Kryeministri Kurti në Zvicër: Serbia gjithmonë do të jetë rrezik për Kosovën dhe vendet fqinje që i pengojnë projektit të ‘botës serbe’

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ishte i ftuar për një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti trajtoi edhe raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, raporton Gazeta Express.

Ai foli për refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj të zbatimit dhe nënvizoi shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë të cilat kulmuan me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bqrnabiq dërguar Bashkimit Europian në të cilën thuhet se Serbia nuk do të respektojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që praktikisht nënkupton tërheqje nga Marrëveshja Bazike dhe parimet themelore të saj.

Kurti për Serbinë tha se “përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit”.

“Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”.

Kurti atje tha se Moska do të jetë e para që do t’i bashkohet këtij “kori përçarjeje dhe shkatërrimi”.

“Rusia por edhe Kina kanë zgjeruar ndikimin e tyre në rajon, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Rusia përdor lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar fuqinë e saj, duke i bërë thirrje shpirtërores së thellë të popullit serb, i cili është i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar ndikimin e saj. Këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe krijojnë një pengesë të fortë kundër përparimit demokratik”.

Ai tha se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore të mbesin të ankoruar në bashkësinë europiane të vlerave.

“Ky angazhim nuk ka të bëjë vetëm me rritjen ekonomike – ka të bëjë me ruajtjen e demokracisë dhe lirisë. Ne parashikojmë që Ballkani Perëndimor të rritet si një pjesë e qëndrueshme, sovrane dhe plotësisht e integruar e Europës – jo si një tabelë shahu gjeopolitike për fuqitë e jashtme. Ballkani Perëndimor në Europë. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE, është Bashkimi Europian ai që bëhet Europë”.

‘Kino Kosova’ vjen me edicionin e pestë në Bern të Zvicrës

Edicioni i pestë i festivalit të filmit ‘Kino Kosova’ do të mbahet në Bernë nga 11 deri më 15 shtator. Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali i këtij viti përqendrohet në temën “Contemplating” – “Përsiatje”, duke shfaqur filma nga Kosova dhe diaspora e saj në kinematë e Bernës.

Sivjet në ‘Kino Kosova’ do të shfaqen mbi 30 filma, duke ofruar një program të larmishëm dhe atraktiv.

Bosnja dhe Hercegovina është shteti mysafir këtë edicion në bashkëpunim me Sarajevo Film Festival dhe Shoqatën e kineastëve nga Bosnje dhe Hercegovina, dhe me një program të veçantë me filmat e shkurtër zviceranë në bashkëpunim me Festivalin e Filmit të Shkurtër nga Winterthur (Kurzfilmtage Winterthur).

“Përveç shfaqjeve të filmave, pjesëmarrja e artistëve do të jetë e lartë dhe do të ketë panel diskutime, ku audienca do të ketë mundësinë të thellohet në tema të ndryshme së bashku me kineastët dhe artistët. Midis tyre, një panel do të eksplorojë artin e filmave të shkurtër, ndërsa një tjetër do të shqyrtojë fuqinë transformuese të festivaleve të filmit në shoqëritë e pasluftës. Gjithashtu, festivali ka kënaqësinë të mirëpresë dy artiste nga Kosova, Blerta Hashani dhe Lumturie Krasniqi, të cilat po marrin pjesë në një rezidencë artistike në qendrën kulturore PROGR në Bernë përpara se të prezantojnë punën e tyre gjatë festivalit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të festivalit.

Gjithashtu, festivalit do t’i shtojnë ngjyra muzikore edhe artistja shqiptare Linda Rukaj dhe kuarteti i saj.

Federata e Futbollit e Zvicrës reagon pas tërheqjes së Shaqirit

Federata e Futbollit e Zvicrës ka dalë me njoftim pas tërheqjes së Xherdan Shaqirit nga përfaqësuesja helvetike e futbollit. Federata e Futbollit e Zvicrës ka falënderuar Shaqirin për kontributin e dhënë për fanellën e Zvicrës.

“Dëshirojmë t’u falënderojmë shumë për paraqitjet e shumta të paharrueshme, për golat dhe asistimet e mrekullueshme në përfaqësuese dhe ju dëshirojmë të gjitha të mirat dhe shumë suksese në të ardhmen. Ju me lojën dhe golat tuaj keni prekur dhe pushtuar zemrat tonë dhe të tifozëve”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Zvicrës.

Shaqiri bëri debutimin e tij për Zvicrën në mars të vitit 2010 në miqësoren kundër Uruguait në St. Gallen. Ai shënoi golin e tij të parë gjashtë muaj më vonë në St. Jakob-Park të Baselit në humbjen 3:1 kundër Anglisë. Kundër të njëjtës përfaqësuese, ai dha një emocion të jashtëzakonshëm gati dhjetë ditë më parë, kur si zëvendësues në çerekfinale të “Euro 2024”, në minutën e 118-të goditi traversën nga gjuajtje e lirë.

Shaqiri luajti për Zvicrën në Evropianin e Gjermanisë dhe ka shënuar golin e barazimit 1:1 në ndeshjen e fazës grupore kundër Skocisë.

Ky gol e bëri Shaqirin lojtarin e vetëm që ka shënuar të paktën një gol në çdo Botëror dhe Evropian që nga viti 2014.

“Një pjesë e madhe e historisë së Zvicrës shoqërohet me Shaqirin. Mesfushori sules ka qenë njeriu i momenteve të veçanta në vitet e fundit”, shkruan në shkrimin e federatës zvicerane të futbollit. Me 123 ndeshjet e tij, Shaqiri është lojtari i dytë i Zvicrës me më së shumti paraqitje pas Granit Xhakës. Por Shaqiri është i pakrahasueshëm kur bëhet fjalë për golat e Zvicrës në finale. Ai shënoi dhjetë herë në Kampionatin Botëror dhe Evropian.

Diaspora shqiptare e Zvicrës, dhuratë një shtatore të Skënderbeut arbëreshëve në Hora të Italisë

Shoqata “Hora e Skënderbeut” në Zvicër, ka marrë iniciativën për t’u dhuruar shtatoren e Skënderbeut arbëreshëve të Italisë dhe për këtë më datë 13 prill 2024 në Kriense të Lucernës u mbajt një koncert me grupe kulturore-artistike shqiptare.

Motoja “Skënderbeu na bashkon” mblodhi në këtë aktivitet 16 grupe kulturore-artistike shqiptare që veprojnë në Zvicër.

Në këtë aktivitet mori pjesë ambasadori i Republikës së Shqiptarisë në Bernë, Mustafa Nano, sekretari i parë i Ambasadës, Valon Gashi, konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zyrih, Vigan Berisha, mësues e veprimtarë.

Ambasadori Nano në fjalë e tij përshëndetëse, duke i përgëzuar për këtë iniciativë dhe siguruar mbështetjen e plotë të Ambasadës, theksoi se, përtej të gjithave, fakti që shqiptarët e Zvicrës, kujtohen për t’i bërë një dhuratë Horës së Arbëreshëve, nuk është thjesht si një kontribut financiar, një akt komunikimi dhe bashkëpunimi midis shqiptarësh dhe kjo është emocionuese.

Pavarësisht integrimit në shoqërinë zvicerane, shqiptarët në Zvicër ruajnë dhe promovojnë identitetin e tyre kulturor duke organizuar aktivitete kulturore, festa tradicionale, dhe duke mbajtur lidhje me komunitetin shqiptar në Zvicër, me origjinën por dhe në vende të tjera, siç është dhe rasti i freskët me arbëreshët e Italisë./atsh/KultPlus.com

Kurti udhëton për në Zvicër, pritet të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Zvicër.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, fillimisht ai së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të marrin pjesë në hapjen e panairit “Swissbau 2024”, ku 12 kompani vendore do të promovojnë prodhimet e tyre.

Pastaj, do të udhëtojë për në Davos për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku krahas takimeve bilaterale me homologë, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare është i ftuar edhe si folës në panele të diskutimit./Klankosova.tv/KultPlus.com

“The Land Within” i Fisnik Maxville debuton në Festivalin e Filmit në Locarno – Panorama në Zvicër

“The Land Within”, një film magjepsës me regji të Fisnik Maxville (Maxhuni) dhe i sjellë në jetë me mjeshtëri nga Ikone Studio dhe Alva Film, bëri debutimin e tij sot në Festivalin e njohur të Filmit në Locarno – Panorama në Zvicër. Ky moment i rëndësishëm vjen shtatë vjet pas veprës së njohur të Maxville, “Lost Exile”, e cila siguroi një çmim filmi, përcjell KultPlus.

“The Land Within” bashkon një ekip ndërkombëtar krijuesish nga Kosova, Zvicra, Franca, Maqedonia dhe Shqipëria, duke shfaqur bashkëpunimin e mrekullueshëm mes ekipit krijues. I vendosur në sfondin evokues të Ballkanit të pasluftës, filmi thellohet në temat e familjes, identitetit dhe të vërtetës me një prekje të përzemërt.

Në premierë, regjisorit të talentuar Fisnik Maxville dhe producentëve të arrirë si Valon Bajgora, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin iu bashkuan anëtarët e tjerë të ekipës. Prodhimi i këtij filmi shënon bashkëpunimin e pestë mes Ikone Studio dhe Alva Film. Atmosfera ishte e mbushur me emocione teksa ata panë shfaqjen triumfuese të filmit në një tjetër festival prestigjioz të filmit. / KultPlus.com

Lansohen seriali “Rrushe” dhe mini-seriali “Beni” për të gjithë bashkëatdhetarët në Zvicër vetëm në platformën blueTV

Seriali më i madh shqiptar “Rrushe” bashkë me shumë momente të bukura, emocionuese, aktorë të mrekullueshëm, e ngjarje tronditëse, tashmë mund të shikohet nga bashkëatdhetarët tanë në Zvicër në platformën blueTV. Seriali dramë-krim “Rrushe”, që u lansua sot, ka bërë bujë të madhe. Përpos aktorëve të njohur që kanë tërhequr vëmendje, për këtë serial është përfolur shumë edhe për mënyrën e realizimit dhe inkuadrimin e reperit Capital T në këngën ‘theme’ të serialit.

Seriali “Rrushe”, që është seriali me produksionin më të madh televiziv deri tani në trojet shqipfolëse, fillon rrugëtimin nga sot në platformën blueTV për bashkëatdhetarët tanë në Zvicër.

Seriali i prodhuar nga GjirafaStudios është i mbushur me emocion, me ngjarje të papritura, e me tregim që lëvizë nga e kaluara në të tashmën, nga Kosova në Gjermani, nga Prishtina në Gjakovë, nga vrasjet në dashuri, e nga ideali në tradhti.

Shtresat e shumta që ka seriali, temat që prekë ai, e mbi të gjitha, përfytyrimi i realitetit të jetës në Kosovë, në dy periudha kohore, e bëjnë këtë serial të paparashikueshëm.

Për të parë serialin “Rrushe” klikoni këtu

Përveç “Rrushe”, për të gjithë bashkëatdhetarët tanë në Zvicër sot lansohet në platformën blueTV edhe mini-seriali “Beni”.

“Beni” është i pafajshëm, zemërmirë dhe ndonjëherë i pafat. Aventurat e tij janë të komplikuara dhe plot humor. Për të shikuar mini-serialin “Beni” klikoni këtu. / KultPlus.com

Hapet shkolla shqipe në Kreuzlingen të Zvicrës

Në vitin 2022 është hapur edhe një shkolllë e re shqipe në Zvicër, shkruan KultPlus.

Në qytetin e Kreuzlingen-it, kantonin Thurgau prindërit shqiptarë tanimë mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe.

Mësuesja e kësaj shkolle, Albana Bejta-Gjocaj, ka thënë për KultPlus se kjo shkollë është hapur me numër të kënaqshëm të nxënësve.

Disa prej fotove të cilat mësuesja i ndanë me të lexuesit, mund t’i shikoni më poshtë. /KultPlus.com