’15 ditë prilli’, dramatizimi i romanit të Anisa Markarian, eksperiencë unike në ArTurbina

22 Mars, 2025 - 2:03 pm

Teatri Kombëtar ka vënë në skenë për herë të parë dramën “15 ditë prilli”, e bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian, një emër i njohur i kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm.

Me regji të Driada Dervishit, ky dramatizim i gërshëtuar me situata groteske dhe humori është mirëpritur nga artëdashësit në Sallën Central në ArTurbina.

“15 Ditë Prilli” është një vepër që ngërthen dramën, emocionin dhe reflektimin mbi jetën dhe historinë. Kalimi i saj nga faqet e romanit në skenën e teatrit sjell një dimension të ri, duke i dhënë publikut mundësinë të përjetojë nga afër historinë e saj të fuqishme.

Vepra po interpetohet nga një kast i njohur aktorësh, mes të cilëve Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Sanie Hoti, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj dhe Jaho Guma.

Me një ekip të talentuar krijues, përfshirë kompozitoren Rona Castrioti, kostumografen Desantila Lika, skenografin Beqo Nanaj dhe koreografen Valentina Myteveli, shfaqja premton një qasje artistike të thellë dhe të ndjerë e cila do vijojë të shfaqet edhe gjatë kësaj fundjave duke ofruar një eksperiencë unike për artdashësit.

Romani “15 Ditë Prilli” i Anisa Markarian, rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.

Të ngjajshme