21 Nëntor, 2018 - 7:21 pm
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i teatrit, Erson Zymberi, kanë konfirmuar angazhimin e përbashkët për realizimin më të mirë të mundshëm, të aktiviteteve në kalendarin e festave të nëntorit dhe njëkohësisht kalendarit kulturor të këtij institucioni, i cili është duke shënuar hapa pozitiv dhe shndërrimin në një storie të suksesit për këtë vit, por edhe stabilitet në fushën financiare.
“Teatri i Gjilanit këtë vit ka shënuar suksese në fusha të ndryshme që nga shfaqjet të cilat janë realizuar nga aktorët e qytetit tonë, nga pjesëmarrja e suksesshme në shumë festivale regjionale e ndërkombëtare e deri të stabilizimi i këtij institucioni kulturor edhe në aspektin financiar. Risi këtë vit ka qenë edhe themelimi i Teatrit Magjik dhe kthimi i jashtëzakonshëm i shikueshmërisë për shfaqjet teatrale”, ka thënë Haziri.
Ai më tej ka potencuar që së bashku me profesionalizmin që ka ky institucion, do të bëhet edhe organizimi kualitativ i kalendarit të festave të nëntorit dhe njëkohësisht kalendarit kulturor.
Nga ana e tij, drejtori Erson Zymberi, ka falënderuar kryetarin për angazhimin dhe mbështetjen që i ka dhënë këtij institucioni të rëndësishëm kulturor dhe ka konfirmuar angazhimin maksimal për të shënuar hapa pozitiv gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm që Gjilani të ketë vlera të larta artistike, kulturore e profesionale në teatër.
Ndryshe, pos tjerash është konfirmuar se këtë vit janë bërë investime mbi 100 mijë euro në teatër, derisa konfirmimi për investime shtesë edhe në të ardhmen do të jetë në koordinim me kryetarin e Komunës, i cili ka potencuar që do të jetë mbështetje e fuqishme që jeta teatrale dhe kultura në përgjithësi të shënoj progres dhe tërheqje të qytetarëve.