90-vjetori i lindjes së tenorit-ikonë Gaqo Çako

24 Janar, 2025 - 2:30 pm

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kujtoi sot, në 90-vjetorin e lindjes, tenorin Gaqo Çako (24 janar 1935 – 1 gusht 2018), mbajtës i titullit të lartë “Nder i Kombit”.

Gaqo Çako dha një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe në artin shqiptar në tërësi.

TKOB kujton se, mjeshtri Çako interpretoi rolet kryesore të repertorit të pasur operistik, duke shënuar tri dekada të arta në skenën e madhe të operës shqiptare. Performancat e tij e ngritën artin operistik shqiptar në nivele të larta artistike dhe teknike.

Repertori i tij përfshinte vepra të famshme botërore si: La Traviata, La Bohème, Rigoletto, Norma, Cavalleria Rusticana, “Peshkatarët e Perlave”, Madame Butterfly, si dhe operat shqiptare: “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, “Pranvera”, “Heroina”, “Skënderbeu”, “Komisari”, “Zgjimi”, “Toka jonë” dhe “Goca e Kaçanikut”.

Gaqo Çako interpretoi një repertor të gjerë që përfshinte arie, romanca, këngë popullore të përpunuara dhe muzikë të lehtë, të performuara në qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit, në Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë e Kubë. Ai ishte një ambasador i kulturës vokale shqiptare, duke sjellë në interpretim këngët tradicionale popullore shqiptare dhe këngët e festivaleve të Radios.

Si pedagog i shquar i kantos në Akademinë e Arteve, Çako ka lënë pas një trashëgimi të vyer, me shumë nga studentët e tij që sot luajnë role të rëndësishme në jetën muzikore shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai kontribuoi gjithashtu si regjisor, duke vënë në skenë vepra të rëndësishme operistike.

Gaqo Çako mbetet një ikonë e artit dhe muzikës shqiptare, një shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe një figurë që do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe krenari./ KultPlus.com

Të ngjajshme