24 Janar, 2024 - 1:38 pm
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit përkujtoi sot, në 95 vjetorin e lindjes njërin prej figurave më të rëndësishme të artit shqiptar, “Artistin e Popullit” Nikolla Zoraqi.
Kompozitori, Nikolla Zoraqi, radhitet ndër ato figura që kanë dhënë një kontribut të çmuar për kulturën shqiptare. Një kompozitor me një diapazon të gjerë krijues, ai ka krijuar vepra në të gjitha gjinitë muzikore, që janë luajtur në aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare, dhe janë vlerësuar me çmime të shumta.
Kompozimet e tij janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga Orkestra e TKOB-së, Orkestra e RTSH, Orkestra e Akademisë së Arteve, Orkestra e Liceut Artistik dhe nga trupa të ndryshme korale dhe instrumentale. Krijimtaria e tij muzikore përfshin që nga përpunimi i këngës popullore, këngë të lehta, këngë për fëmijë, muzikë simfonike që nga pjesët e vogla instrumentale, uvertura e deri në rapsoditë, koncertet e poema simfonike.
Është autor i veprave të mëdha skenike, opera e balete si: “Cuca e maleve”, “Historia e një kënge”, “Tokë e pamposhtur”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada”, “Paja”, etj. Për aktivitetin e tij Nikolla Zoraqi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë, ndër të cilët çmimi i Republikës për baletin “Cuca e Maleve”, titulli “Artist i Merituar” dhe titulli “Artist i Popullit”./atsh /KultPlus.com