6 Janar, 2023 - 2:47 pm
Uranik Emini
Aktorja Albulena-Kryeziu Bokshi u emërua të enjten drejtoreshë e re e përgjithshme e Teatrit “Hadi Shehu”, shkruan KultPlus.
Në rolin e saj të ri, Kryeziu do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e të gjitha aspekteve të operacioneve të teatrit, duke përfshirë prodhimin, financimin dhe administrimin. Ajo do të luajë gjithashtu një rol kyç në formësimin e drejtimit artistik të teatrit dhe do të punojë ngushtë me ekipin artistik për të zhvilluar programe dhe nisma të reja.
Në një prononcim për KultPlus, Kryeziu shprehet e lumtur që mori mandatin 4 vjeçar në Teatrin “Hadi Shehu”, derisa pret me padurim që të fillojë punën.
“Sot kam nënshkruar kontratën me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, për një mandat katër vjeçar si drejtore e përgjithshme e teatrit “Hadi Shehu”. Besoj që kam shumë energji, vullnet e dëshirë për punë që ta dërgoj tutje këtë institucion, duke pasur parasysh që jam rritur me dashurinë për atë vend dhe rikthimi në rol është një emocion vërtet i veçantë”.
Ajo gjithashtu pret mbështetjen e të gjithë kolegëve, pasi ka shumë plane që pret t’i realizoj.
“Kam shumë plane të cilat uroj t’i realizoj në këtë mandatin tim 4 vjeçar, gjithashtu besoj që do ta kem mbështetjen e të gjithë kolegëve të mi në Gjakovë dhe Drejtoria e Kulturës, të cilët më kanë premtuar se do ta kem mbështetjen e tyre. Shpresoj që punën që është bërë deri tani në Teatrin e Gjakovës ta dërgojmë tutje”, thotë ajo për KultPlus.
Gjatë viteve të fundit, ajo ka luajtur disa role të ndryshme duke pasur ndikim në zhvillimin dhe suksesin e shumë prej produksioneve të teatrove të ndryshëm në Kosovë.
Emërimi i Kryeziut si Drejtoreshë e Përgjithshëm hyn në fuqi menjëherë dhe ajo do të fillojë rolin e saj të ri duke punuar me stafin e teatrit për të zhvilluar një plan strategjik për këtë vit. /KultPlus.com