Altin Basha sjell për herë të parë në Shqipëri komedinë muzikore “Mamma Mia”, bazuar në këngët e grupit “ABBA”

19 Korrik, 2023 - 11:38 am

Bazuar në këngët më të njohura të grupit “ABBA”, do të vihet në skenë për herë të parë ‘live’ për publikun shqiptar komedia muzikore “Mamma mia”, në datat 25 dhe 26 korrik në orën 21.00 në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës. Me Regji nga Altin Bashës dhe skenografi nga Iliriana Basha, komedia muzikore “Mamma Mia” nis me historinë e Sophie-së, e cila ka ftuar në martesën e saj me Sky-in, tre baballarët e saj të mundshëm.

Ajo kupton, nga ditari i nënës së saj- Donnes, se është fryt i dashurisë së tre historive romantike gjatë një muaji 21 vjet më parë. Cila nga tre dashuritë e rinisë së Donnes, është babai i Sophi-së? Sam? Harry? Apo Bill? Kjo komedi muzikore, e sjellë ne stilin Musical, është një sfidë e madhe për të gjithë protagonistët e shfaqjes, të cilët njëherësh aktrojnë, kërcejnë dhe këndojnë ‘live’. Emocionet, humori, muzika e bandit dhe e protagonisteve ‘live’, ju ofrojnë një shfaqje me nivel te kalibrit botëror, shkruan shqiptarja.com.

Aktorët pjesëmarrës janë Elia Zaharia, Ina Morinaj, Rea Nuhu, Gerta Mahmutaj, Amos Zaharia, Endri Kacaci, Donald Shehu dhe Igli Zarka.. Trupa mbeshtetese e personazheve te teatrit muzikor përbehet nga artistët e rinj: Ketjona Pecnikaj,  Zerxhina Hasanaj, Gloria Taga, Krisa Gjika, Maria Ademi, Ilia Kaci, Amri Hasanlliu, Aldrin Biba, Mario Dorre, Denardo Neziri.

Instrumentistët e Bandit që do të luajnë këngët e ABBA-ve të orkestruara për teater muzikor nga Jusiald Xhani janë: Erald Simixhiu, Denis Hima, Mateos Gjipi, Emil Zaharia, Alex Zisi. 

“Mamma mia” erdhi si një projekt veror dhe për ta vënë në skenën e Amfiteatrit. Puna ka nisur dhe Ilirjana (Loxha – Basha) po bën skenografinë. Ka një lloj kënaqësie kur ti punon me disa zhanre artistike në të njëjtën kohë. Këtë radhë sigurisht kemi aktorë si Elia Zaharia, që është në rolin kryesor, në rolin e Donës. Ky është projekti i dytë që punoj me Elian dhe është kënaqësi të shohësh se si ajo është pjekur si aktore,” tha Altin Basha për ABC News,

“Sigurisht personazhet janë mjaft interesante dhe kthesat dramaturgjike janë mjaft interesante, si histori me nevojën e njeriut për të njohur vetveten dhe sigurisht mesazhet që përcjell vepra se nuk është e thjeshtë. Janë mesazhe me të cilat shoqëria jonë mund të përballet, janë problemet e familjes, të dashurisë dhe të identitetit. Është komplekse, ndoshta ne na duket e lehtë, por ka dhe koreografi”, u shpreh ai./KultPlus.com

Të ngjajshme