2 Gusht, 2018 - 12:58 pm
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, dje përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për të arriturat e drejtorisë të cilën ai e drejton përgjatë gjashtë muajve të parë, shkruan KultPlus.
Përveç të tjerash Yll Rugova, ka treguar për shumën që ka arritë të siguroi kjo drejtori për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit.
“Në gjashtë muajt e parë në drejtorinë e kulturës Komuna e Prishtinës ka arritë me inicu projekte me ma shumë se 60% të buxhetit (e kemi pjesën e dytë të vitit për pjesë e mbetur). Kemi arritë me siguru 15.4 milionë për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit. Ekipi punues po mirret me detyrën projektuese, këtë vit shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnin”, ka thënë ndër të tjera Rugova.
Po sjellim statusin e plotë të drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës:
“Është ajo thënia dita e mirë shihet në mëngjes. Shpresojmë se do të vlejë edhe për kulturën në Prishtinê.
Në gjashtë muajt e parë në drejtorinë e kulturës Komuna e Prishtinës ka arritë me inicu projekte me ma shumë se 60% të buxhetit (e kemi pjesën e dytë të vitit për pjesë e mbetur). Kemi arritë me siguru 15.4 milionë për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit. Ekipi punues po mirret me detyrën projektuese, këtë vit shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnin.
E kemi rikthyer kino Armatën në hapësirë publike kulturore, me program të rregullt. I kemi nisur projektet për rehabilitimin e qendrës historike, përfshirë ndërtesat si Shkolla e Parë Shqipe. Punët kanë filluar për herë të parë pas sa dekadash në këtë pjesë, me idenë që të kthehet në zemër të vërtetë të qytetit.
Për herë të parë Prishtina do të ketë muze komunal. Jemi në proces të punës me themelimin e muzeut Ibrahim Kodra dhe Shtëpive Shkolla dhe dy muzeumeve tjera që do të shpallen ndërkohë. Prishtina e ka gati strategjinë e turizmit, kurse edhe info qendra turistike është në punim e sipër së bashku me panelet informuese.
Po mbahen orët mësimore me Akademinë e Animacionit, si program i ri për të rinjt. Ndërkohë, institucionet vartëse do të kenë të hyrat e tyre vetanake për të rritur buxhetin e kulturës në komunë. Gjithashtu jemi në proces të themelimit të orkestrës komunale, dhe teatrit të valles dhe muzikës tradicionale. Prishtina është në garë me kryeqytetet tjera evropiane për organizimin e bienales së artit Manifesta.
Shumë projekte janë nisur sivjet. Për kulturën në kryeqytet ditë të mira po na presin përpara. Veç na duhet shumë punë bashkë, kjo është maratonë e jo sprint. #prishtina”, ka shkruar ai./ KultPlus.com