5 Janar, 2019 - 2:36 pm
Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, do të ngjitet në skenën e Operës Mbretërore në Londër nga data 14 janar. Edhe kësaj here vjen nën petkun e Violetës tek opera “Traviata” e Xhuzepe Verdit. Deri më tani artistja me origjinë shqiptare e ka interpretuar këtë rol mbi 255 herë në skenat ndërkombëtare, megjithatë ajo gjen përherë diçka të re, për t’ia transmetuar publikut
Vazhdimisht e krahasojnë me Maria Callas, Ermonela Jaho është ekuilibri i përsosur i vendosjes dhe ndjeshmërisë. Aftësia e saj për t’u bërë mishërim i plotë i karaktereve të saj, e ka lejuar Jahon të paraqesë interpretimet ‘emocionalisht shkatërrimtare’ të heroinave dramatike më pjellore.
Këto ditë Jaho është në Londër për të ngjitur “Traviatën” në Operën Mbretërore në Londër. Për mediet e huaja, Jaho rrëfen se për herë të parë ka kënduar kur ishte vetëm pesë vjeç në një festival në Tiranë. Ndërsa, kur ishte 14 vjeç opera e parë që ka parë në skenë është “Traviata” e Xhuzepe Verdit. Nuk dinte asgjë për të, por që prej herës së parë që e pa ra në dashuri me këtë opera. Në ato momente një derë është hapur për Jahon, aq sa do të vendoste se çfarë do të bëhej.
Tanimë e ka interpretuar në skenë mbi 255 herë, por sërish e ëndërron. Ndien një liri të plotë gjatë këndimit, duke e ndier veten më rehat sesa në jetën reale.
Performancat e Jahos vazhdojnë që të ndryshojnë edhe për shkak të përvojës jetësore. Emocionet e saj zhvillohen së bashku me personazhet. Në Traviatën e parë ndihej si në një film rocky, e rraskapitur, por sa herë që e bën këtë rol tani gjen diçka të re. Ndonëse, në skenë duke kënduar jetën e dikujt tjetër, megjithatë ndjenjat njerëzore që përcjell, ajo i gjen thellë brenda vetes,
Madam Butterfly, Traviatta dhe suor Angelica, tre personazhe dramatikë, tre gra në të cilat Jaho admiron forcën që ato kanë, madje tek ato gjen gruan shqiptare. Gjen mënyrën se si ato kanë sakrifikuar edhe kanë dhënë gjithçka me dashuri në jetën e tyre, cilësi këto që i gjen edhe brenda vetes.
Edhe këtë janar në Opera Royal rikthehet me Traviatën, sepse ëndrra e saj nisi me Traviatën. Debutimi i parë në Shtëpinë Mbretërore të Operës ishte më vitin 2008, megjithatë lidhja e saj me audiencën e Londrës vazhdon që të jetë shumë e rëndësishme për të, çdo herë përjeton emocione të reja.