Sociologu polak Zygmunt Bauman shprehet se është skeptik për mënyrën se si njerëzit protestojnë përmes medieve sociale, për të ashtuquajturin “aktivizim kolltuku”, dhe mendoj që interneti po na dembelos me argëtim çmimlirë.
Çështja e identitetit ka ndryshuar nga diçka me të cilën ju keni lindur në një detyrë: ju duhet të krijoni komunitetin tuaj. Por komunitetet nuk krijohen, dhe ju ose keni një komunitet ose jo. Ajo që mund të krijojnë mediet sociale është zëvendësues. Dallimi mes një komuniteti dhe një rrjeti është se ju i përkisni një komuniteti, por një rrjet iu përket ju. Ju ndiheni në kontroll. Ju mund të shtoni miq nëse doni, ose mund t’i shuani nëse doni. Ju jeni në kontroll të njerëzve të rëndësishëm me të cilët lidheni.
Si pasojë njerëzit ndihen pak më mirë, sepse vetmia, braktisja, është frika e madhe e epokës sonë individualiste. Por është shumë e lehtë të shtosh ose të shuash miq në internet që njerëzit nuk ia dalin të përvetësojnë aftësitë reale sociale, të cilat iu duhen kur dilni në rrugë, kur shkoni në vendin e punës, kur gjeni shumicë njerëzish me të cilët keni nevojë të komunikoni me delikatesë. Dialogu i vërtetë nuk është të bisedosh me njerëz që besojnë të njëjtat gjëra si ju. Media sociale nuk na mëson të dialogojmë, sepse është shumë e lehtë të shmangësh kundërshtimin… Por shumë njerëz i përdorin mediet sociale jo të bashkohen, jo të zgjerojnë horizontin, përkundrazi, t’i gjejnë vetes një zonë rehatie ku të vetmet tinguj që ata dëgjojnë janë jehonat e zërit të tyre, ku të vetmet sende që shikojnë janë pasqyrime të fytyrës së tyre. Mediet sociale janë të dobishme, ato ofrojnë kënaqësi, por janë një kurth.
I lindur në Poloni më 1925, Bauman është Profesor Emeritus i Sociologjisë. Vepra e tij ka marrë një radhë çmimesh ndërkombëtare, mes të cilave çmimin spanjoll Asturias, më 2010.
Ai e ka paraqitur këndvështrimin e tij pesimist për botën në libra si “Does the Richness of the Few Benefit Us All?” (A përfitojmë të gjithë nga pasuria e një pakice?), 2014, ku mbron idenë që bota po paguan një çmim të lartë për revolucionin neoliberal që filloi në vitet 1980 dhe që pasuria nuk ka zbritur poshtë te pjesa tjetër e shoqërisë.
Në librin Moral Blindness (Verbëria morale), botuar vitin e kaluar, së bashku me Leonidas Donskis paralajmërojnë për humbjen e komunitetit në botën tonë gjithnjë e më shumë individualiste.