14 prilli sjellë “Frankeshtajnin” e Bokshit në Teatrin Kombëtar në Tiranë

1 Prill, 2018 - 11:30 am

Në Teatrin Kombëtar artistët po punojnë për të sjellë në skenë për publikun një tjetër premierë.

Në një kohë kur në oborrin e Teatrit Kombëtar vijojnë organizimet dhe takimet për të mbrojtur teatrin nga shembja, artistët në mjediset e provave vijojnë punën edhe për premierën e re, që pritet të jetë në skenë mesin e muajit që vjen.

Një dramë e njohur që e sjell regjisori Ilir Bokshi në Teatrin Kombëtar. Drama “Frankeshtajn” shkruar nga Tim Kelly sjell në role aktorë të njohur të teatrit. Në skenë drama premierë do të luhet nga tetë aktorë. Këtë herë rolet në vepër regjisori ia ka besuar aktorëve Helidon Fino, Besmir Bitraku, Yllka Mujo, Klea Huta, Erjona Kakeli, Gent Hazizi, Lulzim Zeqja dhe Niada Saliasi.

“Është interesante se në kulturën popullore emri i cili pasqyron monstrën është Frankeshtajn, dhe shumë ndoshta nuk e dinë se Frankeshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankeshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ai ka krijuar”, shkruhet për veprën, përcjell SotNeës.

Aktori i njohur Lulzim Zeqja që është pjesë e kastit të aktorëve tregon se puna për shfaqjen vijon prej kohësh, dhe më datë 14 të muajit prill kjo premierë pritet të ngjitet në skenë.

“Një dramë thriller, ne jemi në prova dhe më datë 14 prill pritet të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar”, pohon mes të tjerave aktori Lulzim Zeqja që është në mesin e artistëve që regjisori Ilir Bokshi nga Kosova ka zgjedhur për të sjellë personazhet në skenë.

Me një kastë aktorësh të njohur të teatrit, këtë herë vepra që mban emrin e autorit Tim Kelly do të vijë sipas konceptit regjisorial të Bokshit. Nuk është hera e parë që Ilir Bokshi vjen në Tiranë për shfaqje teatrore, por edhe këtë herë është një vepër e cila në skena të tjera të botës është përcjell me interes.

Skenografia në vepër mban emrin e Petrit Bakallit, kostumet nga Vesa Kraja, kompozitor Art Lokaj dhe asistente regjie Algiona Agaj. Vepra teatrore e dramatizuar nga romani i Mary Shelley nga Tim Kelly, ky adaptim qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron më së miri besnik romanit origjinal, vepra gjithashtu bie në një zhanër plotësisht të dalluar, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht dhe munden që në mënyrë shumë fleksible të paraqiten si njësi në vete apo si një dyshe e bashkuar.

“Viktor Frankeshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthej në jetë indet e njeriut të vdekur. Më shkurt, ai vije në gjendje të krijoj jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij special, ai ka sjellë në jetë një krijesë të ndërtuar nga pjesë trupore njerëzish, por akoma jo tamam njerëzor”, thuhet për këtë vepër që do të vijë premierë dhe në skenën e Tiranës.

Në shkurt të vitit 2013 regjisori Ilir Bokshi ishte në skenën e Teatrit Kombëtar me veprën antike “Edipi Mbret” të Sofokliut. Një pjesë të aktorëve që kanë qenë pjesë e veprës “Edipi Mbret” regjisori Bokshi i sjell sërish në role dhe në veprën “Frankeshtajn”. Pas katër vitesh nga premiera “Edipi Mbret” Ilir Bokshi rikthehet në Teatrin Kombëtar në një tjetër bashkëpunim me artistët./ KultPlus.com

Të ngjajshme