7 Shkurt, 2025 - 11:30 am
Opera “Aida” e kompozitorit italian Xhuzepe Verdi, u vu mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, si një produksion madhështor, realizuar nën vizionin e legjendarit Franco Zeffirelli.
Kjo vepër epike, ndër më të famshmet e repertorit operistik botëror, në natën e parë u interpretua nga sopranoja Eva Golemi në rolin e Aidës dhe Ivana Hoxha si Amneris, ndërsa në kastin e dytë janë Maria Teresa Leva dhe Tamta Tarelashvili.
Të tjerë artiste në rolet kryesore janë: Carlos Cardoso, Armando Likaj, Bledar Domi, Xhieldo Hyseni, Matis Xheli, Dorina Selimaj etj.
Orkestra Simfonike, solistët dhe Korit i TKOBAP-së u drejtuan nga maestro Sergio Alapont dhe maestro Dritan Lumshi.
Megjithëse “Aida” është vënë disa herë në skenën e TKOB, përsëri ka marrë vëmendjen e publikut artdashës duke bërë që biletat të shiteshin në kohë rekord për dy netët e para.
Libreti i operës “Aida” rrëfen trekëndëshin e një dashurie pasionante të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radamès, dhe të bijës së Faraonit, Amneris.
Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radamès urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak. Aida duhet të vendosë mes besnikërisë ndaj vendit të saj dhe përkushtimit ndaj djalit që ajo dashuron. Dilema e zgjedhjes mes dashurisë dhe detyrës përballët edhe nga Radamesi, i cili në fund tradhton atdheun e tij për shkak të Aidës.
Muzika magjepsëse e Verdi-t me korale të fuqishme, arie magjepsëse dhe pasazhe gjithëpërfshirëse orkestrale përforcon thellësinë emocionale të operës.
Kjo histori pasioni, sakrifice dhe triumfi, në një spektakël që mishëron madhështinë e operës në formën e saj më të lartë, do të rikthehet edhe në datat 8, 10 dhe 12 shkurt./atsh/ KultPlus.com