31 Janar, 2021 - 5:47 pm
Sot shënohet 18 vjetori i vdekjes së ikonës së artit skenik, Istref Begollit, shkruan KultPlus.
I lindur më 1 maj të vitit 1933 në Pejë, Begolli shkollën fillore e kreu në vendlindje.
Me artin filloi të ‘takohet’ që nga mosha 16 vjeçare, atëherë kur në vitin 1949 filloi punën si aktor i rregullt në Teatrin Popullor Krahinor.
Kontributin e tij artistik Istref Begolli prej vitit 1961 deri në vitin 1963 e jep në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd si bashkëpunëtor i jashtëm ku ushtron studentën në lëndën e Diksionit.
Pas tri viteve punë kthehet përsëri në Teatrin Popullor Krahinor ku punon deri në vitin 1968. Për disa vite rresht deri më 1971, Begolli vepron si aktor i lirë.
Më 1971 fillon të punojë përsëri në “TPK” gjerë me 1990, ku edhe pensionohet si aktor i këtij Teatri.
Ajo çka mbetet pas si kujtim për të janë rolet e shumta që i ka dhënë jetë. Istref Begolli arriti të jetësoj rreth 150 role në teatër, film e televizion, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit dhe kulturës shqiptare.
Disa nga rolet kryesore në shfaqjet janë: Mihali në shfaqjen “Zhelanat” e Matej Borit, në regji të Abdurrahman Shalës, Dhëndrri dhe Meriku në “Dasma” dhe “Hani në rrugën kryesore” të Çehovit, me regjisor Muharrem Qenën, Karl Fon Mori në “Cubat” e Shilerit, me regji të A. Shalës, Plaku i Parë në “Erveheja” e Ahmet Qirezit, me regji të Muharrem Qenës, Dyl Mehmeti në “Fosilet” e Azem Shkrelit, Paratovi në “Vajza pa Pajë” e Ostrovskit, Prifti në “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, në regji të Piromanit, Murtaja në “Shtetrrethimin” e Kamysë, në regji të T. Durbeshiqit, Iago në “Othello” të Shekspirit, me regji të A. Shalës, Magbethi në “Magbethi” të Shekspirit, si dhe shumë të tjera..
Ndër rolet më eminente të luajtur në më se 20 filma artistik janë roli i Pavie Shatev në filmin “Atentatorët e Selanikut” i Zhika Mitroviqit, Deliu në “Era dhe Lisi” i Besim Sahatqiut, Prifti në “Proka” nga Isa Qosja, Fatmir Gashi ne “Përroi Vërshues” i Besim Sahatqiut, Polici në “Si të vdiset” i M. Stamenkoviqit, Otos në “Sulmi i kuq” i Predrag Golluboviq, Trobërku në “Mali i Leiejit” i Zdravko Velimiroviqit, etj.
Nga rolet në filmat televiziv duhet veçuar: Plaku në “Të ngujuarit” me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut, Kostë Kasapi në “Kulla”, sipas Anton Pashkut e në regji të Agim Sopit, Inspektori në “Dhembja krenare”të Ismail Ymerit, Kabili në “Vallja e Çmendur” me skenar dhe regji nga Isa Qosja, Ati në “Vjeshtën e Trëndafilave”, me skenar të Veli Karahodës e në regji të Agim Sopit, etj.
Në anën tjetër, Istref Begolli është edhe fitues i shumë shpërblimeve si çmimi i parë për rolin e Dyl Mehmetit në shfaqjen “Fosilet”, shpërblimin e dhjetorit për veprimtari të frytshme në lëmin e Teatrit dhe Filmit, në Takimet Teatrore “Joakim Vujiq” të mbajtura në Kragujevc merr vendin e parë për rolin e Priftit në shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë dhe plotë të tjera, që janë dëshmi e vlerve të mirëfilta artistike të tij.
Istref Begolli ndërroi jetë tragjikisht ne një ditë acari më 31 janar të vitit 2003 në spitalin e Krapinske Toplices në Republikën e Kroacisë. Ai i takon plejadës të aktorëve që vunë themelet e Artit Skenik në Kosovë.
Sot Teatri i Pejës në nderim të veprimtarisë së tij të bujshme, mban emrin e tij. / KultPlus.com