11 Janar, 2024 - 6:07 pm
Në 11 janar 1953, në Durrës, themelohej teatri profesionist me emrin e aktorit të madh me famë botërore “Aleksandër Moisiu”.
Ishin 14 aktorë, një pjesë e mirë tepër të angazhuar në lëvizjen amatore, të cilët themeluan këtë teatër duke nisur historinë e një tradite të mirëfilltë teatrore në shtëpine e parë të teatrit durrsak, ish-kinemanë “14 nëntori”.
Veprimtaria kryesore e teatrit “Aleksandër Moisiu” lidhet kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila u përurua më 4 shkurt të vitit 1965.
Ky rrugëtim 71-vjeçar numëron mjaft tituj, çmime e arritje në rang kombëtar e më tej nga aktorët, regjisorët si dhe artistët e profileve të tjerë të këtij teatri.
Në një postim në faqen e tij online, Teatri “Aleksandër Moisiu” shkruan se numeron mbi 235 premiera dhe ka tashme një trupë të konsoliduar aktorësh. “Shfaqjet po ridimensionojnë profile të rinj aktorësh me ambicie, përkushtim e shumë dëshirë, duke na dhënë besim për t’a vijuar më tej traditën, në vitet që do të vijnë”, shkruhet nga Teatri “Aleksandër Moisiu”. /ATSH /KultPlus.com