20 Shkurt, 2019 - 1:30 pm
Gili Hoxhaj
Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën e tyre, duke e vënë atë në situata komike. Kjo dramë e rikthen përsëri Altin Bashën si regjisor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas suksesit që pati me shfaqjen “I ligu për mend”, me tekst të Gjergj Fishtës.
Drejtori i TKK-së, Agim Sopi në një konferencë për media është shprehur i lumtur që ky sezon po starton me një nga regjisorët më të mirë shqiptarë dhe rajonal. Ai theksoi se Basha me shfaqjen “I ligu për mend” ka thyer rekordet e publikut në TKK.
“Altini është i njohur për publikun tonë, ka sjell disa shfaqje jashtëzakonisht të suksesshme në TKK, menjëherë pas luftës ka realizuar shfaqjen “Pallati i ëndrrave” , e që për mendimin tim është një nga shfaqjet më të realizuara pas luftës dhe po ashtu shfaqjen “I ligu për mend” që ka thyer të gjitha rekordet e publikut, ne kemi realizuar 50 repriza me sallën e mbushur me publik dhe shfaqje të cilën e kemi ende në repertor”, u shpreh Sopi.
“Mjafton të themi se po vjen regjisori i shfaqjes “I ligu për mend” dhe kaq mjafton për publikun. Unë besoj që edhe kjo shfaqje do të jetë një sukses i ngjashëm, nëse nuk do të tejkalojë suksesin e saj”, u shpreh drejtori artistik Agon Myftari.
Regjisori i shfaqjes, Altin Basha tha se ndihet i kënaqur për ftesat që ka marrë nga Prishtina dhe që pas zbulimit të Fishtës, është i kënaqur që të sjell tekstin e Spiro Çomoras.
Tutje regjisori i shfaqjes Altin Basha tha se teksti trajton disa problematika të cilat rezonojnë edhe sot, siç janë pabarazia sociale, kapja e shtetit, korrupsioni, raportet e biznesit me politikën. Ai tha se kjo vjen si shfaqje me shumë ngjyra dhe spektakulare.
“Ka elemente që rezenojnë edhe në botën e sotme, ndërsa nga pikëpamja e trajtimit estetik, ne kemi mbetur në vitet 30-të pasi që na tërheqë ajo pamje dhe ai sharm. Nga pikëpamja e trajtimit regjisoriale të formave skenale, të lojës së aktorëve, të lojës muzikore e skenografike, ne provojmë të bëjmë një teatër modern, një teatër të gjallë”, u shpreh Basha.
Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbehet nga: Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Adem Karaga, May-linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka dhe Qëndresa Kajtazi.
Sa i përket kastës së aktorëve, Basha tha se kasti i aktorëve do t’i jap një dimension tjetër artistik tekstit dhe se gjeografia artistike e stafit prek tri teatrot shqipfolëse.
“Mendoj se kasti i aktorëve do t’i jap veprës një dimension tjetër, një dimension shumë më të fuqishëm artistik, i cili e çon përtej nivelin e komedisë”, theksoi Basha.
Aktori Luan Jaha i cili ka qenë pjesë edhe e shfaqjes “I ligu për mend”, tha se kjo shfaqje është një nga shfaqjet e rralla ku në tekstet kombëtare gërshetohen shumë mirë muzika, skenografia, kostumet dhe publiku.
“Unë ju garantoj që kjo shfaqje është më e mirë dhe shpresoj që të jetë më e shikueshme se “I ligu për mend”. Mirë se vini në teatër”, tha aktori Jaha në konferencën për media që i paraprin shfaqjes.
Ilire Vinca po bashkëpunon për herë të parë me regjisorin Altin Basha por thotë se gjithnjë e ka shijuar punën e tij prej anës së spektatorëve. Bashkëpunimin me Bashen, e cilëson si një dhuratë të bukur.
“Ndjehem shumë mirë që e theva akullin dhe po shpresoj si Luani që në çdo shfaqje të Altinit do të jem”, ka thënë Vinca.
Aktores Edona Reshitaj, ky projekt i ka dhënë një nga eksperiencat më të mira dhe kjo për faktin se gjatë procesit të shfaqjes, thotë se ka dominuar energjia pozitive.
“Ajo çka e bën më të veçantë gjithë procesin e kësaj punë është se ne mezi s’kemi pritur që të vijmë në prova. Puna me regjisorin ka qenë super e lehtë sepse ka qenë shumë i qartë në të gjitha indikacionet që na i ka dhënë dhe na ka dhënë përgjigje në çdo pikëpyetje që e kemi pasur”, tha Reshitaj.
Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi, kurse skenografia dhe kostumografia vijnë të punuara nga Ilirana Loxha Basha, e cila tha se ndihet si në shtëpi në këtë teatër.
Shfaqja “Karnavalet e Korçës” vjen nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com