28 Janar, 2021 - 3:40 pm
Sot shënohet 85 vjetori i lindjes së artistit të humorit, Xhemal Myfitu, shkruan KultPlus.
I lindur në Tiranë më 28 janar të vitit 1936, Myftiu që në moshën e re krijoi një lidhje shpirtërore me artin, e veçmas me humorin.
Ndër elementetet që ai i zotëronte më së miri ishte pantomima.
Artisti që në moshë të re kishte interpretuar fragmente të ndryshme me trupat amatore dhe më pas u bë pjesë e estradës amatore në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” të qytetit të Tiranës.
Për shkak të suksesit që ai pati me këtë grup dhe për cilësitë e mira interpretative, artisti shumë shpejtë, pra në vitin 1964 u emërua dhe u bë pjesë e trupës profesioniste të “Estradës së Shtetit” ku do të interpretonte për afro 50 vjet figura të cilat janë gdhendur në memorien e spektatorëve. Ai gjithashtu gjatë karrierës shumë vjeçare ka qenë pjesë edhe i disa produksioneve kinematografike.
Figura artistike që do ta bënte edhe më të njohur në zhanrin e komedisë dhe estradës ishte pikërisht karakteri rural i zonës së Shqipërisë së mesme dhe sidomos atë Tiranase.
La pas vetes interpretime të shumta, të cilat përfshijnë “Borgjezi Fisnik”, “Tre dhëndurët”, “Shporta me karavidhe”, “Përse bie kjo daulle”, “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Koncert në vitin 36” dhe shumë vepra tjera të artit komik. / KultPlus.com