24 Nëntor, 2019 - 11:58 am
Shfaqja teatrore “Doktor Shuster” mbrëmjen e kaluar ishte në skenën e teatrit “Zvezdara” në Beograd. Vepra e autorit Dushan Kovaçeviç me regji nga Qëndrim Rijani, dhe një kastë aktorësh të njohur nga teatri i Korçës, por dhe artistë të tjerë.
Regjisori Rijani shprehet se kjo shfaqje realizohet në kuadër të projektit WBF (Western Ballkans Fund ), i cili mbështet këtë bashkëpunim teatror.
“Të lumtur e plot emocion, që trupa e teatrit tonë do të performojë këtë vepër në këtë teatër dhe pranë autorit Dushan Kovaçeviç”, thotë regjisori Rijani. Në veprën e autorit Dushan Kovaçeviç janë në role aktorë si Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Dritëro Ame, Blerta Belliu, Shkëlqim Jupi, Gloria Nura, Arben Malësia, Nikola Stefanov. Mesazhet që përcjell vepra e Dushan Kovaçeviç, janë komplekse, që nga respekti për të moshuarin, për të vdekurin, te marrëdhënia me Zotin.
Në komedinë e zezë me regji nga Qëndrim Rijani, gjithçka rrotullohet rreth karrocave invalidësh, të cilat metaforikisht trajtojnë handikapin e shoqërisë sonë mbi të vërtetat tronditëse si raporti baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla, vëlla-vëlla Komedia e zezë “Doktor Shuster” përmban brenda saj gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit.
Ndërsa elementi “karrocë” vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, dhe keqardhja është ajo gjë për të cilën ata kanë sa më pak nevojë. Vepra trajton fatit e dy njerëzve, motër e vëlla, të cilët në vitet e tranzicionit nuk kanë mundur të ushtrojnë profesionet e tyre, motra si pianiste, kurse vëllai si doktor.
Të veçuar këta njerëz janë përfaqësues të një kategorie morali që nuk ekziston më, po aq edhe tipa që mbështesin një mentalitet të ri. Qëndrim Rijani ka shfaqje në teatro të ndryshëm. Në aktivitetin e tij përmendim shfaqjet si “Ne vijmë për Ajër” (Skot O’Mor), “Kapitulli i Dytë” (Neil Simon), “Gjymtimi” (Martin Mcdonagh), “Doktor Shuster” (Dushan Kovacevic), “Art” (Yasmina Reza), “Gënjeshtër Pas Gënjeshtre” (Anthony Nelson), “Ushtria e Ui Tomasit” (Martin Mcdonagh), “Shtëpia e Bernarda Albës” (Federico Garcia Lorca), “Darka e Thërrimeve” (Refet Abazi), “39 Hapat” (Alfred Hitchcock), “Gratë” (Robert Thomas), “Roberto Xuko” (Bernard Marie Kolltez), “Në Det” (Slawomir Mrozhek), ” Jashtë bie borë” ( Vincenzo Salemme), me të cilat ka qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme. /balkanweb/ KultPlus.com