25 Tetor, 2019 - 11:00 am
Nata e katërt e festivalit teatrit “Kadri Roshi” vijoi me tragjikomedinë “Fqinjët”. Me regji të Milto Kutalit dhe autor Ruzhdi Pulaha, në skenë interpretoi trupa e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës.
Kjo vepër teatrore erdhi në skenë në vijim të shfaqjeve, që janë prezantuar deri tani në këtë festival. Në role janë aktorët Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri. “Fqinjët” me regji nga Milto Kutali vjen në skenë si një vepër aktuale jo vetëm për kohën në të cilën jetojmë, por edhe për problematikën dhe idetë që transmetohen. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij dhe kantinën e verës të cilën ku ka punësuar një familje të re shqiptare në biznesin e tij.
Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë.
Drejtori i teatrit njëkohësisht dhe aktor në vepër Kudret Alikaj më herët është shprehur se është një vepër, që përcjell mesazhe. Dramat dhe komeditë e Ruzhdi Pulahës janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit. Autor i angazhuar, Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve të mprehta të ditës në dramat e tij. Në jurinë e festivalit ka emra të njohur si Birçe Hasko, Mevlan Shanaj, Rajmonda Bulku, Petrit Ruka dhe Suela Konjari. Festivalin u hap me komedinë “Art” nga teatri Metropol i Tiranës.
Komedia “Art” vepër shkruar nga Yasmina Reza, me regji nga Kriks Dumo ka në qendër të saj tre shokë, ku trajton jo vetëm problemet e artit, por dhe ato të miqësisë. /KultPlus.com