11 Maj, 2024 - 7:31 pm
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se gjashtë fakultete të UP-së kanë kontribuuar në hartimin e projektit për restaurimin/rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Projekti për restaurimin/rinovimin e tërësishëm të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës u hartua nga profesionistë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e UP-së.
Përveç restaurimit/rinovimit që do të bëhet, projekti parasheh edhe hapësira të reja dhe kushte të dinjitetshme për aktorët dhe stafin, në veçanti për publikun e gjerë.
Projekti tashmë ka marrë pëlqimin përfundimtar nga Komisioni i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Stafi i UP-së është vazhdimisht i angazhuar dhe mbetet i përkushtuar për të kontribuar me ekspertizën e tyre në interes publik”, ka njoftuar UP-ja.