30 Prill, 2018 - 9:27 am
Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë paralajmëruar se prej ditës së parë të majit do t’i rikthehen grevës dhe do të bëjnë bllokim total të këtij institucioni. Kërkesa e tyre vazhdon të jetë e njëjtë: rritja e pagave, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në tetor të vitit të kaluar u kishin dhënë dhjetë ditë afat ministrit të Kulturës e Qeverisë së Kosovës që t’i plotësonin kërkesat e tyre. Pas një marrëveshjeje me Kujtim Gashin, ministrin e Kulturës, ata e kishin pezulluar grevën. Marrëveshja verbale midis MKRS-së dhe aktorëve është shkelur, pasi që u ishte premtuar qysh në shkurt se do t’i merrnin pagat me rritje. Krejt kjo çështje është bllokuar për shkak të Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, e cila ende nuk është finalizuar.
Aktori Shkelzen Veseli, pjesëtar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se nga takimi i fundit që kanë pasur me zyrtarë të MKRS-së e kanë kuptuar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.
Prandaj të martën, më datën 1 të muajit maj, pritet që aktorët të bllokojnë totalisht punën në TKK. Rifillimi i grevës së tyre përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kur edhe është organizuar një protestë nga shoqëria civile…/ KultPlus.com