sa pjesët e tjera. Një artist nuk mund të shpjegoj se pse dashuron muzikën”, thekson ajo.

Ndërsa, drejtoresha artistike Lelja Pula, për KultPlus foli rreth emocioneve të cilat ajo po i ndjen pas një përmbyllje kaq të suksesshme të edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest.

“Edicionin pas pandemisë e filluam me shumë rezerva pasi që ishte festivali i parë pas kësaj që ngjau për një vit e gjysmë. Kemi përgatitur një program jashtëzakonisht voluminoz me 10 mbrëmje soliste nga artistë ndërkombëtar jashtëzakonisht të mirë dhe të njohur pastaj katër mbrëmje me mbi 50 studentë dhe një ditë të tërë me mbi 60 nxënës nga të gjitha shkollat e muzikës në Kosovës”, thotë Pula.

Sipas saj, për të është jashtëzakonisht me rëndësi që gjithë artdashësit të ndeshen me vlera kulmore artistike e ky është një mision i saj për të cilin ajo mendon se është shumë i rëndësishëm për shpalosjen e vlerave nga të gjitha anët e botës në skenën e Prishtinës, në skenën e ‘Chopin Piano Fest-it’.

“Mendoj se vërtetë duhet të ndihemi që jemi pjesë e botës kulturor-muzikore evropiane dhe botërore dhe që kemi vlera pasi që ne kemi shumë talent, një shkollë pianistike që funksion por edhe jemi një shtet i ri i cili ka shumë sfida dhe ballafaqohet me probleme të jashtëzakonshme. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se në mungesë të sallës koncertale, ne improvizojmë, por besoj që ia dalim falë entuziazmit të madh dhe mirënjohjes së madhe që marrim nga publiku”, përfundon Pula për KultPlus.

Kështu, i erdhi fundi edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest, që për një muaj të tërë, suksesshëm na dhuroi muzikë klasike me veprat më të bukura nga kompozitorë të njohur dhe pianistë të talentuar nga e tërë bota që vendosën të shpalosin talentin e tyre pikërisht në qytetin e Prishtinës. / KultPlus.com