“Agnesa e Zotit”, drama me regji të Kiço Londos në sallën e Universitetit të Arteve

6 Nëntor, 2024 - 4:30 pm

Laura Nezha, Eni Jani dhe Violeta Trebicka sollën mbrëmë në sallën e Universitetit të Arteve, shfaqjen teatrale “Agnesa e Zotit”. Trioja interpretoi nën regjinë e të mirënjohurit Kiço Londo, mbi mitin e paparashikueshëm të nënës dhe natyrës njerëzore. Spektatori ishte dëshmitar i interpretimit modern, tronditës dhe njerëzor të treshes së aktoreve.

“Agnesa e Zotit” është një dramë e vitit 1979 nga dramaturgu amerikan John Pielmeier, i cili tregon historinë e një murgeshe të re (interpretuar nga Laura Nezha) që lind një fëmijë në manastir dhe këmbëngul se foshnja erdhi si rezultat i ngjizjes së virgjër. Pasi fëmija gjendet i vdekur, një mjeke psikiatre (interpretuar nga Eni Jani) dhe nëna eprore e kuvendit (interpretuar nga Violeta Trebicka) përleshen gjatë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

“Drama është një vepër që provokon mendime. Ajo vë në pikëpyetje siguritë ligjore, psikiatrike, fetare dhe ekzistenciale, duke ekspozuar paqartësitë morale, duke përdorur një dialog jashtëzakonisht gazmor, dramatik, i cili është plot humor dhe zgjuarsi”, është shprehur vetë regjisori më herët, për mediet.

Drama “Agnesa e Zotit” do të vijojë të luhet edhe sonte e nesër (6 dhe 7 nëntor) në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme