30 Nëntor, 2019 - 1:55 pm
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tragjedia e tërmetit të datës 26 nëntor, prej katër ditësh po punon intensivisht në mënyrë vullnetare, mbështetur nga një ekip rreth 200 qytetarësh, për mbledhjen e dorëzimin e ndihmave humanitare. Përmes një njoftimi për mediat ata thanë mbrëmë se me kontributin e mbi 9000 personave, janë mbledhur e dorëzuar mbi 40 ton ushqime, veshmbathje, batanije e dyshekë, me mbi 20 kamione e dhjetëra furgonë, fuoristrada, vetura.
Dje në mbrëmje, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit vendosi me unanimitet që, ato pak para që janë siguruar nga donacionet monetare të qytetarëve, regjistruar me transparencë, të shfrytëzohen për ngritjen e kontejnerëve – SHTËPIVE PAS-TËRMET TË PËRKOHSHME deri në rindërtimin e shtëpive, si model që ne e sugjerojmë të ndiqet nga qeveria dhe gjithë donatorët.
“Këto shtëpi mundësojnë që të prekurit nga tragjedia e tërmetit të mbeten në shtëpinë e truallin e tyre, në kontakt me pronën e tyre, në gjendje pune, gati për të filluar jetën pas-tërmet. Ne bëjmë të ditur me këtë rast që në kemi bërë porosinë për disa kontejnerë-shtëpi të tilla dhe porosia do te kryhet e dorëzohet pas disa ditësh” thuhet në njoftim.
Në ditët në vijim ata do të japin detaje mbi procesin e realizimit, vendosjes dhe vendndodhjes së këtyre njësive banimi. Në foto është modeli i njësisë.
Aleanca një grupim artistësh e qytetarësh, mbron teatrin nga vendimj i qeverisë për ta shembur që prej shkurtit 2018. Prej datës 24 korrik kur patën përplasje fizike me policinë ata kamë organizuar festival për mbrojtjen e teatrit dhe kanë vënë në skenë çdo javë shfaqje e takime letrare e kulturore si edhe ekspozita. /KultPlus.com