13 Mars, 2024 - 9:30 am
Blerim Valla
Sot 7 vjet u nda nga jeta, Hadi Shehu, njëri prej aktorëve më të mirë shqiptar, i cili ka krijuar identitetin artistik të Kosovës. Ai ishte një prej aktorëve kryesor të epokës së artë të teatrit dhe filmit kosovar të viteve ’70 – ta e ’80 – ta. Sot kur po shënohet kjo ditë, pa të madhin Hadi Shehu, të gjithë adhuruesit e skenës dhe filmit shqiptar e kujtojnë me nderim dhe respekt figurën e tij madhështore prej njeriu dhe aktori të jashtëzakonshëm, por edhe kontributin e tij kolosal në teatrin dhe kinematografinë e skenës shqiptare, duke veçuar sidomos rolet e tija të shumta dhe të famshme në Teatrin e Gjakovës, që sot mban emrin e tij.
Hadi Shehu u lind në vitin 1949 në Gjakovë dhe famën e tij e arriti në skenën teatrore të Gjakovës e më pas, fal talentit të tij të jashtëzakonshëm prej interpretimit, fizikusit dhe timbrit të tij dallues dhe pasionit të madh për artin dramatik, Hadi Shehu shkëlqeu në shumë skena teatrore shqiptare dhe nëpër shumë produksione kinematografike shqiptare. Ai la gjurmë të pashlyeshme posaçërisht në Teatrin e Gjakovës, ku me rolet e tij mbi katër dekada, Hadi Shehu luajti një rol vendimtar në promovimin dhe zhvillimin e artit dramatik në Gjakovë, kurse më pas ai u bë aktori kryesore i skenës teatrore mbarëkombëtare.
Për rolet e tij të jashtëzakonshme Hadi Shehu u vlerësua dhe u nderua me shumë çmime e mirënjohje në shumë festivale të teatrit dhe për shume role filmike në Kosovë dhe më gjerë. 7 vjet pas largimit të tij nga skena dhe jeta, emri i Hadi Shehut mbetet në mbamendjen e shumë dashamirëve të teatrit e filmit, por ai do të mbetet edhe një model dhe një burim frymëzimi për gjeneratat e reja të aktorëve shqiptar.
Me emërtimin e Teatrit të Gjakovës me emrin e tij, trashëgimia e tij tejet e pasur artistike do të jetë gjithmonë e pranishme në qytetin e tij të lindjes. Tashmë kur 27 Marsi – Dita Botërore e Teatrit po afrohet, aktori i mirënjohur Hadi Shehu, as këtë vit nuk e ka pritur këtë ditë të shenjtë për aktorët.
Ai ka ndërruar jetë para 7 vitesh në moshën 68-vjeçare. Shehu ishte një nga aktorët më të mirë të teatrit dhe filmit shqiptar. Ai ishte padyshim njëri nga aktorët i cili ka krijuar identitetin artistik të Kosovës. Një nga figurat kryesore të epokës së artë të teatrit dhe filmit kosovar të viteve ’70 e ’80. Si një nga aktorët më të shquar të skenës sonë teatrore dhe filmike, aktori Hadi Shehu, për plot 40 vjet, prej vitit 1976 e këndej, me mbi 170 rolet e tij, përkatësisht me pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij skenike, identifikohet kryesisht me Teatrin e Gjakovës, ndërkohë që, me disa nga kryerolet e tij filmike, ai vlerësohet si një nga yjet e televizionit dhe të kinematografisë sonë kombëtare.
Me emrin, jetën dhe veprimtarinë e tij artistike e publike identifikohet edhe një periudhë e gjatë dhe e rëndësishme e drejtimit të Teatrit të Gjakovës të cilin ai e udhëhoqi, prej vitit 1981 – 1996 dhe më pas prej vitit 1999 – 2006. Me ikjen e tij në amshim tash e 7 vite Teatri i Gjakovës do ta ketë një aktor të papërsëritshëm më pak. Ai ishte babai i teatrit të Gjakovës, njeri nga themeluesit e këtij teatri që ka dhënë shumë emra aktoresh të njohur. Ai ishte aristokrati – mbreti i skenës teatrore të Gjakovës!
Maestro faleminderit që ishe model frymëzimi për mua! Do të jem përherë mirënjohës për mbështetjen tënde drejt rrugëtimit tim në fushën e kulturës, teatrit dhe gazetarisë!
Mes roleve të shumta të Hadi Shehut veçohen ato në shfaqjet “Fisheku në pajë” (Gjeloshi), “Epoka gara Gjyqit” (Sulejman Vokshi), “Pjata e drunjtë” (Lon Denisoni), “Dragoi i Dragobisë” (Bajram Curri),”Pirrua” (Pirrua), ”Armiku i popullit” (Dr. Stokmani), “Halili e Hajria” (Halili), e shumë të tjerë Kurse në role filmike veçohen interpretimet e tij n filmat “Si të vdiset” , “Kur pranvera vonohet”, “Era dhe Lisi” , “Gjurmë të bardha”, “Përroi vërshues”, “Pikniku”,“Kur shpirti ndërron jetë” (2001), “Azem Galica” (2011) etj, si dhe në video produksionet “Buka e hidhur”, “Rruga pa kthim”, “Fantazmat lodrojnë”, “Vrasësit bëjnë dasëm natën”, etj.
Për kontributin e tij të madh dhe krijimtarinë e tij të bujshme teatrore dhe filmike është shpërblyer me çmime të shumta si “Shpërblimi i Dhjetorit”, “Medalja e Punës”, “Çmimi për të Arriturat Artistike” (Beograd) për rolin e Betim Kosovës në filmin “Kur pranvera vonohet”, “Shenja e Artë” (Trebinje), si dhe me mirënjohje të shumta në festivale të ndryshme. Ai është nderuar poashtu me “Çmimi për Vepër Jetësore” (2005) nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, “Medalja Presidenciale e Meritave” (2013) nga Presidenca e Republikës së Kosovës, “Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore” (2012) nga MKRS etj. / KultPlus.com