24 Mars, 2024 - 11:30 am
Xhevat Qena ka luajtur qindra role në teatër. Rolin e parë kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai të jetë një prej aktorëve më të kërkuar në komedi, megjithëqë, siç pohon ai në një intervistë të tij, më tepër e ka dashur dramën: “Unë e kam dashur dramën se e kam në vete njëfarë dramaciteti, e kam njëfarë fuqie për dramë… P.sh., roli që më ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një te çmenduri, në dramën “Oda e errët”. Gati jam çmendur edhe vetë, duke u thelluar në atë rol”. Kolegët dhe njerëzit që njohin potencialin e tij, mendojnë se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak në drama.
Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role të dyta apo madje edhe të treta. Aktori Dibran Tahiri pohon se kur në ndonjë shfaqje teatrore ka partner Xhevat Qenën, ndien siguri të madhe. Xhevat Qena mund të përshkruhet si aktor që ka një aftësi të jashtëzakonshme të mbajë të përqendruar vëmendjen e publikut. Është shumë sugjestiv, aktor që, siç shprehet ai vetë, është përpjekur gjithmonë të jetë “përdhesë”, i “tokës”. Krijon improvizime, por gjithmonë në kontekst të batutës së partnerit, në kontekst të situatës në të cilën ndodhet personazhi që ai luan.. .”Edhe nëse Xhevati ka luajtur vetëm në një skenë të vetme, nuk ka qenë e mundur të kalojë ‘pa u hetuar’ prej publikut. Xhevati është aktor që di t’i krijojë hapësirë vetes…”, shprehet aktorja Igballe Qena.
Qena la pas vete një pasuri të madhe kulturore, duke qenë i dalluar me stilin e tij të aktrimit dhe me rolin e tij të dallueshëm në paraqitjet e tija, ndërsa së bashku me gruan e tij Leze Qena, i hasim në shumë produksione televizive dhe filma.
Duke qenë si një nga personazhet kryesore dhe më të mëdha të kulturës shqiptare, Xhevat Qena ka luajtur në teatër ndërmjet viteve 1956- 1957.
Një prej roleve më të suksesshme të Xhevat Qenës është padyshim ai në shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, të Sartrit, në të cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, pastaj shfaqja “Ushtari i mirë Shvejk”, në regji të Abdurrahman Shalës, ku Xhevat Qena luan rolin e Shvejkut, një personazh tragjikomik. Mandej, në shfaqjen “Vinetu” (vitet e 60-ta), në të cilën luan rolin kryesor, atë të Vinetus, personazh i njohur i filmave uestem të asaj kohe. /KultPlus.com