7 Marsi i vitit 2019, solli edhe një dhuratë për fëmijët shqiptare në qytetin Uster të Kantonit të Cyrihut.
Hapet edhe një pikë shkollore në gjuhën shqipe dhe natyrisht nxënësit kanë mundësinë që nga dita e enjte t’i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, shkruan albinfo.ch.
Pra kjo festë kombëtare nuk ishte vetëm një festë e zakonshme që i bashkëngjitet festave të tjera, por edhe një festë për të cilën u gëzuan në rend të parë prindërit sepse është një mundësi më shumë që fëmijët e tyre t`i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, përcjell tutje albinfo.ch.
“Prandaj, Ju ftojmë, që edhe ju të na bashkoheni në shkollën shqipe, sepse gjuha shqipe është gjuha jonë, të cilën na e kanë lënë amanet baballarët tanë”, thonë organizatorët.
Gjuha mbron flamurin, identitetin, atdheun!
Orari: çdo të enjte,paralel në dy klasë, në shkollën Freiestrasse 20, Uster:
Grupi i parë (kl.I-II) prej orës 15.30 – 17.15,
Grupi i dytë (kl.III-IV) prej orës 17:15-19:00
Grupi i tretë (kl.V-VI) prej orës 15.30 – 17.15,
Grupi i katërt (kl.VII-VIII) prej orës 17:15-19:00
Gjuha franceze është bërë më e popullarizuar në 50 vitet e fundit, derisa më pak zviceranë flasin gjuhën gjermane. Kjo lidhet me migrimin, përcjell albinfo.ch.
Pothuajse dy të tretat e njerëzve që jetojnë në Zvicër flasin rregullisht më shumë se një gjuhë. Me katër gjuhë zyrtare kombëtare, Zvicra ka një peizazh të veçantë gjuhësor dhe shumë gjuhë jo-kombëtare që mund të dëgjohen edhe në jetën e përditshme, shkruan ‘Swissinfo.ch’.
Sipas të dhënave aktuale nga Zyra e Statistikave Federale (FSO), pjesa më e madhe e popullsisë së përhershme flet gjuhën gjermane ose zvicerane gjermane. Në mesin e gjuhëve jo-kombëtare, gjuha angleze dhe portugeze janë më të zakonshmet e më pastaj është edhe gjuha shqipe, përcjell albinfo.ch.
Për shkak të numrit të madh të të huajve, edhe gjuhët e huaja gjithnjë janë më të përhapura në Zvicër.
Gjuha angleze po bëhet gjithashtu një gjuhë e shquar në Zvicër. Në vitin 2010, 4.6% e popullsisë zvicerane foli gjuhën angleze si gjuhë kryesore, krahasuar me 5.4% shtatë vjet më vonë. Kjo është gjithashtu për shkak të rritjes së emigracionit nga vendet që flasin anglisht, si Britania e Madhe dhe SHBA.
Në Zvicrën frankofone, emigrantët priren të përshtaten me gjuhën lokale. Për shembull, shumë njerëz që flasin spanjisht, portugalisht ose italisht emigrojnë në Zvicrën frankofone, dhe ata priren të mësojnë shpejt frëngjishten.
Dhe, të huajt në përgjithësi integrohen më shpejt në Zvicrën frankofone, sesa në Zvicrën gjermanofolëse.
Trendet e emigracionit janë të ndryshme në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës. Për shembull, njerëzit që emigrojnë nga Kosova ose Turqia kanë më shumë probleme duke folur gjermanisht në fillim krahasuar me spanjollët që mësojnë frëngjishten në Zvicrën frankofone.
Sipas statistikave zyrtare, 62.6 flasin gjermanisht ose zvicerane-gjermane, pastaj 22.9 frëngjisht, 8.2 italisht dhe 0.5 romansh, përcjell albinfo.ch.
Nga gjuhët e huaja, 5.4 flasin anglisht, 3.7 portugeze, 3.2 shqip, serbisht ose kroatisht 2.5, spanjisht 2.4 dhe 7.7 gjuhë tjera. / KultPlus.com
Në mesin e atraksioneve që po tërheqin turistë të ndryshëm Zvicra mbetet një vend ku mund të shijoni këtë kohë të viti dhe magjinë që sjellin krishtlindjet.
Një atraksion i veçantë është parë në Montreux, i cili është një qytet tradicional turistik në liqenin e Gjenevës në Zvicër./KultPlus.com
Vendi piktoresk në Alpet e Zvicrës Ascher dhe shtëpia bukolike me restorantin në të ka qenë gjithmonë një destinacion i bukur për turistët.
Por ai është edhe “zyrtarisht” vendi më i bukur në botë.
Që të jetë kështu kanë vendosur redaktorët e librit “Destinations of Lifetime” të revistës me renome “National Geographic”, të cilët këtë fotografi e kanë vënë në ballinën e librit. Autor i fotografisë është zvicerani nga Kantoni St. Gallen Peter Böhi.
Ky destinacion me shtëpinë që rri “varur” në një shkëmb të lartë 100 metra është zgjedhur si më i bukuri nga të gjitha vendet e bukura të botës. Konkurrenca ka qenë shumë e madhe: plazhe të mrekullueshme, qytete antike dhe vende tjera piktoreske por që kanë mbetur mbrapa Äscher-it magjepsës, shkruan Watson.ch. / KultPlus.com
Ku do t’ju kushtonte më shtrenjtë martesa? Një krahasim i buxhetit të dy çifteve tregon se sa mund të kushtojë një dasmë në Zvicër dhe sa në Kosovë.
Bërja e dasmës, për një çift martesor nuk nënkupton vetëm festimin e kurorëzimit të dashurisë së tyre. Mjerisht, jo. Të martohesh, domethënë po ashtu edhe t`i hedhësh një sy arkës së kursimeve, të përpilosh një plan buxhetor dhe të zgjosh tek vetja talentin e përgjumur për organizim. Nuk tingëllon aspak romantike? Në fakt, kjo pjesë as nuk është e tillë.
Ne i kemi lutur dy çifte martesore nga Zvicra që të hedhim një shikim në planin e tyre të martesës, për të zbuluar se si ngrihet fare në këmbë i gjithë ky konstrukt i festës dhe çfarë shpenzimesh dalin për të realizuar një dasmë, shkruan albinfo.ch.
Çifti ynë zviceran jeton në Kantonin Thurgau. Të dy janë 25-vjeçarë. Ndërsa çifti shqiptar, një 27-vjeçare nga Thurgau dhe një 26-vjeçar nga St. Galleni, të dy janë të lindur në Zvicër.
Lokali dhe menyja e dasmës
Çifti zviceran e bën dasmën në Mainau, Gjermani. Janë të ftuar 100 mysafirë. Për menynë me 5 pjata ata paguajnë 120 euro për person. Por, duke qenë se marrja e sallës me qira nuk përfshihet në çmim, ata në fund duhet të paguajnë 19.000 euro.
Çifti shqiptar martohet në Tetovë, në një nga restorantet më të rinj për dasma. Edhe ata janë përcaktuar për një meny prej 5 pjatash dhe duan që mysafirëve t`ua ofrojnë menynë më të shtrenjtë dhe më të mirë. Por kjo kushton vetem 18 euro për person. Për të festuar bashkë, janë ftuar 450 dasmorë. Restoranti nuk kërkon ndonjë shumë shtesë për qiranë. Kështu, çifti paguan në total 8100 euro.
Fotografitë dhe videoxhirimi
Çiftit zviceran i kushtojnë më shtrenjtë edhe videoxhirimi dhe fotografimi, të cilat së bashku arrijnë në shumën prej 4100 eurove.
Ndërsa çifti shqiptar paguan 1800 euro për 3 ditë xhirime. Filmohet dhe fotografohet në natën e “Kanagjeqit”, në ditën e dasmës dhe gjatë banketit. Këtu përfshihet edhe një videoklip i çiftit martesor, i cili do të filmohet në Liqenin e Ohrit, raporton albinfo.ch.
Dekorimi
Një element që në dasmat zvicerane është pjesë e nënkuptueshme, në dasmat në vendet tona të prejardhjes ka hyrë në modë vetëm në vitet e fundit: dekorimi i sallës së dasmës. Ka gjithnjë e më shumë agjenci në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni që e ofrojnë këtë shërbim. Çiftit të ëndrrave kështu premtohet se t`i plotësohet çdo dëshirë, sa i përket dekoracionit. Dhe, çmimet për këtë, duket se nuk njohin kufi. Çifti ynë shqiptar është përcaktuar për një agjenci nga qyteti i lindjes, e cila, për 3500 euro ua zbukuron sallën dhe tavolinat si dhe e përgatit një libër të dasmorëve dhe një ekran të personalizuar të fotografive. Organizatorët nga agjencia do të kujdesen që rrjedha e banketit të shkojë pa telashe.
Për dekorimin e sallës së çiftit zviceran kujdeset familja e nuses. Kështu, ky segment do të kushtojë 1500 euro.
Veshmbathja, stolitë dhe Aksesorët
Mbase do t’ ju ketë rënë veçanërisht në sy në grafikonin tonë një shtyllë e kuqe te rubrika: Veshja e nuses. Kjo nuk domethënë se nuset shqiptare fustanin e tyre të nusërisë e blejnë në Champs-Élysées, por shpjegohet me faktin se ka edhe shumë shpenzime tjera që shkojnë bashkë me bërjen nuse. Në Tetovë, ku traditat lokale mbahen me të madhe, kostumet dhe fustanat tradicionalë janë pjesë e rëndësishme e gjithë kësaj.
Dimitë tradicionale mund të blihen në qytet duke filluar nga 200 euro. Kush përcaktohet për ndonjë thurje të veçantë, punë dore ose kualitet më të lartë të qëndismave me fije të praruara, fare lehtë mund të paguajë deri në 2000 euro për një veshje të tillë. Krahas dimive të zakonshme, ka edhe variante tjera të tyre, si për shembull kaftani ose xhamadani, që shumë nuse dëshirojnë t`i kenë në zotërim.
Këtyre u shtohen pastaj fustanat tjera të mbrëmjes, disa prej të cilëve nuk janë thjesht të blerë, por të prerë dhe qepur sipas masës dhe dëshirës, pasi që nusja, me ata fustanë do të vallëzojë edhe në shumë dasma të tjera. Kështu, nusja shqiptare shpenzon 4500 euro për veshjen e saj. Fustani i saj i dasmës, i disenjuar dhe i prerë sipas masës nga një disenjator i njohur kosovar, ka një vlerë prej 2600 eurove. Ai nuk përfshihet më shumën e përmendur më parë.
Fustani dasmor i nuses zvicerane kushton po ashtu 2600 euro. Për stolitë dhe aksesorët tjerë ajo paguan 700 euro.
Vlera e gjithëmbarshme e stolisjes së nuses shqiptare shkon në 16.000 euro. Në intervistë me albinfo.ch ajo thekson se nuk është sasia që përcakton këtë çmim të lartë, por cilësia. “Unë nuk doja stoli ari që është i falsifikuar dhe sidoqoftë nuk i përgjigjet çmimit që ka. Ne jemi përcaktuar për 22 karatë dhe i kemi kushtuar shumë rëndësi cilësisë. Disa gjëra i kemi blerë në Zvicër”.
Dy bashkëshortët e ardhshëm nuk kanë nevojë të shpenzojnë kaq shumë për veten e tyre. Për kostumet e tyre të markave me emër, përfshirë dhe këpucët, ata paguajnë rreth 2000 euro.
Muzika dhe shpenzimet e përgjithshme
Shuma që paguan një çift martesor për një orkestër ose për një DJ, është shumë e ndryshueshme në të dy vendet. Në Zvicër, për një DJ paguhet deri në 10.000 franga zvicerane. Në trojet shqiptare ka mundësi që një këngëtar me gjithë orkestrin ta paguash 500 euro.
Çifti zviceran ka angazhuar një DJ për 1200 euro, ndërsa çifti shqiptar, dy artistëve të famshëm kosovarë bashkë me orkestrin ua ka paguar 3800 euro. 450 euro shtesë ata kanë paguar për një grup prej 6 vajzave, të cilat gjatë ditës do të këndojë këngë tradicionale shqiptare.
Karikaturisti Alexandre Ballaman nga gazeta e përditshme “La Liberté” në Zvicër, është frymëzuar nga festimi i futbollistëve shqiptarë të ekipit kombëtar zviceran, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, dhe ndëshkimi me gjobë që morën si pasojë, për ta bërë karikaturën e ditës së martë.
Ai e ka vizatuar trajnerin e Zvicrës, Vladimir Petkovic duke u mbajtur ligjëratë lojtarëve të vet sesi të festojnë në të ardhmen, transmeton Gazeta Express.
Ai i mëson ata se bërja e shqiponjës dykrerëshe, e cila gjendet në flamurin kombëtar shqiptar, është e ndaluar, ndërsa tri forma tjera ta festimi duke e bërë shqiponjën një krerësh lejohen.
Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe kapiteni i Zvicrës, Stephan Litschteiner, janë dënuar me gjobë nga FIFA.
Organi qeverisës i futbollit botëror vendosi dje t’i gjobisë Xhakën (10.000 dollarë), Shaqirin (10.000 dollarë) dhe Lichtsteinerin (5.000 dollarë) për “sjellje të pahijshme”./ KultPlus.com
Artisti kosovar Adem Dërmaku me tetë punime të tij është pjesë e ekspozitës kolektive në grafikë, që është hapur të premten “Dimension Druck”, në Brugg të Zvicrës, shkruan KultPlus.
Ai në këtë ekspozitë ka prezantuar tetë grafika në teknikën e shtypit të rrashtë (monothepi në gur të litografisë). Të gjitha këto punime kanë tematik dhe burim nga Kosova, ka thënë për KultPlus, Dërmaku.
Punimet janë “Shtëpia dhe këmba e një femre”, “Muret”, “Nesër në pushim”, “Lulja”, “Vetura” dhe “Pa titull” që vjen në tri cikle.
Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 10 qershor./ KultPlus.com
Fillimisht me rolin e Carmen, mezzosopranoja shqiptare Flaka Goranci u paraqit në Magdeburg të Gjermanisë, dhe mishërimi i saj në këtë rol solli edhe një tjetër paraqitje me Carmen, por tashti në Zvicër, me një realizim të ri të kësaj opere, shkruan KultPlus.
Një gjë të tillë e bëri publike nëpërmjet rrjetit social Facebook, vetë mezzosopranoja Goranci. Ajo tregoi se me këtë operë në rolin e Carmen, do të paraqitet në Zvicër në Obersaxen Opera Viva Festival.
“Te dashur miqte e mi. Jam shume e lumtur te ndaj kete lajm me ju. Kete vit do te realizoj përsëri rolin e Carmen dhe kesaj rradhe ne Zvicer – Obersaxen Opera Viva Festival”, ka shkruar Goranci./ KultPlus.com
Pren Kqira është “doajeni” i gastronomeve shqiptarë në Zvicër. Nga viti 1993 kur ka hapur restorantin e parë, ai ka drejtuar mbi 10 restorante. Tash drejton restorantin “Goldenberg” që rri si kurorë mbi kokë qytetit Winterthur.
Restoranti “Goldenberg” (Kodra e artë) i vendosur “në fron” të qytetit, shikon gjithë Winterthurin si në pëllëmbë të dorës. Nga kjo lartësi ofrohet pamja padyshim më e bukur e qytetit me mbi 100 mijë banorë. Vetë godina impozante është një vilë e dikurshme e madhe aristokrate që e e ka ruajtur të gjithë luksin nga koha e ndërtimit. Ndërsa ata që e kanë shndërruar në restorant e kanë pasuruar më tutje duke e bërë të qasshme për të gjithë. Statusin e veçantë të vilës-restorant e tregojnë edhe zbukurimet në mure dhe tavane të 4 sallave sa i ka gjithsej, pastaj një piano e madhe në korridor, vitrinat me shishe të verërave cilësore dhe çdo gjë tjetër që shkëlqen në dritën e luksit.
Në “Goldenberg” shkohet këmbë, përmes vreshtave që gjelbërojnë gjithë hapësirën nga qyteti deri te tarracat e restorantit, ose edhe me makinë, përmes një rruge gjarpërore që të sjell në restorant, nga ana e mbrapme.
Tarraca e gjatë 150 metra me pamje mahnitëse
Pren Kqira e udhëheq këtë restorant vetëm nga muaji mars i këtij viti dhe është shumë i kënaqur me punën. “Sidomos gjatë sezonit veror restoranti ynë është i vërshuar nga mysafirët. Ai gëzon edhe epitetin “restorant pikniku”, pasi që e frekuentojnë shumë ata që dalin shëtitje në kodrinat përreth. Për këtë arsye, tarraca me tavolina për 350 veta e gjatë rreth 120 metra është një cak i lakmuar për të gjithë ata që duan të shijojnë ushqim të zgjedhur në një ambient ekskluziv. Me sa kam parë e dëgjuar kjo është tarraca më e gjatë dhe e gjitha me shikim, që ka një restorant në Zvicër”, thotë Preni për albinfo.ch. Gjatësia e saj ka imponuar që në mes të distancës të vendoset një bufe prej ku shërbehen pijet, për t`i kursyer kamerierët nga rruga e gjatë prej ndërtesës kryesore deri në skajin e tarracës.
Kaq e lakmuar është kjo pamje sa që edhe gjatë sezonit të dimrit, kur ka sadopak diell “na pushtojnë qindra mysafirë dhe ne na imponohet të fillojmë edhe shërbimin jashtë në mënyrë që ata ta shijojnë pamjen”.
Në tarracë për çdo të martë ofrohen mbrëmje me muzikë live (gjatë verës?) dhe këto mbrëmje janë shumë të frekuentuara.
Kuzhina dhe mikpritja, standarde të panegociueshme
Por nuk është vetëm pamja ajo që tërheq si magnet mijëra mysafirë në “Goldenberg”. Janë gjithsesi edhe kuzhina e nivelit të lartë dhe mikpritja – e cila te Preni është një standard i panegociueshëm – ato që “detyrojnë” qytetarët të ngjiten në kodrën e artë. “Ne kemi një kuzhinë kryesisht zvicerane por të plotësuar edhe me elemente mediterane. Mënyrat e veçanta të pjekjes së llojeve të ndryshme të mishit janë ndër specifikat e kuzhinës sonë”, thotë Kqira. Po ashtu një pjesë e mirë e stafit të restorantit janë shqiptarë. Ata janë punëtorë të zellshëm dhe mjeshtër të zanatit të tyre. Ndryshe nuk bën te Preni, pasi që qëllimi i tij suprem është kënaqësia e mysafirit, jo vetëm me cilësinë e ushqimeve por edhe me mikpritjen.
“Restoranti ynë është më shumë i destinuar për rezervime dhe për darka e dreka grupore se sa për vizita spontane. Këtu vijnë familje dhe rrethe shoqërore për të festuar dasmat dhe gëzimet tjera familjare të tyre, pastaj firma që bëjnë darkat e fundvitit etj. Kemi po ashtu edhe mysafirë prominentë. Kështu pak kohë më parë kemi pasur mysafir kryetarin e Parlamentit të Zvicrës, Jürg Stahl i cili për të darkuar këtu i ka sjellë kryetarët e parlamenteve të 6 shteteve të BE-së”, tregon Kqira. Por, nuk mungojnë as shqiptarët që këtu i bëjnë gazmendet e tyre familjare, shton ai.
Restorantet e Prenit, në pikat më të lakmuara
Deri tash ai ka udhëhequr ose ka pasur në pronësi mbi 10 restorante, disa prej të cilëve nga 2 e nga 3 në të njëjtën kohë dhe të gjithë në vendet më të lakmuara të qyteteve përkatëse. Preni mund të llogaritet ndër shqiptarët e parë, në mos edhe i pari, që kanë pasur në menaxhim restorante në Zvicër. Ka rreth 25 vjet që kur e ka nisur këtë rrugë dhe në secilin hap ka bërë nga një avancim. Kështu ai, në vitin 2003, pati marrë lokalin mu në “qendër të qendrës” të Winterthurit ku pati hapur restorant-picerinë me emrin “Stella del Centro”. Me po këtë emër ai ka mbajtur paralelisht 3 restorante: Veç atij në Winterthur edhe nga një në Uster dhe në Horgen. Afërsisht po në këtë kohë Preni ka menaxhuar edhe restorantin e madh në qendër të qytetit Wil (Stadtsaal). Ndërsa paralelisht ka menaxhuar edhe disa restorante tjerë në Winterthur e në rrethinë.
Ka filluar si pjatalarës…
Sikurse shumica e shqiptarëve, edhe Pren Kqira zanatin e ka mësuar duke e nxënë gjatë punës së bërë, fillimisht si ndihmës kuzhine e pastaj si kamerier. Ai, nga Kosova gjegjësisht nga Prizreni ka ardhur në Zvicër para rreth 35 vitesh.
Fillimisht ka punuar në një hotel në Disentis të Graubündenit. “Pasi që ende nuk e njihja gjuhën, normalisht, punoja në kuzhinë. Kam larë enë, kam ndihmuar në përgatitjen e ushqimeve”, thotë ai për albinfo.ch. Por, nuk ka vonuar shumë edhe hapi i parë i guximshëm i tij në rrugën e ngritjes në hotelerinë private. “Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”, thotë ai për albinfo.ch. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“.
Pren Kqira nuk harron të përmend meritat e familjarëve. “Për ta bërë gjithë këtë, kemi pasur mirëkuptimin e pakusht të familjeve tona. Për gjithçka i detyrohemi sakrificës sonë dhe të familjeve”./ KultPlus.com
“Sherifi kërkon përkthyes, gjen një shtëpi botuese, hap dritare dhe na fton; hajde të flasim së bashku se, kush flet, nuk është i vdekur” -thërret në stilin e një slam-poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur zviceran, Fred Kurer.
“Një rezultat mahnitës qëndron sot para nesh”, thotë Kurer për librin e titulluar: “Die weisse Filzkappe”.
“Sherifi kërkon përkthyes, gjen një shtëpi botuese, hap dritare dhe na fton; hajde të flasim së bashku se; kush fletë nuk është i vdekur” -thirrë në stilin e një slam-poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur zviceran, Fred Kurer.
Poeti Isuf Sherifi, ka vite që shkruan, por kështu qartësisht, e me një gjuhë të rrjedhshme gjermane nuk ka folur më parë.
“Qeleshja e bardhë” është libri i fundit i poetit Isuf Sherifi i përuruar mbrëmë në St. Gallen para një numri të madh të lexueseve dhe lexuesve shqiptarë e zviceranë.
“Një i huaj, një emigrant, përpiqet t`i njohë poetët e Zvicrës me shqiptarët. Poezitë e Isuf Sherifit janë patetike atje, ku ai këmbëngul mbi dashurinë e tij ndaj vendlindjes. Ato janë të hidhura, e të kujtojnë çfarë ka ndodhur politikisht- dhe do të ndodhë. Në “Qeleshen e Bardhë” rri ulur pikëllimi dhe humbja e vendlindjes- por trishtimi, pavarësisht hidhërimit ka një qetësi melankonike”, shprehet Kurer.
Poetët zviceranë janë mahnitur me stilin goditës të poezive lirike të poetit Isuf Sherifi, i cili këtë vit po e mbyll jo me kërkesat e urimet e rëndomta për më tepër dashuri e mirësi, por për më tepër mirëkuptim, kurajë njerëzore në një botë ku jeta mes ferrit dhe parajsës kalon këmbëzbathur duke mos lënë gjurmë në shpirtrat tanë të etur për pushtet e pasuri.
Shkronjat e tij prekin trishtimin njerëzor, skajin e vuajtjeve të njerëzimit, luftërat, vrasjet, pikëllimin për vendlindje e mallin për dashurinë. Ai i shkruan Srebrenicës, Aleppos, refugjatëve, vendlindjes e Plisit. Emocioni ndaj gruas, diellit, yjeve e lirisë janë shputat e këpucëve të shpirtit të vjedhur, shkruan albinfo.ch.
“Libri i Isufit me poezi është një libër i çmuar, nuk janë poezi dashurie. Ato janë shpjegime me pyetje të mëdha mbi integrimin të cilat ai i sjell në dhjetë variacione mbi vendlindjen, e jetën me një të kaluar që është në kërkim të orientimit”, ka përcjellë fjalët e Rheinhard Mermit, moderatori i mbrëmjes, gazetari Richard Butz.
Libri me 54 poezi mbanë titullin “Die weisse Filzkappe” dhe është i pari i këtij lloji i shkruar në gjuhën gjermane nga poeti tetovar, Isuf Sherifi.
Librin e ka botuar shtëpia botuese “Waldgut” në Frauenfeld kurse kritikën letrare i kanë dhënë mbrëmë në librarinë e qytetit St. Gallen “Comedia”, kolegët e tij zviceranë, të cilët kanë vlerësuar në superlativ poezitë e Sherifit. Ky i fundit, ndonëse me një zë të mekur e i mbushur me emocione, por krah tingujve të muzicentit Altin Asllani, u doli përballë edhe një herë shkronjave që dukej se kishin marrë rolin e “Ujkut të stepave” të shkrimtarit të madh gjerman, Herman Hesse.
Në krijimtarinë poetike, Sherifi ka dëshmuar veten në më së paku shtatë botime të tjera, si “Plisi”, Ndarjen nuk e nënshkruaj“, “Udha e kripës”, “Hyrje për në agim“, “Tej harrimit”, “Hije mbi tokë”, “Blick durchs geöffnete Fenster”, “Vështrim nga dritarja e hapur”./ KultPlus.com
Kështu u paraqitën në skenë për dy ditë radhazi grupi i teatrit “Aktrimi” në qytetin St. Gallen: Të arratisur, e rrugëve ilegale, në kërkim të një perspektive më të mirë në Zvicër.
Nën regjinë e producentit Ben Apolloni, aktorët kosovarë kanë sjellë para audiencës vendase një komedi dygjuhëshe me skena interkative, të skenografit Arsim Berisha, përgjatë një ore duke futur publikun në “vallen” e tyre aktruese.
Pas një rruge të gjatë e të frikshme, tre të arratisurit kosovarë, të rraskapitur nga rruga ilegale e të zhytur në borxhe për t`i paguar kontrabanduesit, arrestohen nga policia zvicerane në kilometrin e gjashtë të St. Gallenit, ku si pasojë e një keqkuptimi, përfundojnë në një repart të psikiatrisë, të quajtur “Station 17B”.
Për të dëshmuar para organeve të drejtësisë se ata nuk janë të çmendur, ”të arratisurit” kërkojnë që të sprovojnë veten në profesionin e tyre, duke kërkuar mundësinë që të kenë një audicion për të zbuluar talentin e tyre që ta ndërtonin “shfaqjen e ëndrrave”, me të cilën do të dëshmonin se janë artistë të vërtetë.
Në stacionin 17b nis shfaqjen komedia kosovare me aktorët: Fikrim Morina, Avdi Amidi, Adnan Ismaili, Yllka Zuzaku dhe Dan Morina, të cilët shfaqin talentin e tyre për aktrim herë me një gjermanishte të çalë, e herë në një shqipe të zhargonit popullor, duke krijuar kështu një atmosferë mjaft të këndshme për publikun e Sankt Gallenit, shkruan albinfo.ch.
Në fund fare ata e kuptojnë se “shfaqja e ëndrrave”, të jesh a mos të jesh pjesë skenës zvicerane, nuk ishte përgatitur për të zbuluar talentin, por për të përcaktuar fatin e aktorëve nga Kosova, në psikiatrinë me emrin e çuditshëm “Stacioni 17B”./ KultPlus.com
Jeton në Zvicër, në kanton Schwyz ndërsa sivjet ka botuar një libër me poezi, në gjuhën shqipe. Ardiana ka provuar veten edhe me shkrime në gjuhën gjermane.
Ardiana Avdiu Memeti është një krijuese e re nga Ferizaj që jeton në kanton Schwyz të Zvicrës. Ajo këtë vit ka botuar një libër me poezi, në gjuhën shqipe. “Dritarja e hapur” quhet libri i saj, redaktore e të cilit është shkrimtarja e njohur Dije Demiri Frangu. Është një libër i arrirë dhe i pasur me mesazhe artistike.
Ardiana ka studiuar në drejtimin sociologji në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, ndërsa në Zvicër ka vazhduar trajnimet në institutin zviceran për fëmijë dhe media, SIKJM, Zürich.
Krahas angazhimit me shkrime Ardiana, që është nënë e tre fëmijëve, punon edhe si pedagoge dhe moderatore e grave, e përkushtuar në projektet e shumta integruese.
Pyetjes sonë se prej nga e merr motivin për punë, ajo i përgjigjet: “Motivi im i jetës dhe i krijimtarisë janë fëmijët e mi. Atyre ua kam kushtuar edhe librin e sapobotuar, ata janë dashuria dhe energjia ime. Falë tyre unë sot ia dal të jem një shembull i mirë i menaxhimit të jetës sociale: jam ndërmjetësuese kulture, animatore, moderatore dhe pedagoge. Dhe, krahas të gjitha këtyre, gjej kohë për t`i ndihmuar në mësime e për t`i mbështetur fëmijët e mi në sportin e tyre të dashur futbollin. Pra, të ardhmen e fëmijëve të mi mundohem ta organizoj si një prind e si një shembëlltyrë për ta”.
Ndërsa lidhur me pasionin e saj për letërsinë ajo thotë se me shkrime ka filluar të merrej që nga shkolla fillore. “Atëherë nisa t`i botoja vjershat e para në revisten për fëmijë “Zog Mëngjesi”. Isha shumë aktive në aktivitete të lira si në grupin letrar të shkollës “Gjon Sereci” ku shkrimet e mia janë vlerësuar me çmime të larta në garat që organizoheshin për krijuesit e rinj”, shprehet Ardiana Mehmeti, shkruan albinfo.ch.
Duke folur rreth punës si moderuese e projekteve të shumta integruese, Ardiana thotë për albinfo.ch se ende nuk është e kënaqur. “Sepse akoma nuk vizitohen sa duhet këto projekte kaq të vlefshme nga të cilat mund të përfitojnë sa prindërit po aq edhe fëmijët. Por për fat të keq femra shqiptare është rrallëherë pjesëmarrëse në jetën shoqërore. Duke qenë e angazhuar në punët e shtëpis prore ajo mbetet e pa integruar sa duhet, ngase nuk ia arrin të angazhohet në mësimin e gjuhës. Por shpresojmë që e ardhmja do të ndrijë më mirë edhe për femrat e diasporës”.
Ardiana së fundmi është e angazhuar në një projekt shkrimi me autorë zviceranë. “Në këtë projekt shkrimi, ne me talentin tonë thumbojmë dukuritë e shëmtuara shoqërore, pra padrejtësitë që bëhen, kryesisht varfërinë e cila sado që vërehet pak në Zvicren e pasur, ekziston. E vërtetë, jam shumë e vlerësuar në këtë projekt, dhe ndihem si në familjen time në mesin e autorëve të huaj”, thotë ajo.
E pyetur se cili është libri i radhës, dhe në cilën gjuhë do të jetë ai. Ardiana thotë: “është befasi, unë po shkruaj, nuk e kam ndërmend të ndalem. Po jetoj në Zvicër dhe kohëve të fundit po shkruaj shumë në gjuhën gjermane por kurrë pa e harruar gjuhën tonë të bukur shqipe”.
Për këtë vit Ardiana është e ftuar në disa lexime nga institucionet e ndryshme zvicerane.
“Do të mundohem që sa më mirë të prezantoj kulturën tonë shqiptare, sepse ne këtu të gjith jemi ambasadorë të kombit tonë”, premton Ardiana duke na falënderuar për vizitën që i bëmë në zyrën ku ajo krijon./ KultPlus.com