3 Mars, 2019 - 11:00 am
Shfaqja kontroverse “55 shades of gay” e Qendrës Multimedia nga Kosova, do të shfaqet për 9 net me radhë në Off-Broadway të New York-ut, në teatrin legjendar La MaMa.
Shfaqja do të luhet në gjuhën angleze dhe shqipe, nga data 7 deri me datën 17 mars, në skenën Ellen Stewart, që është skena kryesore e teatrit La MaMa.
“55 shades of gay” është shkruar nga Jeton Neziraj, regjinë e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë: Tristan Halilaj, Alketa Sylaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi e Luan Durmishi (vokal).
Qendra Multimedia nga Prishtina që është konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante dhe provokative nga Evropa Juglindore’, ka sjellur me shfaqjen ‘55 shades of gay’, një performancë argëtuese politike dhe provokative.
‘55 shades of gay’ është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve, ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.
Pyetja që shtron shfaqja është: a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?
‘55 shades of gay’ është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.
Drama në anglisht është përkthyer nga Alexandra Channer. ‘55 shades of gay’ në Amerikë është botuar nga shtëpia botuese Laertes press.
Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao, menaxhere e skenës: Lendita Idrizi, ass. e regjisë: Verona Koxha, mjeshtër i dritave: Mursel Bekteshi.
Realizimi i kësaj shfaqje është mundësuar nga The Olof Palme International Center, Zyra në Kosovë e Unionit Evropian dhe Goethe Institute. Turneu i shfaqjes në Amerikë është mundësuar nga Trust for Mutual Understanding, Open Society, Rockefeller Brothers Fund dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Video trailer i shfaqjes: https://www.youtube.com/watch?v=qzNwo3m72OM