17 Nëntor, 2023 - 3:57 pm
“8 aktore, 8 histori gruaje” është shfaqja më e re që do të vihet në skenën e Qendrës së Artit Agimi, në një mbrëmje të veçantë kushtuar gruas. Me ide e realizim të regjisores së Teatrit “Aleksander Moisiu”, Niada Saliasi, kjo shfaqje vjen për të sensibilizuar mbi dhunën ndaj gruas dhe padrejtësitë e shkaktuara prej shoqërisë tonë.
Ky rrugëtim nisi para tri vitesh në Teatrin “Aleksander Moisiu” ku u soll për herë të parë në Shqipëri “Këpucët e Kuqe”. Këtë vit, kësaj nisme i janë bashkuar emra të tjerë si, Anisa Markarian, Diana Culi, Elvira Dones, Vilma Dule me historinë e saj, Elga Mitre, Niada Saliasi, Monika Lubonja, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Rudina Dembacaj e Alesia Xhemalaj.
Sonte, në ora 18:00, do të vijë ekskluzive për këtë përmbledhje, historia e vërtetë e aktivistes Vilma Dule, shkruar nga Anisa Markarian. Gjithashtu një fragment nga romani “Dreri i trotuareve” i shkrimtares Diana Çuli, “Yjet nuk vishen kështu” i Elvira Dones etj.
Aktorja Alessia Xhemalaj do të sjellë historinë e vërtetë të Anës, me urimin që histori të tilla të mos ndodhin më kurrë.
Aktiviteti në Qendrën e Artit Agimi vjen me mbështetjen e AWEN dhe kujdesin e kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako. / atsh / KultPlus.com