22 Gusht, 2019 - 6:46 pm
’55 shades of gay’, shfaqja me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Neziraj do të jepet në Beograd.
Shfaqja do të jepet në Beograd gjatë Javës së Krenarisë së komunitetit LGBT, me datë 10 shtator duke filluar prej orës 20:00 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në kryeqytetin serb.
Në shfaqje luajnë Tristan Halilaj, Alketa Sylaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi e Luan Durmishi (vokal).
‘55 shades of gay’ është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve, ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.
‘55 shades of gay’ është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.
Qendra Multimedia nga Prishtina që është konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante dhe provokative nga Evropa Juglindore’, ka sjellur me shfaqjen ‘55 shades of gay’, një performancë argëtuese politike dhe provokative. / KultPlus.com