1 Tetor, 2023 - 7:30 pm
Era Berisha
Akorët si: Adrian Morina, Flaka Latifi, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, me lojën e tyre të paparë, kanë jetësuar mbrëmë premierën e shfaqjes “1984” që erdhi nën regjinë e regjisorit francez Igor Mendjisky. Shfaqja vjen e bazuar në romanin ikonik të autorit George Orwell, por ajo që e ka bërë këtë shfaqje të dalë përtej imagjinatës, ka qenë trajtimi i dramaturgjisë nga Zoga Çeta Çitaku, rrezatimi depërtues i esencës së veprës si dhe aktrimi i tetë personazheve thellësisht të komplikuar por edhe të thjeshtë në vetvete, shkruan KultPlus.
Pasi të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre përbrenda hapësirës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, mu në skenë ata u vendosën ballë me aktorët që gjendeshin nëpër pozicionet e tyre përkatëse. Loja nisi fiks në orën 20:16 e së bashku me të, si rrjedhë uji u lëshua një mjegull e lehtë që u shpërnda horizontalisht në ambient, duke paralajmëruar realitetin distopik që përmban në thelb vetë vepra letrare.
Një nga një, aktorët procesojnë të prezantojnë “veten” e tyre para publikut, por tërë këtë shtjellim e tutje do ta drejtojë si një shkop magik, O’Brien (Adrian Morina), i cili me shikimet e tij tinëzake kafshon mendimet e gjithsecilit. “1984” sjellë para nesh historinë e Uinston Smith (Ylber Bardhi), djaloshi i cili tërë kohës lufton për copëza të vogla dashurie, lirie e vërtetësie si dhe Xhulias (Flaka Latifi), vajza që ipet lehtësisht pas shikimeve të para të Smithit dhe kësisoj fillojnë të lindin ndjenjat e para mes tyre. Por kjo nuk është thjeshtë një dashuri e zakonshme. Në këtë histori i përfshirë është ‘Big Brother’ i cili mendërisht dhe fizikisht, hyn brutalisht në jetën e tyre dhe përmbys gjithçka, duke krijuar kështu botën ideale të tijën, aty ku mosbesimi dhe dhuna, shkelin këmbë mbi çdo trup.
Majat e larta të intensitetit që tronditin audiencën vijnë të shoqëruara nën melodi të qëlluara nga kompozitori Trimor Dhomi dhe së bashku me reflektorët që ndërronin ngjyrat herë pas here, krijonin një ambient ku portretizohej më së miri egërsia provokative e pushtetit. Shfaqja në Kosovë ka ardhur e adaptuar për herë të parë posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez Mendijsky dhe një bashkëpunim i tillë ka qenë tejet i nevojshëm për të shpalosur një kryevepër të tillë të përmasave botërore.
Orwelli në vepër trajton një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikëqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ka qenë pikërisht historia e dashurisë së çiftit protagonist, Uinston dhe Xhulia. Pas disa situatave të ndryshme, Uinston detyrohet të rrëfejë për mendimet e tij që sipas pushtetit janë jo korrekte dhe kësisoj publiku shndërrohet në dëshmitarin e heshtur të torturave nëpër të cilat kalon ai. Refuzimi i tij për të pranuar realitetin e manipuluar të Partisë, i sjell atij fundin.
Hetuesi i tij, O’Brien ka ndarë plotësisht mendjen se populli nuk do të revoltohet dhe sipas tij, ata nuk do të shikojnë nga ekranet e tyre aq gjatë sa të vërejnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Andaj, kërcënimet e tij ngjallin frikë të tmerrshme brenda shpirtit luftarak të Uinstonit. Mendja e tij hyn në një vijë të paqartë, derisa arrin tek një pikë ku e pyet edhe veten se a ka ekzistuar vetja e tij. Tani për të, të gjitha momentet ku ka menduar për mikrofonat e fshehtë, teleekranët, monitorët e kudogjendur, po shndërrohen në iluzione.
Fatet personale të dy personazheve kryesorë duket se përcaktohen nga vendimi i Charrington, personazhi që spiunon takimet e tyre tek Policia e Mendimit. Ngushëllimet e Uinstonit dhe Xhulias mes tyre, tanimë nuk kanë asnjë kuptim. Ferri i ashpër i dhomës 101, po i pret të dy personazhet. Edhe pse audienca sheh pasojat e përgjakshme dhe jo aktet, masakra të bënte që të dridhesh në karrige.
Po ashtu, përdorimi i guximshëm i videove e tingujve që lëshoheshin papritmas përgjatë shfaqjes e cila zgjati plot dy orë, ishin sinjalizues për një përkushtim të lartë të gjithsecilit. Në anën tjetër, skenografia nga Mentor Berisha qe diçka që ka rrëmbyer vëmendjen që në sekondat e para. E krejt kjo për të përcjellë ndjenjën e terrorit klaustrofobik të një shteti totalitar.
“1984” është një shfaqje që akoma jehon edhe sot nëpër botë. Meritat letrare të Orwell-it janë ngjallur në secilën epokë dhe çdo herë pas tyre, njeriu përbrenda vetes ka stimuluar reflektime të shumta për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Igor Mendjisky.
“Unë mendoj se kur Orwelli ka shkruar veprën ka menduar që ajo të jetë një satirë dhe më pastaj bëhet një novelë e parashikueshme. Është një çështje më universale. Kjo është hera e parë për mua që po punoj me një trupë të një shteti tjetër dhe puna me aktorët ka qenë me të vërtetë një aventurë e paparë. Bashkëpunimi me TKK-në ka qenë fantastike. Ajo se çfarë më pëlqen shumë nga shfaqja është mënyra e adaptimit që kam bërë unë. Pra, vendosa historinë e dashurisë në qendër të vëmendjes dhe fundi i shfaqjes asisoj është bërë më i rrezikshëm dhe më i stuhishëm. Mendoj se aktorët këtu kanë diçka brenda tyre për ta luajtur këtë shfaqje. Nuk e di saktësisht se çka, apo nëse lidhet me situatën e shtetit, por e ndjej se ka diçka në trupin e tyre.”
Ndërsa, aktori Adrian Morina i cili erdhi në dy role të ndryshme në skenë, për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes në një kohë prej tridhjetë ditësh.
“Në konceptin e këtij dramatizimi, personazhi im i tërheqë të gjitha levat por vjen deri tek pjesa që tregon pushtetin e tij, në një mënyrë gati të pavërejtur. Natyrisht, është një rol negativ, ndonëse mu kanë bërë të shpeshta, më pëlqejnë për shkak se të japin mundësi për kreativitet në interpretim. Jam shumë i lumtur me krejt punën që e kemi bërë. Është një kryevepër e letërsisë dhe ka marr kohë deri në kuptimin e qasjes regjisoriale. Nuk e besoj që e ka inskenu dikush në këtë mënyrë më herët. Nëpërmjet një historie dashurie, është pruar edhe diktatura, natyrisht me një intervenim të vogël artistik që e bën regjisori në fund të shfaqjes, duke i ringjallë personazhet dhe duke jep kështu një dritare shprese për të ardhmen.
Procesi ka qenë tepër i shkurtë për shkak të datave të regjisorit, duke marrë parasysh se ai është një nga regjisorët më të mirë në Francë sa i përket gjeneratës së re. Roli ka qenë sfidues e sidomos ai i narratorit, në të cilin nuk ke shumë mundësi si aktor për të luajtur dhe dialogon me vetveten dhe publikun. Ka qenë e vështirë mënyra poetike e tekstit, andaj edhe kam pasur frikë shumë. Është çmenduri për të realizuar shfaqjen në një kohë kaq të shkurtër por e kemi ndje në çka jemi futur dhe për çka po punojmë. Sonte u dëshmua ajo se kur e bën një shfaqje të mirë, vërehet edhe tek njerëzit, ndaj të cilëve shihej një mungesë për të parë diçka të gjallë, për të parë një botë magjike që po na mungon neve. Ky tekst për neve, duket më i qëlluar sepse ne kemi çka të dhurojmë nga shpirti jonë.
Pas gjithë kësaj shfaqje, unë kam dalë si një njeri më i mirë.”
Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”1984” do të vijnë me datat: 5, 6, 7, 24 dhe 25 tetor. / KultPlus.com