11 Janar, 2025 - 6:43 pm
Pas grevës 54-ditëshe, si shkak i mosrealizimit të kërkesave për rritjen e koeficientëve të pagave, Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës zgjedhore aktivitetin sindikal ta vazhdojë përmes heshtjes.
Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës përmes një komunikate për media.
“Duke qenë të vetëdijshëm se prej sot Kosova hyn në fushatë zgjedhore, dhe duke marrë parasysh se çdo veprim publik i yni – përmes performancave alternative, protestave apo debateve mediatike – mund të interpretohet si anim politik, kemi vendosur që gjatë kësaj periudhe të zhurmshme zgjedhore aktivitetin tonë sindikal ta vazhdojmë përmes heshtjes duke besuar se heshtja jonë do të dëgjohet dhe kuptohet si një kambanë alarmi.
Pas përfundimit të fushatës zgjedhore ne do të vazhdojmë me aktivitete tjera sindikale deri në realizimin e kërkesave tona të drejta”, thuhet në njoftimin e Sindikatës./ KultPlus.com