Adelina Paloja dhe Ismet Vejseli, dy rolet kryesore në shfaqjen operistike “Goca e Kaçanikut”

30 Janar, 2024 - 2:00 pm

Një ngjarje e jashtëzakonshme po përgatitet në skenën kulturore të Kosovës. Pas 53 vitesh ekzistence si vepër kombëtare, opera “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi do të shfaqet për herë të parë e inskenuar në tërësi në Kosovë, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, provat e para regjisoriale kanë filluar sot, duke përfshirë solistët dhe korin në përgatitjet e shfaqjes. Puna ka filluar me shumë profesionalizëm dhe vullnet, ndërsa regjisori po drejton me pasion këtë projekt.

Dy artistët kryesorë në këtë shfaqje janë sopranoja Adelina Paloja në rolin e Pafikës dhe tenori Ismet Vejseli në rolin e Trimorit.

Adelina Paloja ka ndarë një pamje nga provat duke shkruar: “Për këtë muaj do të jem Goca e Kaçanikut – Pafika. Sot, në provat e regjisë së operës. Premierë absolute pas 53 vitesh”.

Ndërsa tenori Ismet Vejseli shprehet shumë i lumtur që po debuton në Operën e Kosovës me rolin e Trimorit.

“Te dashur miq,
Jam shumë i lumtur që në fund të shkurtit do të debutoj në Operën e Kosovës me rolin e Trimorit të operës “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi.
Kjo operë është premierë absolute në Kosove pas 53 viteve, të cilën do e vendosi në skenë regjisori Nikolin Gurakuqi, i cili ka punuar më shumë se 80 opera në jetën e tij…
Falënderoj drejtorin Meriton Ferizi dhe dirigjentin Edon Ramadani për mundësinë!
Të gjithë kolegëve për këtë muaj toi toi toi!”, shkruan tenori Vejseli.

“Goca e Kaçanikut”, opera e parë kosovare, bënë fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë.

Premiera e kësaj shfaqje ishte planifikuar të jepej më 28 nëntor të vitit që e lamë pas, por për shkaqe teknike ajo u shty për muajin shkurt dhe me këtë rast po vjen si aktivitet kryesor për nderë të pavarësisë së Kosovës.

Premiera pritet të vijë më 23 shkurt, ndërkaq repriza do të jepet me 25 shkurt, në Sallën e Sportit  “1 Tetori” në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme