13 Dhjetor, 2023 - 12:58 pm
Drejtoresha e përgjithshme e TKOB, Abigeila Voshtina, është vlerësuar me medaljen “Shqiponja e Artë” nga Klik Ekspo Grup.
Në motivacionin e lexuar nga aktori dhe regjisori i madh shqiptar, Mevlan Shanaj, vlerësohet vizioni i saj, në drejtimin e TKOB, që e ka kthyer atë në një institucion në qendër të vëmëndjes së spektatorëve çdo ditë e më shumë.
“Për drejtimin e saj vizionar të Teatrit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, duke e shndërruar në një qendër të gjallë të suksesit dhe të shkëlqimit kulturor, dhe në përvjetorin e tij të 70-të, TKOB shënon majat me numrin e spektatoreve dhe ndjekësve më entuziastë, magjepsur nga programi dhe performancat e artistëve të jashtëzakonshëm, nën kujdesin dhe manaxhimin bashkëkohor, largpamës dhe tejet profesional e me shpirtin e rrallë artistik të Znj. Voshtina”- thuhet në motivacionin e kësaj medaljeje.
Nga ana e saj, drejtoresha e TKOB, u shpreh se puna për rritjen e cilësisë artistike do të vijojë.
“Artistët e TKOB janë një pjesë e pa ndarë e asaj që është identiteti ynë kulturor. Shqipëria nuk është vetëm male dhe fusha, por ne jemi edhe këta, artistë bashkëkohorë evropianë. Dhe unë do të tentoj çdo ditë, dhe do të bëj të pamundurën, që teatri të kthehet në një qendër, minimumi evropiane.” – tha Voshtina gjatë fjalës së saj.
Ky vlerësim përkon edhe me 70-vjetorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, festimet për të cilin kanë nisur në datën 27 nëntor, dhe do të vijojnë deri në fund të vitit./atsh/KultPlus.com