5 Prill, 2022 - 2:01 pm
Nga Vlora Merovci
Shfaqje e mirë! Si përcaktohet një shfaqje e mirë? Çka e bën një shfaqje të mirë? Idea, koncepti, rrëfimi, situata dramatike, dialogu, loja, ritmi, muzika, kostumet, regjisori, aktori….? Të gjitha, të gjitha këto duhet të funksionojnë në mënyrë harmonike dhe të natyrshme që një shfaqje të quhet e mirë dhe të arrijë vëmendjen e shikuesit aq sa zgjat shfaqja.
Shfaqja “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqi, me regji të Qëndrim Rijanit, vjen në skenën e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” me 14 aktorë në një hapësirë të vogël skenike duke na paraqitur problemet e shoqërisë sonë – probleme që mund ta rrënojnë jetën e njeriut nëse nuk mbahen nën kontroll. Edhe pse teksti i shkruar shumë vite më parë, ai edhe sot është aktual në shoqërinë tonë dhe shpërfaq forcën e errët të egos, e cila po nuk u kontrollua dërgon në vetshkatërrim.
Dy personazhet kryesore duke u munduar ta sfidojnë ritmin “monoton konvencional”, sapo përplasin derën e shtëpisë në kërkim të heroit hyjnor zbresin në degradim moral të përzier me konfuzion dhe anarki emocionale, ballafaqohen me botën e errët të shoqërisë dhe me beteja të vazhdueshme…prostitucioni, bixhozi, droga, dhuna, burgu dhe në fund i shohim edhe si vrasës. Mirëpo asnjëri prej tyre nuk vret as nga bindja e as nga pasioni.
Në shfaqjen “+18” shohim që teksti ka ndikuar në përcaktimin e metodologjisë krijuese të regjisorit, ku i ka përshtatur me shumë mjeshtëri karakteret, figurat, kontekstin. Padyshim që edhe aktorët me fuqinë potenciale, me bagazhin intelektual dhe kapacitetin e tyre kanë ndikuar te regjisori, duke qenë përcaktues dhe burim i regjisorit për metodologjinë e punës së tij. Shohim se ai ka vendosur të punojë me gjenerata e shkolla të ndryshme të aktorëve, pra aktorët më të vjetër që dikur i quanim aktorë të fjalës, dhe aktorët e kohës që i takonin rrafshit jokonvencional. E rëndësishme në këtë shfaqje është kreativiteti tyre i ndërsjellët dhe frytnimi i përbashkët që nga skicimet e para e deri te definimi mizanskenik. Regjisori përdor skenografinë në mënyrë racionale ose thënë më direkt, në mënyrë minimale, sepse dëshiron që në qendër të vëmendjes të ekspozojë lojën dhe emocionet e aktorëve.
Me një fjalë, shfaqja “ +18” me të drejtë e fitoi titullin ‘Shfaqja më e mirë e vitit’ nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, sepse nuk na është paraqitur vetëm si një realizim skenik, por si një krijim skenik, ku çdo gjë ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer: platforma regjisoriale, vija melodike, tekstuale, pozicionimet e 14 aktorëve që me një disiplinë të spikatur funksiononin si një tërësi perfekte, me dialogje, me dritat e hijet dhe me muzikën e cila interpretohet direkt, duke bërë që instrumentalisti dhe interpretuesi të bëhet pjesë e lojës. Frymimi organik, përmes tensioneve e shpërthimeve emocionale, rrëmben shikuesin dhe arrin ta përçojë mesazhin.
Edhe pse harku dramatik është i ndërtuar me skena mjaft të vrazhda, akte dhune e dilema, regjisori ka arritur ta kontrollojë mirë estetikën duke e mbajtur larg banalitetit dhe duke i inkurajuar aktorët e rinj për guxim skenik.
Dhe krejt në fund dua t’ju drejtohem aktorëve me një shprehje të lexuar në librin e Eugenio Barba, shprehje e cila në Japoni përdorej për të falënderuar aktorët në fund të shfaqjes dhe ka domethënien: u lodhe shumë për mua, pra OTSUKARASAMA. / KultPlus.com