26 Korrik, 2018 - 1:00 pm
Në një kohë që disa prej artistëve vijojnë të protestojnë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, një grup artistësh i kanë dërguar sot një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, si dhe Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ku shprehen pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.
Në peticionin e firmosur nga emrat e mëdhenj të skenës shqiptare, kërkohet që të mos humbet kohë, por të nisë sa më parë ndërtimi i Teatrit të ri.
Mes emrave që kanë firmosur peticionin kanë aktorët Robert Ndrenika, Luftar Paja, Alfred Trebicka, Leka Bungo, Albert Minga, Arben Derhemi, Zamira Kita etj.
Bie në sy se mes emrave është edhe Suela Konjari, ish-Drejtoresha e Teatrit Metropolitan në kohën e PD dhe kandidate për këshillin kombëtar të PD.
“Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, dëshirojmë t’iu bëjmë me dije dhe të shprehim vullnetin tonë me anë të këtij peticioni të hapur, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern, ku t’i shërbej të gjithë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës. Ritheksojmë, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, në truallin e tij dhe pa cenuar asnjë centimetër të kësaj prone. Le të mos humbasim me kohë, por t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të ardhmes”, shkruhet në peticion.