132 vjet më parë, premiera e “Arrëthyesit”

18 Dhjetor, 2024 - 2:30 pm

Baleti “Arrëthyesi” i Çajkovskit, i kthyer në një ikonë të atmosferës festive të fundvitit, e pati premierën e tij botërore 132 vjet më parë.

Shfaqja e parë e baletit të Krishtlindjes u mbajt si premierë e dyfishtë së bashku me operën e fundit të Çajkovskit, “Iolanta”, më 18 dhjetor të vitit 1892, në Teatrin Imperial Mariinsky në Shën Pjeterburg, Rusi.

“Arrëthyesi” bazohet në historinë e Hoffmann-it, “The Nutcracker and the Mouse King”, për një vajzë që miqësohet me një arrëthyes që kthehet në frymor, në vigjilje të Krishtlindjes dhe zhvillon një betejë kundër mbretit të keq, miut.

I kompozuar në stilin romantik, baleti përmban një sërë pjesësh muzikore të njohura gjerësisht. Një nga më të famshmit është Vallja e Zanës së Kumbullës së Sheqerit, e cila u shkrua posaçërisht për të përdorur një instrument të ri që Çajkovski kishte zbuluar në Francë të quajtur çelesta. Ai gjithashtu përfshiu instrumente lodrash në skenën e festës së Krishtlindjes.

Përveç baletit, suita “Arrëthyesi” mori vlerësime jashtëzakonisht entuziaste dhe u bë një tipar popullor në shfaqjet e koncerteve../ KultPlus.com

Të ngjajshme