22 Tetor, 2023 - 8:00 pm
Edicioni i 18-të i Festivalit “Takimi i kërcimit shqiptar” është ngjitur edhe në skenën artistike të Gjirokastrës me një shfaqje të koreografisë moderne.
“Tirana me ritëm”, titullohej spektakli koreografik që mban firmën e artistit italian Xhulio de Leo.
“Jam shumë i kënaqur që jam në Gjirokastër sepse është një qytet i rëndësishëm kulturor, pasuri e UNESCO dhe këtë mbrëmje patëm një publik të mrekullueshëm, të ngrohtë dhe të kujdesshëm, i aftë për të përjetuar atë që ishte shpirti i shfaqjes. Uroj që të rikthehem sërish për të sjellë një tjetër shfaqje dhe pse jo duke bashkëpunuar me institucionet lokale për një bashkëpunim të ri ose shkëmbime kulturore mes dy vendeve tona”,-tha Xhulio De Leo, koreograf.
Artdashësit ndoqën me interes performancën e trupës së kërcimtarëve në skenë të cilët përcollën mesazhe artistike me motive bashkëkohore
” Kjo shfaqje që quhet ” Tirana me ritëm” ka patur një tur nëpër Shqipëri duke filluar nga Tirana, në Korçë dhe sot jemi në Gjirokastër , më duhet të them që mbështetja që kemi patur këtu në Gjirokastër e them personalisht ka qenë më e veçanta nga të gjitha sepse kemi gjetur shumë njerëz dashamirës. Vetë baza e kësaj shfaqje është vallja popullore shqiptare, vallja e Kukësit e sjell në një mënyrë paksa më moderne, të gjithë dimë ta kërcëjmë dhe mendoj që të gjithë e gjejnë veten në këtë temë”,-tha Seneta Skëndi, kërcimtare.
Festivali “Albania dance meeting” u realizua në Javën Botërore të Kulturës Italiane si pjesë e një sërë aktivitetesh kulturore që artistët nga Italia kanë organizuar në qytetin e Gjirokastrës.
“Këto janë aktivitete në vazhdën e disa aktiviteteve që janë organizuar në Gjirokastër falë bashkëpunimit midis institucioneve diplomatike konsullore dhe atyre kulturore dhe bashkisë së Gjirokastrës në funksion të rijetëzimit ose të bashkëpunimit kulturor që kemi prej vitesh”, Teodor Bilushi, konsull i nderit të Italisë në Gjirokastër.
Ky aktivitet u mundësua nëpërmjet bashkëpunimit të Mistrisë së Kulturës, Bashkisë Gjirokastër dhe Institutit Italian të Kulturës. Përgjatë kësaj fundjave janë organizuar një sërë aktivitetesh kulturore të cilat kanë gjallëruar qytetin e gurtë si dhe kanë tërhequr turistët që vazhdojnë të vizitojnë në këto ditë vjeshte Gjirokastrën./euronews/ KultPlus.com