Agim Zajmi, artisti shumëdimensional dhe themeluesi i skenografisë moderne shqiptare

4 Nëntor, 2023 - 1:50 pm

Nga Milena Selimi

“Teatri është fjala është mendimi, ajo  e ka mbajtur gjallë  për shekuj, ku teatri ka mbijetuar nga filozofia e veprës”- kështu më shfaqet në një intervistë të vitit 2009 Piktori, Skenografi dhe Profesori Agim Zajmi, e më tutje “Teatri edhe me gjëra të thjeshta bëhet i bukur, kur e dashuron atë. Teatri është shtëpia ime”.

Kambana e ikjes së artistit ra më 3 nëntor 2013, (10 vite nga sot) atëhere kur ai kaloi përtej, duke na lënë një kujtesë që unëgjithmonë  e kam të vështirë ta ndaj nga Artisti, Njeriu, Qytetari.

E kam shkruar edhe më parë, mik i mirë i tim eti, Skënder Selimi, bashkëpunëtor në skenografi e kostumografi, të njëjtë dhe të kundërt në argument, frymëzues dhe pasionantë, kërkues dhe kontribues në artin shqiptar, sfidues deri në momentin e ngjitjes në skenë në moshën 70- vjeçare për të realizuar një ëndërr të shkuar krijimtarie si baleti “Sheherazade”me atë rivënie spektakolare në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Atëhere kur morën duartrokitjet duke u ndjerë në shtëpi..

Si e ndërtojmë shtëpinë, si e ngremë shtëpinë, si e mbrojmë shtëpinë? Nuk e kam përballë ta pyes profesor Gimin, por besoj se e di përgjigjen… na e ka lënë në themelet e skenografisë moderne shqiptare, me një kontribut me më shumë se 300 skenografi.  Bashkëpunimin më të frytshëm  me regjisorin Pirro Mani, me mbi 40 shfaqje, skenografi që e çliroi skenën nga mbingarkesa e objekteve përshkrimore, që ndërtoi skenografi që lindin dhe vdesin në skenë, që e pranoi konvencionin në teatër, që ndërtoi një skenografi unike që shpirtëzohet me autorin, regjisorin, aktorin. Duke besuar se “teatri është art kolektiv. Duhet të jesh 50% regjisor që të mbetesh 100%skenograf dhe anasjelltas. Na e tregoi këtë edhe në shfaqjen “Pamje nga ura”, në vitin 2009, atëhere kur skena bosh fillon e ‘trembet’ nga pesha e mendimit, urtësisë, cclirimit dhe kërkimit të një skenografi 71-vjeçar.

Artisti Agim Zajmi e ndërtoi “shtëpinë”në Teatrin  Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë, duke kontribuar edhe në teatrot kombëtare të Prishtinës në Kosovë, Shkupit në Maqedoni dhe Malit te Zi. Dekan dhe profesor në Akademinë e Arteve të Shqipërisë, në Tiranë. Pjesa më e madhe e veprave shqiptare dhe të huaja, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, janë krijime të piktorit e skenografit të talentuar Agim Zajmi. Gjithashtu një kontribut të vyer sjell edhe në fushën e kostumografisë. Si një njohës i thellë i etnografisë shqiptare ai dha në skenën e Teatrit Kombëtar, jo vetëm mjediset, por veshjet e detaje të ndryshme që mbushnin skenën duke dhënë me sa më shumë realitet jetën shqiptare.

“Krijimtaria për Agim Zajmin është lumturi”- është shprehur regjisorja Drita Agolli, aktori magjik i skenës shqiptare, Naim Frashëri e cilëson “Mjeshtër i Teatrit”, ndërsa Sandër Prosi nuk kursehet në cilësime si “skenografitë e tij janë unaza floriri”. Atëhere besoj se Ai- Artisti e mbajti gjallë “Shtëpinë” me personalitetin unik, talentin shumëdimensional, çka i ka dhënë mundësi ta njohë atë thellë dhe të na “shëtitë” në laboratorin krijues të poetit të skenës duke na zbërthyer si askush deri më sot, magjinë dhe të fshehtat e artit të skenografit. Duke mbajtur mbi vete një tjetër vlerë si ajo që e cilëson artisti dhe profesori Gazmend Leka “gur kilometrik në skenografinë shqiptare”.

 Agim Zajmi si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranës, për dekada me radhë, ai përgatiti piktorët e ardhshëm në Akademinë tonë të Arteve me durimin dhe thjeshtësinë që e karakterizonte. Si piktor, ai ka ekspozuar punimet e tij në Francë, Itali, Angli, Greqi, Turqi, Austri, etj.

 Agim Zajmi ky mjeshtër i ngjyrës si piktor kavaleti, me shumë peizazhe, tablo kompozicionale, portrete etj nga ku me kujtohen: “Valle shqiptare”, “Fushë-Kosovë”, “Qan qielli shqiptar”, “Zanat e maleve”, “Për luftën në Kosovë”, “Portret gruaje”, “Kosovarja”, “Emigracioni”, etj.

Artisti Zajmi, si bir i Pejës trajtoi temën që e kishte aq për zemër, temën e Kosovës. Si skenograf ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare të teatrit. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi. Në vitin 1975, iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe më 1991-shin u nderua me titullin “Piktor i popullit”, ndërsa më 1995 iu dha titulli “Profesor”. Zajmi ka qenë dekan në fakultetin e artit figurative dhe më pas profesor në Akademinë e Arteve. Ishte president i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Figurativë me qendër në Tiranë.

Une nuk i përmbledh dot të gjithë jetën e tij artistike, por e di se ajo është dhe vazhdon të jetë “Në Shtëpi” dhe në kujtesën e atyre që jetuan në kohën e Artistit Agim Zajmi.

Faleminderit Profesor Zajmi për kontributin, në skenografi, kostumografi dhe ekspozita plot ngjyra dhe ide..të falenderoj që u deshët me tim atë, si miq, artistē, krijues dhe nuk u ndatë deri në  fund..

Tani jeni në qiej bashkë!

Faleminderit Mjeshtër per Artin, Qytetarin, Pedagogun, faleminderit për gjithçka na dhurove!

(1936- 3 nëntor 2013)/KultPlus.com

Të ngjajshme